Hyrje

Raporti i parë mbi Islamofobinë i nxjerrë nga FMSH i përket vitit 2016 dhe kështu kanë vijuar përpjekjet e përvitshme të FMSH-së për të pasur një pamje më të qartë rreth akteve dhe fenomeneve islamofobike të shfaqura rast pas rasti. Puna e FMSH-së ka qenë më e gjerë rreth problemeve të hasura nga bashkësia muslimane shqiptare dhe duke qenë në kontakt me to normalisht e ka pasur më të qartë atë që ka ndodhur dhe po ndodh me bashkësinë tonë. Pandemia botërore dhe ashpërsimi i rregullave të karantinimit të saj kanë sjell një kufizim apo kufizime të ndryshme për jetën fetare dhe shprehjen e opinioneve në publik. Pra kemi kështu për pasojë edhe kufizimin e lirive të ndryshme fetare qoftë individuale, qoftë edhe në grup të bashkësive fetare. U vërejt një trajtim selektiv në këtë drejtim, ku do të jepen edhe shembuj të denoncuar publikisht në seksionin përkatës. Nga vitet e kaluara kemi një seri problemesh të trashëguara, ku po i përmendim shkurtimisht:

  1. Ora e Xhumasë në administratën publike dhe tek uniformat ushtarake
  2. Personat me uniformë ushtarake apo të policisë nuk lejohen që me uniformë dhe gjatë kohës së shërbimit të ushtrojnë të drejtën e tyre për kryerjen e riteve fetare (qofshin muslimanë apo të krishterë)
  3. Ora e Mësim-Besimit në arsimin parauniversitar.
  4. Doza të mëdha islamofobie në aparatin e rendit.
  5. Mbulesa e Femrës Muslimane si pjesë e identitetit dhe e jetës së përditshme.

Pika e fundit që ne e shohim si të pazgjidhur plotësisht do të trajtohet në një seksion të posaçëm në vijim dhe zgjidhja e këtij problemi ka nevojë për një aktivizëm dhe solidaritet të gjithanshëm në shoqërinë shqiptare. Ndërkaq FMSH ka nisur komunikimin me agjencinë përkatëse qeveritare për zgjidhjen e problemit të “Orës së Xhumasë” me shpresën që zgjidhja do të jetë e shpejtë dhe ajo e duhura për këtë kategori që punon në administratën publike, e cila në këtë mënyrë do të kthehej në një shembull pozitiv edhe për nënpunësit e ndryshëm në sektorin privat. Ky sektor në shumicën e rasteve ka pasur dhe ka një qasje më pozitive ndaj kësaj kërkese normale të besimtarëve.

Islamofobia dhe disa zhvillime

Sipas hartuesve të raportit mbi Islamofobinë në Evropë Ferid Hafiz dhe Enes Bajrakllë: “Islamofobia vepron duke ndërtuar një identitet statik musliman, të cilit i atribuohen në terma negative dhe të përgjithshëm për të gjithë Muslimanët. Në të njëjtën kohë pamjet islamofobike janë fluide dhe variojnë sipas konteksteve të ndryshme, për shkak se Islamofobia na tregon neve më shumë përreth Islamofobit, se sa na tregon neve përreth Islamit apo Muslimanit. Me këtë përkufizim pune ne fokusohemi në strukturat pushtetare dhe me këtë në margjinalizimin dhe padrejtësistë që burojnë nga strukturat pushtetare. Kur ne regjistrojmë dhe shkruajmë përreth Islamofobisë ose racizmit anti-musliman në këtë raport është për të problematizuar strukturat dehahumanizuese dhe përjashtuese, që manifestohen në mënyrat që ne e konceptojnë botën dhe vendin e Muslimanëve dhe të Islamit aty sot, po ashtu edhe veprimet që përfaqësojnë këtë dehumanizim dhe përjashtim.”

