Nga Roald A. HYSA

 

Ndërtesa e Qabes ka formën e një kubi dhe gjatë gjithë vitit mbulohet nga një cohë e zezë e zbukuruar me ajete kuranore të qëndisura me fill të artë. Brenda ajo është bosh. Po pse çfarë pret të gjesh ti aty përveç boshit dhe boshësisë, do të më pyeste dikush…
Asgjë, veçse ka një ajet kuranor që thotë pak a shumë kështu: Iku e kota dhe erdhi e vërteta, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur… ky është një çast emocional në kujtesën myslimane, kur sahabët me urdhrin profetik të Muhamedit paqja dhe lavdërimet e Zotit qofshin mbi të e spastruan godinën e Qabes nga rreth 360 idhuj e puta. Qysh prej asaj dite të bekuar, kur u vendos e vërteta me emrin e Zotit dhe u hoq e kota Qabja e Madhnushme ka mbetur bosh. Urdhri hyjnor është ta boshatisësh zemrën tënde nga idhuj e puta e ta fusësh aty Allahun dhe dritën e Tij. Në boshësinë e zemrës tingëllojnë shumë më mirë harfet kuranore dhe ushtojnë jehonat e ajeti kursisë, ku madhështisht shfaqet mëshira e pafundme e Allahut në shtatshen rrotulluese të haxhive.
Qabja e Madhnushme me boshësinë e saj simbolizon pashokshmërinë e Allahut dhe vetmësinë e Tij si i parival në pushtet, mëshirë e në lartësinë e Tij.
Boshësia e Qabes së Madhnueshme është një lehtësi për meditimin dhe të shkëput nga e sotmja iluzore, adhuruesi ndjen peshën e vetes t’i lehtësohet e të harrojë gjithçka. E sheh veten tate se si tingëllon bosh dhe nuk ka asnjë lloj shushurime aty. Qan me lot se kërkon Allahun pa derman dhe Ai me madhështinë e Tij hyjnore e përçon nga të shtatë qiejt kat e kat e zbret në zemrën tënde mëshirë. Lutu o abidin, pafund veç lutu. Damarin e qafës e ke në vend!
Lutu e zbraze veten, boshatise nga e keqja që t’u ka bërë mullar në shpirt. Kujto 70,000 engjujt e Qabes Qiellore, që hyjnë e dalin papushim e nuk kthehen më… hyjnë e dalin. Qabja Madhnueshme vazhdon të jetë bosh, e zbrazët, enigmatike, aty dhe njerëz rrotull që qajnë e lutjet e tyre jehojnë vetëm në zemrat bosh. I harrojnë të mirat që kanë bërë, se aty në atë vend nuk ka më vend për të mirat e tua. Aty është bosh dhe zbrazëtia enigmatike të sugjeron Allahun me Mëshirën e të cilit bëhet gjithçka…
Kun fe je Kun?!…
Bëhu dhe bëhet, a nuk të mjafton kjo or ti mysafir i kësaj bote bosh! Mysafir i mjerë jam.