FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

Su: FMSH denoncon përpjekjet për përçarje fetare nga Partia Demokristiane

29-janar-07

Forumi Musliman i Shqipërisë deklaron se Partia Demokristiane me kandidimin e muftiut të Lezhës, Tomorr Ballabani, për postin e kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, i ka provokuar rëndë muslimanët e Shqipërisë.

Forumi Musliman i Shqipërisë konstaton me keqardhje dhe shqetësim se lejimi i veprimtarisë së një partie me afishim të dukshëm fetar, siç është Partia Demokristiane, është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe cënon karakterin laik të shtetit shqiptar, duke krijuar preçedentin i cili mund të çojë në ndarjen e popullit shqiptar sipas përkatësisë fetare.

Meqënëse ky ka qënë edhe një nga qëllimet e hershme të armiqve të kombit shqiptar, lejimin e Partisë Demokristiane, ne e konsiderojmë si një aksident të rëndë historik për vendin.

Themeluesit e shtetit të pavarur shqiptar i janë shmangur me mençuri këtij rreziku duke gjetur mbështetje të gjerë nga shumica e shqiptarëve.

Ndërsa Partia Demokristiane ka qënë deri më tani një parti e vogël dhe pa ndonjë peshë, me trafikun e paskrupullt të deputetëve që ajo ka kryer kohët e fundit, po çon në rrezikun e fuqizimit të saj, faktor që mund të krijojë përçarje fetare në vend.

Partia Demokristiane për të fshehur karakterin e saj si parti me orientim fetar, ka rekrutuar edhe ndonjë ateist me origjinë muslimane në gjirin e saj. Por me rekrutimin dhe kandidimin skandaloz të myftiut të Lezhës, ajo e ka trashur shumë zullumin. Për me tëpër ajo ka dëmtuar rëndë veten dhe koalicionin e djathtë ku aderon, pasi popullsia muslimane e Rrogozhinës ndjehet e provokuar dhe e fyer rëndë, kur një klerik i lartë musliman është bërë gati të ftojë muslimanët e Rrogozhinës që të votojnë për vlerat kristjane të PDK-së, ndërkohë që ai e ka për detyrë të predikojë vlerat islame. Forumi Musliman i Shqipërisë i apelon parlamentit shqiptar dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë si garant i Kushtetutës dhe unitetit të shtetasve, që të marri nismat e nevojshme ligjore për anullimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë, si një forcë politike problematike për të ardhmen e vendit.