FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
31/1/2013 / ARKIV
Një familje persekutohet për shkak se ka hyrë në Islam
Pas informacioneve të marra gojarisht nga disa
burime të besueshme na u njoftua, se kishim një rast persekutimi për arsye të
ndërrimit të fesë, pra konvertimit, nga i krishterë në musliman. Pasi këto
informacione na u konfirmuan, atëherë FMSH ngriti një grup të posaçëm për të
shkuar dhe verifikuar në vend këtë rast.
P.L. ishte larguar fillimisht nga një fshati i
Tropojës dhe kishte shkuar në një fshat të Shkodrës për një jetë më të mirë.
Aty e gjetëm së bashku me bashkëshorten dhe me tre fëmijët e vet. Pasi ishte
vendosur aty kishte gjetur përkrahjen e znj. L.B.B., e cila e prekur nga
gjendja ekonomike e familjes në fjalë fillimisht ua jep shtëpinë me qera, por
më pas i ndihmon gjerësisht si nga ana ekonomike, po ashtu edhe shoqërore, duke
u bërë shkak që të fillojnë e të praktikojnë Islamin duke u bërë kështu
muslimanë. Kjo gjë nuk është mirëpritur aspak nga rrethi shoqëror dhe farefisi
i familjes së P.L., të cilët fillimisht i kanë sharë dhe i kanë ofenduar për
ndërrimin e fesë, dhe më pas kanë kaluar në kërcënime të drejtpërdrejta fizike
ndaj kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, gjithnjë sipas asaj që
na referoi ankuesi. Ai na ka njoftuar se ka pasur presione fizike nga më të
ndryshmet, po ashtu edhe djemtë e tij të pranishëm gjatë kësaj bisede. Po ashtu
këto presione janë konfirmuar edhe nga fqinja L.B.B. Persona të paidentifikuar
i kanë hyrë në shtëpi dhe e kanë kërcënuar. Ai na tha se edhe natën vonë i kanë
hyrë në shtëpi dhe e kanë kërcënuar me armë zjarri. Ai na pohoi se është nën
kërcënim të vazhdueshëm për shkak se ai, bashkëshortja e tij së bashku me
fëmijët kanë kaluar në Fenë Islame. Dy djemtë e tij na pohuan se “njerëz
të panjohur” kanë kërkuar t’i tërheqin jashtë ambienteve të shkollës me
kërcënime. Po ashtu gjatë bisedës u vërejt në qëndrimet e kryefamiljarit dhe
bashkëshortes së tij një tension dhe stres i jashtëzakonshëm, kur tregonin për
presionet dhe kërcënimet e përjetuara gjatë këtyre kohëve të fundit. Gjendja e
tyre ekonomike dukej që ishte e keqe, dhe mund të hynte tek ato familje në
nivelin më të ulët të varfërisë.
Të gjitha të dhënat gjenden të regjistruara dhe të arkivuara pranë Forumit
Musliman të Shqipërisë.