Neve na duhet ta kemi parasysh anën irracionale si përbërëse e rëndësishme e këtij termi. Termi islamofobi gjuhësisht është i ndërtuar mbi fobinë dhe frikën irracionale që ngjall Islami, duke mos e njohur atë. Pra, ata që janë islamofobë kanë një frikë irracionale kundrejt Islamit dhe muslimanëve dhe njëkohësisht mundohen vazhdimisht ta përhapin e ta mbjellin këtë fenomen në shoqëritë e tyre përkatëse ku jetojnë. E parë në këtë prizëm Islamofobia dhe aktet e saj në vende të ndryshme presupozon më tepër një vegël, që e ruan shoqërinë e atij vendi nga ndikimet e tjetrit, që në këtë rast është një musliman që jeton brenda kësaj shoqërie dhe kështu që për pasojë atij i duhet të konformohet brenda kësaj shoqërie të dhënë. Ndërkaq po edhe sipas autorëve të raportit mbi Islamofobinë në Evropë ky fenomen ndryshon edhe sipas vendeve të ndryshme, për arsye dhe shkaqe të ndryshme politike, historike e kulturore. Më herët edhe në raportet tona pararendëse ne e kemi vërejtur dhe e kemi përcjellur si shqetësim, se janë tre elementet thelbësore, ku bazohen shfaqjet dhe mentaliteti islamofobik: arabofobi, turkofobi dhe një mentalitet laik i ekstremizuar deri në ateizëm. Ky i fundit është më i theksuari në strukturat shtetërore në arsim, në rend, në ushtri, ku bëhet edhe më i dukshëm e më i ndjeshëm ky laicizim ekstrem, i cili hyn deri në sferën private të këtyre individëve dhe grupeve të tyre dhe që e imponojnë gjerësisht edhe në strukturat shtetërore të reflektuara edhe në ligje të ndryshme themelore për Shtetin Shqiptar dhe jetën shoqërore. Në një këndvështrim më të ngushtë kjo mund të shihet edhe si një trajtim antifetar i komuniteteve fetare të pranishme në Shqipëri, për shkak të një mentaliteti ateist të trashëguar në administratën publike shtetërore nga e kaluara moniste. Kjo gjë u vërejt edhe në festimet e fundit gjatë muajit dhjetor, ku edhe për efekte komerciale iu dha një hapësirë e madhe kohore dhe vendi festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndërkohë që festimet e Bajrameve rregullisht janë trajtuar asimetrikisht në të kundërt nga pushteti lokal. Kjo u vërejt në Tiranë, Shkodër, Kavajë e gjetkë ku sheshet kryesore u bllokuan në formën e panaireve të shitjeve lokale, ku nuk mungonin urimet përkatëse. Gjithashtu mund të përmendim këtu edhe një peticion të posaçëm, që u ndërmor nga një zonjë muslimane, ku shprehej pakënaqësia ndaj këtij trajtimi asimetrik ndaj një komuniteti qytetar, i cili është shumicë në Shqipëri.

Në ndihmë të këtij mentaliteti laik-ateist vendosen edhe mediat e ndryshme që rregullisht importojnë lajme nga agjencitë e huaja, duke i vendosur në kontekstin shqiptar me një përdorim termash anti-islam. Kjo gjë e ka ndihmuar rregullisht me ulje-ngritjet e veta fjalorin fyes dhe hate speech në rrjetet sociale, gjë e cila përbën një fenomen më vete për t’u studiuar dhe për të parandaluar acarimin e mëtejshëm të këtij fenomeni.

MBULESA E VAJZAVE MUSLIMANE

Mbulesa e femrës muslimane mbetet një sfidë në vetvete për shoqërinë shqiptare, e cila po përjeton luhatje të forta. Gjithsesi në vitet e fundit ka pasur një sensibilizim ndaj kësaj mbulese dhe problemet më të mëdha tashmë shfaqen në arsimin parauniversitar në shkollat shtetërore. Një pjesë e mirë e stafeve drejtuese shkollore nuk kanë dije për legjislacionin juridik, i cili jo vetëm që nuk e ndalon pjesëmarrjen në mësim të vajzave të mbuluar, por edhe e lehtëson. Gjithsesi në vitin 2021 kemi pasur një seri rastesh problematike si në Tiranë, por edhe në qytete e fshatra të tjera. Rastet do t’i gjeni në vijim në bazë të kronologjisë së tyre.

