FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

Forumi Musliman ankohet kundër vendimit të prokurorisë

Tiranë 25/10/2010

Lënda: Ankim kundër Vendimit për Mosfillimin e Procedimit Penal datë 18/07/2010,

Nr. 3864 të vitit 2010

Drejtuar: Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë 

Ankuesi: Forumi Musliman i Shqipërisë, përfaqësuar nga Fisnik Kruja, kryetar.

Objekti i ankimit: Anullim të Vendimit për Mosfillimin e Procedimit Penal në adresë të shtetasit Kastriot Myftaraj. Rifillimi i hetimit kundër Kastriot Myftarajt për konsumim të veprës penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, “Thirrje për urrejtje nacionale” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 256, 266 e 267 të K. Penal.

Forumi Musliman i Shqipërisë me datë 20/10/2010 është njoftuar nëpërmjet postës, me shkresën nr. 3864 Prot. date 15/10/2010 për Vendimin e Mosfillimit të Procedimit Penal datë 18/07/2010 për kallëzimin penal nr. 3864 të vitit 2010, dërguar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Forumi Musliman i Shqipërisë më 18/06/2010 ka bërë një denoncim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, regjistruar me materialin kallëzues Nr. 3864, ku kërkohet procedimi penal i shtetasit K. Myftaraj për akuzat e paraqitura më sipër.

FMSH pasi shqyrtoi me vëmendje përgjigjen e prokurorisë, dhe pezullimin e çështjes për mosfillim të ndjekjes penale nga ana e saj në adresë të shtetasit K.Myftaraj, nuk e gjen atë të argumentuar ligjërisht dhe të mbështetur në fakte bindëse.

Sipas përgjigjes së prokurorit të çështjes z. Arben Qosja shkrimet e Kastriot Myftarajt u bëjnë një analizë dhe një hulumtim historisë se si besimi mysliman hyri në Shqipëri. Kështu që sipas prokurorit konkluzionet që nxjerr artikullshkruesi në fjalë edhe pse bien ndesh me fenë myslimane ato nuk bien ndesh me ligjin “Për Shtypin”.

Së pari, ju bëjmë me dije se FMSH në kallëzimin e saj penal ka paraqitur të detajuar duke cituar të gjitha fjalët e K. Myftarajt, të cilat nuk merren me shqyrtimin sesi ka hyrë feja islame në trojet shqiptare, por përkundrazi ai propozon teknika dhe strategji sesi feja islame duhet të zhduket dhe largohet nga këto troje, duke nisur që nga nxjerrja e saj jashtë ligjit, mbylljen e xhamive dhe deri nëse është nevoja të një luftë të armatosur preventive ndaj besimtarëve të saj “radikalë” siç i quan ai, të cilëve ai u mohon duke i fyer edhe kombësinë e tyre shqiptare, vetëm e vetëm pse ata dhe të parët e tyre kanë pranuar fenë islame.

Së dyti, Kastriot Myftaraj, një seri shkrimesh të tij në gazetën “Sot” nuk merret me shqyrtime historike të ardhjes së Islamit në Shqipëri, por me fyerjen e shenjtërive të kësaj feje, siç janë fjalët e tij ku i adresohet Profetit të Islamit si “qen” dhe “ezanit” thirrjes periodike të faljes, si “qenlehje” si dhe mjaft fyerje dhe fjalë të ulëta që ai përdor ndaj fesë së bashkombësve të tij.

Kuptohet qartë që arsyetimi i prokurorit nuk qëndron, pasi ligji për shtypin nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetuten e Republikës së Shqipërisë, me Kodin Civil dhe atë Penal si dhe me Konventat Ndërkombëtare të nënshkruara nga Shteti Shqiptar. Duke u bazuar në këto dokumenta themelore, askush nuk ka të drejtë që duke abuzuar me lirinë e shprehjes dhe të shtypit, të shajë dhe ofendojë atë çka është e shenjtë për cilindo shtetas e aq më tepër për një besimtar dhe madje të nxjerrë përfundime të cilat shkaktojnë urrejtje ndërnjerëzore dhe mund të nxisin akte të pakontrolluara emocionale që prishin paqen publike.

Fakti që në Shqipëri nuk kanë ndodhur ngjarje të dhunshme, si ato që ndodhën në disa vende evropiane, pas publikimit të disa karikaturave fyese në adresë të Profetit të Islamit, tregon në radhë të parë për maturinë dhe tolerancën që myslimanët shqiptarë kanë treguar ndër shekuj dhe tregojnë edhe sot e kësaj dite, dhe ky është një fakt nga i cili Kastriot Myftaraj përfiton në mënyrë abuzive, duke shkelur me këmbë dhe përdhosur me vetëdijen e një provokatori këta besimtarë.

Së dyti, fakti që Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe Forumi Musliman i Shqipërisë bënë një denoncim penal ndaj shtetasit në fjalë,  i cili u bë edhe publik, ka ndikuar pozitivisht në qetësimin e revoltës së brendshme që shkaktuan në shpirtrat e besimtarëve, fyerjet dhe ofendimet e K. Myftarajt. Besimtarët myslimanë ndonëse të revoltuar tej mase shpresuan dhe vazhdojnë të shpresojnë se shteti ligjor do të vihet në lëvizje për këtë shkelje flagrante, që i bëhet kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga ky njeri dhe kjo është arsyeja e dytë pse deri më sot nuk kemi pasur asnjë akt dhunimi ndaj personit në fjalë.

Duke u nisur nga argumentat e sipërpërmenduara Forumi Musliman i Shqipërisë kërkon nga ajo Gjykatë anullimin e Vendimit për Mosfillimin e Procedimit Penal të datës 18/07/2010 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë për kallëzimin penal nr. 3864 të vitit 2010 ndaj shtetasit Kastriot Myftaraj dhe rifillimin e hetimit bazuar në padinë penale të kërkuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë.

Forumi Musliman i Shqipërisë shpreson fort që organet e drejtësisë do të bëjnë detyrën e tyre duke marrë parasysh faktin që shkrime urrejtjenxitëse si ato të Kastriot Myftarajt venë në rrezik të madh paqen publike.

Së fundi Forumi Musliman i Shqiperise rezervon të drejtën që në seancën e parë gjyqësore të paraqesë materiale më të detajuara, në lidhje me rifillimin e hetimit që ka lidhje me padinë tonë penale, në adresë të shtetasit Kastriot Myftaraj.

Me konsideratë të lartë:

Fisnik KrujaKryetar