Vakufet e Shkodrës nuk janë mall pa zot

 

Një nga problemet më të mëdha në këto 34 vjet demokraci ka qenë edhe ai i rikthimit të pronave te pronarët e tyre legjitimë, bashkësia muslimane shqiptare është ajo që ka përjetuar peripecitë më të mëdha. Vakufet e Shkodrës janë një pjesë e këtij problemi ulëritës, i cili prej kohësh e shqetëson Myftininë e Shkodrës.

Së fundmi imam Muhamed Sytari i ka shprehur këto shqetësime drejtpërdrejt nga mimberi i tij, duke ju drejtuar xhematit dhe duke e sqaruar me hollësi atë për këto peripeci, që po has në vakufin e Fushë Zdrales dhe vakufin e Fushë Çelës, ku këto sqarime kanë zënë vend edhe në mediat sociale e lokale të qytetit.

Myftiu Muhamed Sytari ka folur nga mimberi i tij brenda një periudhe të shkurtër korrik-tetor të këtij viti, duke u shprehur për shenjtërinë e vakufit, dhe ka kërkuar që të ndalen abuzimet shumëvjeçare.

Për Vakufin e Fushë Çelës aty ku sot është xhamia Ebu Bekër, ai u shpreh duke dënuar grabitjen që po i bëhet këtij vakufi si pronë, si dhe për Vakufin e Zdrales, për të ndaluar abuzimet që po bëjnë shfrytëzuesit e këtij vakufi. Këto qëndrime të Myftiut Muhamed Sytari kanë qenë të qarta dhe me mesazhe, se vakufi i ka pronarët e vet legjitimë.

Forumi Musliman i Shqipërisë i qëndron në krah Myftinisë së Shkodrës në këtë betejë legjitime të rikthimit të këtij vakufi në pronësinë origjinale dhe ju bën thirrje të gjithë autoriteteve qeveritare lokale të mos bien pre e grabitqarëve të pronave. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me vakufet veta të pakthyera mbrapsht akoma është një shenjë që shoqëria jonë po vuan nga zullumi i këtij tranzicioni kaotik 34 vjeçar. Vakufet e Shkodrës me problemet e veta janë një pohim ulëritës i kësaj zallamahie, që ne po kërkojmë t’i japim një zgjidhje. Vakufi i Fushë Çelës i takon Myftinisë së Shkodrës dhe kjo gjë duhet të marri zgjidhje menjëherë.

Tiranë 8 tetor