FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp/ ARKIV
17-shtator-06
Forumi Musliman i Shqipërisë mbështet deklaratën e Komunitetit Musliman të Shqipërisë në lidhje me prononcimin më të fundit të Papa Benediktit të XVI-të, në të cilën Feja Islame dhe profeti i saj Muhamedi (a.s) paraqiten në një dritë të shtrembëruar dhe i bashkohet indinjatës së shprehur nga e gjithë bota islame me këtë rast.
Forumi Musliman i Shqipërisë me keqardhje dhe shqetësim konstaton se fjalimi dhe citimet e Papa Benediktit të XVI-të, të mbajtur pak ditë më parë, përbëjnë një shmangie nga linja e paraardhësit të tij Papa Gjon Palit të II-të i cili gjithnjë ka theksuar barazinë e tri feve monoteiste të botës, Hebraizmit, Krishtërimit dhe Islamit duke pasur parasysh faktin se të tre e kanë burimin e tyre tek profeti Ibrahim dhe Zoti Një.
Kërkimin ndjesë ndaj Botës Islame të Papa Benediktit të XVI-të, e konsiderojmë si një veprim të drejtë dhe në kohën e duhur duke shpresuar që ky të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të vazhdimit dhe forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes të Krishtërimit dhe Islamit.
Forumi Musliman i Shqipërisë shfrytëzon rastin që t’i kujtojë Organeve Ligjvënëse dhe Qeverisë Shqiptare duke iu referuar deklaratës të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për liritë fetare në Shqipëri, që të jenë më të angazhuar dhe më përgjegjës mbi problemet e Islamit dhe nevojave praktike dhe shpirtërore të besimtarëve muslimanë si përfaqësues të shumicës së popullsisë së këtij vendi.