Shkolla 26 Nëntori Selitë Tiranë prill 2021

Në një nga shkollat e kryeqytetit një nxënëse muslimane nuk është lejuar të frekuentojë orët mësimore pasi është paraqitur në shkollë. Drejtoresha e shkollës nuk e ka lejuar vajzën të hyjë në mësim pasi ajo është mbuluar dhe me këtë lloj veshje ia ka bërë të qartë, që të mos shpresojë të hyjë në mësim. Me ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e një aktivisti të FMSH u bë e mundur që vajza të rifillojë mësimin e rregullt.

Motrat e mbuluara kërcënohen me përjashtim nga shkolla

Në një nga shkollat 9-vjeçare të një fshati në Kavajë ka pasur përsëri dy raste shfaqje islamofobike ndaj dy nxënëseve të mbuluara me shami. Dy nxënëset janë kërcënuar me përjashtim nga shkolla prej mësueses kujdestare, mirëpo më pas me ndërhyrjen e një arsimtari është negociuar ky rast i dy motrave me drejtorin e shkollës dhe më 10 maj 2021 vajzat i janë rikthyer mësimit të rregullt.

Presione nga mësuesit për heqjen e mbulesës së vajzave muslimane

Një rast i ngjashëm në arsimin parauniversitar na u referua në një shkollë 9-vjeçare në qytetin e Gramshit. Njoftimi na erdhi (30/09/2021) nga njëri prej prindërve dhe më pas komunikuam në celular, ku babai na tregoi se pas një jave shkollë drejtori i kishte thënë vajzës që duhet ta hiqte mbulesën se shkolla ishte laike. Vajza B. L. kl. 8 nuk do të lejohej të hynte në mësim e mbuluar. Babai i vajzës Sh. L. na njoftoi se për momentin ky incident mund të zgjidhej me bisedime. Pas një bisede të dytë morëm vesh se vajza vazhdon mësimin dhe nuk ka pasur më shqetësime.

Në dy shkolla të ndryshme të Tiranës mësues/e me përkrahjen e drejtorëve të shkollës ju kanë bërë vajzave muslimane në forma të drejpërdrejta dhe të tërthorta për heqjen e mbulesës së kokës për vajzat muslimane. Rasti i parë që na është raportuar vjen nga babai i vajzës A. Sh., pasi vajza ka pasur disa ankesa qysh nga viti shkollor 2020-2021. Prindi është përpjekur t’i zgjidhi me mësuesit përkatës  të shkollës 9-vjeçare Hoxha Tahsin në Tiranë. Mirëpo problemi është përsëritur edhe në ditët e para të fillimit të vitit shkollor 2021-2022, e për pasojë babai i vajzës i është drejtuar nëpërmjet negociimit drejtoreshës së shkollës, e cila sipas tij ka reaguar pozitivisht, duke premtuar se ky problem do të ketë zgjidhje. Pasi e biseduam situatën edhe me avokatin G. Sejrani dhe me babain e vajzës iu drejtuam më dt. 20/10/2021 për një takim me drejtoreshën dhe në këtë takim ishte e pranishme edhe psikologia e shkollës. Pas një bisede të shkurtër u bë e mundur që vajza muslimane të vazhdojë mësimin pa e hequr mbulesën e kokës.

Një rast tjetër i ngjashëm na është referuar në një tjetër shkollë të rrethinave të Tiranës, shkolla 9 vjeçare Lidhja e Prizrenit në Paskuqan, vajza ka hyrë tashmë në mësim në klasën e 9.

Heqja e të drejtës së protestës

Muslimanët nuk lejohen të manifestojnë në shesh

Rreth 50 shoqërime në Komisariatet e Policisë së Tiranës janë bërë për disa grupe muslimanësh, të cilët kanë dalë për të manifestuar solidarizimin e tyre me popullin e shumëvuajtur palestinez më 16 maj 2021. Manifestuesit janë sjellë paqësisht gjatë qëndrimit në sheshin Skënderbej në Tiranë dhe më pas janë shtyrë nga forcat e policisë së rendit për t’u larguar nga sheshi. Forcat policore më pas kanë shoqëruar për në Komisariatet e Tiranës rreth 50 persona. Denoncimi vjen nga Avokat Gentian Sejrani i shoqatës “Drejtësi Sociale”, i cili i ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet dhe ka asistuar në Komisariatet të shoqëruarit e protestës.

