Deklaratë për Shtyp / ARKIV

Shoqatat Muslimane të Shkodrës shqetësohen nga fushata kristjanizuese në emër të Nënë Terezës

03-nëntor-07

Shoqata Bamirëse Islame Shkodër, Shoqata e Intelektualëve Kultura Islame dega Shkodër, Klubi Kulturor Drita, Dega e Forumit Musliman Shkodër, shprehin shqetësimin e tyre dhe reagojnë ndaj projektit të qeverisë demokratike për të vendosur në kartën e identitetit të qytetarëve shqiptarë, figurën e shenjtores katolike, Nënë Tereza. Nëpërmjet këtij akti në vendin tonë i jepet një goditje e rendë karakterit laik të shtetit shqiptar i cili është përcaktuar qartë në  Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Shoqatat muslimane të qytetit të Shkodrës, mbështesin qëndrimin e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe të kryetarit të këtij Këshilli, Ahmet Çaushi. Ato mbështesin edhe deklaratën e Forumit Musliman të Shqipërisë,  të cilët me deklaratat e tyre mediatike, protestuan haptas dhe në mënyrë publike kundër vendosjes së  figurës së shenjtores katolike, Nënë Tereza në kartën e identitetit të qytetarëve shqiptarë.

Ne jemi të bindur se qeveria demokratike po e përdorë figurën e Nënë Terezës me pikësynimin për ta kthyer atë në një figurë mitike fetare duke u përpjekur t’i japin Shqipërisë një pamje të krishterë. Në këtë kuadër duhen parë edhe festimet që u organizuan në dhjetëditëshin e kësaj zoje të nderuar, të cilat kulmuan me vendosjen e një busti të saj që ka pamjen e qartë të kryqit në aeroporti e Nënë Terezës, sikur të mos mjaftonte emri që ka ky aeroport.

Shoqatat muslimane në Shkodër, i kujtojnë qeverisë demokratike se kushtetuta jonë kërkon qartë qe të respektohen të gjitha fetë dhe jo të ketë njëanshmëri në trajtimin e tyre, siç është rasti i dhënies së kartës së identitetit të një ngjyre të krishterë.

Propoganda mediatike dhe shtetërore, që përpiqet të na bindë se Nënë Tereza ishte vetëm bamirëse, janë thjeshtë abuzive, pasi Nënë Tereza ishte një misionare bamirëse dhe misioni i saj ishte një investim direkt për qendrën e religjonit të cilit ajo i përket dhe është pikërisht kjo qendër që e lumturoi dhe po e shenjtëron për kryerjen me sukses të misionit që kjo qendër ia pat ngarkuar.

Përpjekjet që po bëhen për të çuar shqiptarët  në Evropë me karta të krishterë, janë në kundërshtim me pohimin e presidentin Bush dhe të eurodeputetes Doris Pak, që kanë theksuar se Shqipëria ka popullsi me shumicë muslimane, e cila nuk i pengon shqiptarët për t’u integruar në Evropë. Veprimi që po bën qeveria shqiptare duke u përpjekur t’u jap qytetarve të saj një kartë, ku është vendosur figura e një shenjtoreje katolike i jep një goditje të ashpër tolerances fetare në Shqipëri dhe u heq maskën e hipokrizisë atyre pushtetarve që flasin për tolerance fetare, ndërsa në terren veprojnë ndryshe.

Në Itali ku ka selinë qendra botërore e krishterizmit, Vatikani, qytetarët kanë një kartë identiteti që nuk ka simbole fetare por ka një flamur italian dhe nje flamur të Evropës se Bashkuar. Por kur shohim përpjekjet që bëhen në Shqipëri, ne dyshojmë për një prapavijë fetare në hartimin e një karte të tillë identiteti për qytetarët shqiptarë.

Shoqatat muslimanë të Shkodrës e quajnë shumë të rendësishëm një deklarim mediatik që duhet të bëjë me këtë rast edhe Kryesia e KMSH-së për kartën e identitetit, sepse çështja e kartës ka të bëjë me mbrojtjen e identitetit të muslimanëve shqiptarë, për të cilin kryesia e KMSH-së, është e obliguar nga statusi i saj të prononcohet. Duke dalë me një deklaratë të tillë, do t’i pritej rruga mediave që spekullojnë duke deklaruar se Kryesia e KMSH-së është në një linjë me qeverinë demokratike për një kartë identiteti me figuren e një shenjtoreje katolike.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë demokratike, që të rishikojë projektin e kësaj karte dhe të japë në media një model të ri të kartës së identitetit për qytetarët e saj, e cila duhet të respektojë karakterin laik të shtetit shqiptar, që është i përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

nga Shkodra:

Shoqata Bamirëse Shkodër,

Shoqata e Intelektualëve Kultura Islame,

Forumi Musliman i Shqipërisë, dega Shkodër,

Klubi Kulturor Drita