FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

02-qershor-2010

FMSH dënon sulmin terrorist të komandove izraelite 

Forumi Musliman i Shqipërisë mësoi me tronditje dhe indinjatë për sulmin terrorist të komandove izraelite ndaj një flote humanitare me vullnetarë nga 33 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila në mbrëmjen e 31 Majit 2010 po dërgonte ndihma humanitare dhe rindërtuese për banorët e vuajtur e të shtypur të Rripit të Gazës. 

Gjatë këtij sulmi të paprecedent për botën e qytetëruar u vranë rreth 19 aktivistë humanitarë si edhe u plagosën rreth 30 të tjerë, duke e kthyer këtë iniciativë humanitare në një tragjedi jo vetëm për anëtarët e kësaj flote, por për të gjithë ata që shpresonin në një zgjidhje paqësore si dhe në ç’bllokimin e embargos izraelite ndaj popullit palestinez të Rripit të Gazës.

Forumi Musliman i Shqipërisë dënon me forcë këtë akt barbar, si dhe u kërkon autoriteteve izraelite të bëjnë transparencën e kësaj ngjarjeje duke nxjerrë edhe përgjegjësit.

FMSH përshendet deklaraten e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila e cilëson këtë sulm si të pajustifikueshëm, si dhe i bashkohet protestës së mbarë komunitetit ndërkombëtar, Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për ngjarjen në fjalë.

Ne besojmë se akte të tilla të cilat janë bërë të zakonshme nga forcat izraelite në krye të çdo përpjekjeje për bisedime apo për ulje në tavolinë, provojnë faktin  se shteti izraelit nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme.   FMSH beson se një qëndrim rigoroz  nga ana e OKB-së dhe organizmave të tjera ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje,  do të garantojë  që e drejta ndërkombëtare të funksionojë dhe të mos ngelet peng e grupimeve të caktuara në kurriz të të tjerëve.