FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

03.01.2006

Su: Dhunohet Xhamia e Tabakëve në Tiranë

Në paraditën e 1 janarit të këtij viti, një akt i rëndë barbarie preku xhaminë e njohur të Tabakëve në kryeqytet. Persona të panjohur pasi kanë shpërthyer derën e xhamisë kanë dhunuar simbolikisht dhe fizikisht mjediset e faljes, duke vendosur aty ndyrësira dhe duke flakur përdhe e dëmtuar Kuranet dhe librat e tjerë fetarë të bibliotekës së xhamisë. Akti i rëndë i çshenjtërimit të njërës prej xhamive më të njohura të vendit nuk është i vetmi në këto vitet e fundit, ku edhe mjedise të tjera islamike janë djegur apo profanuar me parrulla ektremiste. I ndodhur vetëm në disa pak orë distancë nga sulmi terrorist në ambasadën e Republikës sonë në Beograd, ky akt i rëndë na kujton të gjithëve të kaluarën jo shumë të largët kur vegla të armiqve të huaj përpiqeshin të nxisnin armiqësi ndërfetare në vend duke hedhur ngordhësira apo ndytësira në xhami e kisha, akte që u zbuluan shpejt e u diskredituan nga opinioni i përgjegjshëm i kohës.

Forumi Musliman i Shqipërisë e gjen të pafalshme neglizhencën e organeve përgjegjëse për zbardhjen e këtij akti të rëndë të ndodhur në mës të ditës, në mes të kryeqytetit. Megjithë gadishmërinë e forcave të rendit për të qenë prezente në vendin e krimit pak momente pasi u lajmëruan për ngjarjen, specialistët erdhën dy ditë me vonesë për të mbledhur shenjat e gishtave në vendngjarje.

Xhamia e Tabakëve edhe sot e kësaj dite ruan shenjat e plumbave të para disa viteve, ku një bandë e armatosur erdhi dhe terrorizoi dhe grabiti besimtarët, krim që edhe sot e kësaj dite nuk është zbardhur. Gjithashtu për disa kohë me rradhë personeli dhe besimtarët e xhamisë janë ankuar për akte kërcënuese dhe provokative të individëve të njohur të zonës të cilët prishnin ritualet duke hedhur brenda në xhami shashka. Klima e pandëshkueshmërisë dhe indiferencës së organeve përkatëse, e cila në një farë mënyre u riprovua edhe këtë herë, mundëson dhunime të mëtejshme në mjedise të cilat nisin e konceptohen si shënjestër e lehtë nga keqbërësit dhe provokatorët.

Forumi Musliman i Shqipërisë, i shqetësuar jo vetëm për profanimin dhe desakrimin e një institucioni fetar, por edhe për peshën e rëndë emocionale që mbartin akte të tilla në shoqëri, kërkon përgjegjësi maksimale nga autoritetet, por edhe nga mediat, për t’i dhënë vlerësimin e duhur akteve të tilla të rënda.