FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË – Figurat e shquara muslimane dhe 100-vjetori i Shtetit Shqiptar
30/11/2012
Në ditët që shkuan të festimeve mbi 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe
ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë u ndërmorën shumë iniciativa,
festime e dekorime të figurave të ndryshme vendore e kombëtare. Megjithëse hoxhallarët
shqiptarë kanë dhënë një kontribut të vyer që nga momenti i ngritjes së
flamurit të pavarësisë në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera, si dhe në vitet e
mëpasme në vijim, ku dallojnë emrat e H. Vehbi Dibrës, H. Sherif Langut, H. Ali
Korçës, H. Ismail Ndroqit, H. Ibrahim Repishtit, H. Ibrahim Dalliut, H. Xhemal
Naipit, H. Kadri Prishtina etj., asnjë prej tyre nuk u përmend në të gjitha
këto festime.
Asnjë prej këtyre hoxhallarëve patriotë, të cilët nuk e ndanë nga jeta e tyre
binomin “Fe e Atdhe”, nuk mori qoftë edhe një medalje të zakonshme si
mirënjohje e këtij kombi për të gjithë atë punë të kryer në dobi të Shtetit
Shqiptar dhe të Çështjes Kombëtare.
Ishin këta hoxhallarë që kishin marrë mbi supet e tyre udhëzimin e njerëzve si
mësues shpirtërorë, por që nuk e harruan për asnjë moment në punën e tyre
fisnike atdheun tonë si pjesë të amanetit hyjnor. Ishin hoxhallarët tonë që
luftuan qysh në ditët e para të Rilindjes Kombëtare krahas intelektualëve e
politikanëve tonë të mëdhenj. Së bashku me ideologun e shquar rilindas Sami
Frashërin ishte mulla Haxhi Zeka ai që rroku armët për ta vënë në jetë
bashkimin e vilajeteve shqiptare në një. Së bashku me Ismail Qemal bej Vlorën
ishte H. Vehbi Dibra që ngriti flamurin në Vlorë e luftoi kundër serbo-malazezëve.
Me keqardhje vërejmë, se është kthyer në tendencë për të heshtur ndaj kontributit të tyre të jashtëzakonshëm pikërisht në ato ditë kur shteti i sapongritur shqiptar kishte nevojë për mbështetjen e tyre, e cila iu dha pakursyer prej tyre. Ju kujtojmë këtu mbrojtjen e Shkodrës nga serbo-malazezët, si dhe H. Ibrahim Repishtin, H. Sabri Bushatin e shumë hoxhallarë të tjerë që morën armët dhe i dolën në mbrojtje.
Në ditët më të vështira për Shtetin e sapongritur Shqiptar në
vitin 1912 ishte H. Sherif Langu, që luftoi kundër serbit në Dibër, dhe po ky
njeri dënohej me burgim nga regjimi komunist jo shumë larg në vitin e trishtuar
1945. Ishin tre hoxhallarë të shquar që kontribuan në kryeqytetin e Shqiptarëve
Tiranën në vitet më të vështira të Luftës parë Botërore e menjëherë pas, Zyber
efendi Hallulli, Ismail efendi Ndroqi e Ali efendi Dërhemi. I vyer është
kontributi i H. Ali Korçës e H. Ibrahim Dalliut për arsimin kombëtar dhe
alfabetin latin, e ky i fundit edhe në gazetari.
Për këto kontribute që përmendëm, si dhe shumë të tjera, të cilat janë
evidentuar tashmë nga botime të ndryshme historike e enciklopedike asnjë prej
tyre nuk ka marrë mirënjohjen e Shtetit Shqiptar në këto festime të bujshme të
100 vjetorit.
Kontributi i tyre është themelor për kauzën shqiptare, ashtu siç
ishte themelor edhe për Kosovën, ku me armë në dorë luftoi Mulla Idriz Gjilani
e shumë të tjerë, e po ashtu në konfliktin e fundit në Kosovë në radhët e
UÇK-së u radhitën shumë imamë e medresantë të Medresesë Alaudin të Prishtinës.
Të gjithë këtyre figurave Shqiptarët duhet t’iu jenë mirënjohës, dhe po ashtu
edhe Shteti Shqiptar duhet të shprehi mirënjohjen e vet nëpërmjet
institucioneve të tij qendrore Presidencës, Kuvendit, Qeverisë e Bashkive të
ndryshme në të gjithë vendin.
Forumi Musliman i Shqipërisë