FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp / ARKIV
18.12.2005
Su: Reagim ndaj fetarizimit të diskursit në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të Partisë Socialiste
Në datë 18.12.2005, të ditës së shtunë, në Tiranë u mblodh Këshilli Drejtues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Forumi Musliman i Shqipërisë vuri re, krahas zhvillimeve normale të një tubimi politik, edhe disa teprime të cilat bien ndesh me frymën e shoqërisë shqiptare si edhe me pretendimet gjithëpërfshirëse të një force politike, sic është Partia Socialiste e Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama gjatë mbledhjes, është shprehur ndër të tjera me tone tallëse ndaj figurës madhore të Islamit dhe feve në Shqipëri, të ndjerit Haxhi Hafiz Sabri Koçi. Në një kontekst kritik z. Rama ndër të tjera deklaroi se kryeministri i sotëm i Shqipërisë, flet si ‘Sabri Koçi’. I kujtojmë z. Rama si edhe përgjegjësve për marrëdhëniet publike të forcës së rëndësishme që ai drejton, se krahasimi negativ me një personalitet të shquar të kombit si Sabri Koçi është jashtë konteksti dhe i pavlefshëm. Situata rëndohet edhe më shumë kur humori bëhet me një të vdekur.
Forumi Musliman i Shqipërisë është i shqetësuar nga fetarizimi i panevojshëm i diskursit politik në Shqipëri, i cili shton në mënyrë artificiale polarizimin dhe ndarjet, për të cilat ka kontribuar politika deri më sot. Në fjalën e tij, z. Rama, gjithashtu krahasoi luftën kundër korrupsionit të kryeministrit aktual me “luftën e Haxhi Qamilit kundër të pafeve”. Larg një versioni thjeshtëzues dhe konfliktual të historisë, duam t’i kujtojmë opinionit publik se viktima të luftës së Haxhi Qamilit, kanë qenë në rradhë të parë hoxhallarët patriotë të Tiranës si Hafiz Ibrahim Dalliu etj. Këmbëngulja për të kritikuar kundërshtarët politikë mbi baza fetare, besojmë se dëmton në radhë të parë ata që bien në këtë kurth.
Forumi Musliman i Shqipërisë, një organizatë e shoqërisë civile që monitoron shfaqjet e intolerancës fetare dhe raciale në Shqipëri, këshillon klasën politike shqiptare dhe në rastin konkret Partinë Socialiste, që të tregojë kujdesin e duhur për mospërzjerjen e panevojshme të ilustrimeve fetare për të goditur kundërshtarët politikë.