Ndërsa më dt. 20 maj 2021 dy aktivistë të Forumit Musliman të Shqipërisë janë paraqitur në mjediset e recepsionit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të bërë njoftimin zyrtar në bazë të ligjit për të bërë një manifestim solidariteti me popullin e Palestinës dhe për humbjen e jetës së 70 fëmijëve nga bombardimet izraelite në Gaza. Pas tre orë bisedimesh në recepsion aktivistët e FMSH Fisnik Kruja dhe Roald Hysa iu bë e qartë se nuk do të merrnin përgjigje pozitive nga personat përgjegjës, megjithëse ligji shqiptar e parashikon vetëm njoftimin formal të organeve të rendit. Aktivistëve vazhdimisht ju kërkuan dokumente shtesë dhe iu krijuan vonesa të dukshme për të mos qenë në gjendje të kryenin procedurat më të zakonshme. Në formë jo-zyrtare na u bë e qartë nga njëri prej oficerëve drejtues të rendit në Drejtorinë e Tiranës, se për këtë aktivitet nuk do të merrnim asnjë lloj përgjigje, dhe na u bë e qartë që po ju shkaktonim bezdi. Ndërkohë në sheshin Skënderbej u toleruan dukshëm grupe të tjera shoqërore të zhvillonin aktivitetet e tyre nën kujdesin e organeve të Policisë së Rendit dhe me përkrahje qeveritare.

Xhamia e Madhe e Durrësit

Forca të policisë vendore në Xhaminë e Madhe Durrës pas një “ankimi” të marrë nga një qytetar janë paraqitur gjatë hytbes së xhumasë dhe me shenja të papërcaktuara i kanë kërkuar hatibit të ndërpresë hytben dhe faljen. Rreth 6 punonjës të rendit kanë qenë të pranishëm gjatë kësaj procedure të sforcuar. Pas mbarimit të xhumasë hatibi E. SH. i ka dhënë sqarimet e nevojshme njërit prej punonjësve të rendit, i cili ju ka kërkuar me këmbëngulje pa pasur asnjë lloj dijenie se si kryhet ceremonia e xhumasë ta mbylli sa më shpejt atë. Një përfaqësues nga Myftinia e Durrësit i ka kërkuar sqarime Komisariatit të Durrësit për këtë rast dhe pranisë së panevojshme policore gjatë ceremonisë së xhumasë. Njëkohësisht janë sqaruar edhe masat e marra nga Myftinia e Durrësit sipas qarkoreve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e pandemisë së COVID-19.

Gjuhë ofenduese islamofobike në komunikimin me publikun

Aktori i komedisë bën humor me ezanin

Aktori i komedis Mario Shitka gjatë një emisioni humoristik Corner Comedy Club ka bërë humor të vrazhdë me thirrjen e ezanit, duke e cilësuar si “të pamundshme për të marrë pjesë në Top Fest (festival i këngës moderne)”. Sikur të mos mjaftonte kjo videoja e këtij momenti është vënë në qarkullim në internet, gjë e cila ka shkaktuar zemërimin e të gjithë bashkësivë muslimane në kryeqytet e më gjerë. Mesazhe pa fund kanë shkuar në drejtim të aktorit Mario Shitka dhe të emisionit Corner Comedy Club. Pas pak ditësh kanë reaguar duke kërkuar falje publike edhe aktori, edhe autorët e këtij emisioni, duke deklaruar se nuk kanë pasur si synim të lëndojnë ndjenjat e besimtarëve. (gusht 2021)

Frrok Çupi, përfshin fenë në sherrin për Berishën: Lëvizja e tij synon trazira antiamerikanizëm dhe myslimanizëm në Shqipëri, krimin e gjen në familjen e tij 16/09/2021. Analisti Frrok Çupi është i mirënjohur tashmë për komentet e tij islamofobike ndaj të ashtuquajturve kundërshtarë politikë.

Më datë 17 tetori 2021, Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë ka reaguar ndaj një programi televiziv të transmetuar në Ora News duke denoncuar gjuhën tallëse të përdorur në emisionin #EXPULS të transmetuar në Ora News. (linku i transmetimit të emisionit në kanalit e TV Ora në YouTube. https://www.youtube.com/watch?v=Wsph3HTqAoI)

Drejtuesit e emisionit, bashkë me të ftuarit, në mungesë të çdo etike televizive dhe në mosrepektim të ndjesive fetare të shiptarëve, janë tallur me trajtimin fetar të operacioneve plastike të diskutuar nga Hoxhë Bedri Lika. Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë i ka bërë thirrje publike  drejtuesve të TV Ora dhe prezantuesve të emisionit, që të reflektojnë e të kërkojnë ndjesë publike.

Po ashtu, i ka bërë thirrje publike Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si rregullator dhe mbikqyrës i transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë, që të shqyrtonte këtë program spefikisht për përmbajtje ofenduese dhe të dëmshme dhe ta vlerësojë atë në bazë të kodit të etikës për emisionet televizive. Pas reagimeve dhe denoncimeve të shumta, videoja është hequr nga YouTube.

Në emisionin e Zona Zero në Top News, një blogere Zh. L. shfaqi gjuhën e saj urrejtëse ndaj një psikologeje të ftuar në studion e këtij emisoni (një zonjë me shami). Vazhdimisht kjo blogere një personazh islamofob, e mirënjohur për gjuhën e saj urrejtëse ndaj fesë dhe muslimanëve e ka sulmuar me një fjalor të ulët jo-tolerant psikologen duke u përpjekur maksimalisht që të mos e lejojë të shprehi opinionin për të cilin e kishin ftuar në studio. (03/11/2021)

Vërehet rregullisht se menjëherë pas këtyre emisioneve, ku shfaqet qartë një retorikë anti-islame dhe antifetare ka një rritje të ndjeshme në të gjitha rrjetet sociale të gjuhës urrejtëse (hate speech) në formën e postimeve dhe të komenteve, sidomos kundër femrave të mbuluara, të cilat etiketohen si të ndrydhura dhe të dhunuara.

Peticion për një iniciativë qytetare

Me nismën e znj. Brixhida Muça- Masha aktiviste e shoqërisë civile u ndërmor nënshkrimi i një peticioni on-line ku kërkohej një trajtim më serioz ndaj festave të muslimanëve nga ana e pushtetit lokal të Tiranës në dhjetorin e vitit 2021. Në këtë peticion të përgatitur me kujdes nga znj. Muça- Masha me të drejtë vërehej një trajtim asimetrik nga ana e pushtetit lokal në Tiranë mbi festimet e bëra gjatë këtij muaji. Ja dhe arsyeja e dorëzimit të këtij peticioni: “Komuniteti Mysliman që praktikon ritet dhe festat Islame është i shumtë në numër. Për këtë arsye kërkojmë zbukurimin me drita të qytetit dhe/ose të disa zonave kryesore urbane, veçanërisht qendrës së qytetit, si dhe pranë xhamive, ashtu siç ndodh dhe gjatë festave fetare të komuniteteve të tjera fetare si p.sh atij Katolik dhe Ortodoks si gjatë Krishlindjeve apo Vitit të Ri etj.” Po ashtu znj. Brixhida Muça- Masha e ka pajisur këtë peticion edhe me bazën ligjore të nevojshme për një veprim qytetar (https://sq.petitions.net/peticion_per_iniciative_qytetare). FMSH tregoi një vëmendje të posaçme jo vetëm ndaj festimeve në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si Shkodra e Kavaja, Vlora apo Elbasani dhe i njëjti fenomen vërehej edhe në qendrat dhe sheshet kryesore të këtyre qyteteve. Kjo është një mangësi e madhe mbi trajtimin e komuniteteve fetare, e veçanërisht ndaj bashkësisë muslimane.

* Forumi Musliman i Shqipërisë synon të rrisë vëmendjen e politikës dhe publikut shqiptar në luftë kundër Islamofobisë dhe racizmit, të monitorojë incidentet e Islamofobisë dhe racizmit, dhe të punojë për të eleminuar diskriminim fetar dhe racor, dhe të lobojë për çështje me interes për muslimanët e Shqipërisë dhe komunitetet e tjera të vendit, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe në Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut të nënshkruara nga Shteti Shqiptar. Të gjitha rastet e evidentuara më sipër janë raportuar dhe ndjekur hap pas hapi nga përfaqësues dhe juristë pranë FMSH dhe gjenden të dokumentuara më gjerësisht pranë zyrës së FMSH. Emrat të caktuar nuk janë bërë të ditur për shkak të ruajtjes së privatësisë së të interesuarve.