Deklaratë për Shtyp 

FMSH dhe shoqatat muslimane, indinjohen nga islamofobia dhe racizmi i Ben Blushit
28 – Prill – 08
Shoqatat Muslimane të Shqipërisë kanë përcjellë me keqardhje dhe indinjatë botimin e romanit të Ben Blushit “Të jetosh në ishull” dhe bujën mediatike me të cilën u shoqërua ai.

Ndonëse tinëzisht në promovimin e tij libri u paraqit si një vepër që flet për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë, nga leximi i tekstit dhe komentet që janë bërë rreth tij në shtyp rezulton krejt e kundërta. I gjithë libri karakterizohet nga fryma e përbuzjes ndaj fesë Islame në veçanti, si dhe ndaj vlerave dhe simboleve të tërë kombit shqiptar në përgjithësi.

Së pari, vepra shfaq një mori të pavërtetash dhe pasaktësishë për fenë Islame duke dhënë kësisoj një imazh të deformuar saj. Në roman libri i shenjtë i muslimanëve, Kurani, quhet libër i ndalimit. Aty thuhet se ai është shkruar nga vetë Muhamedi dhe nuk është revelatë (zbritje hyjnore). Libri shfaq gjithashtu paragjykime për mjaft çështje fetare duke i keqinterpretuar ato si dhe duke i veshur Islamit parime dhe pikëpamje që nuk kanë të bëjnë me të.

Së dyti, vepra shfaq një mungesë të madhe etike, duke fyer vlerat humane, besimin dhe simbolet fetare. Autori tallet jo vetëm me disa prej praktikave dhe ritualeve të fesë Islame, por ai nuk ngurron të njollosë edhe vetë figurën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) duke e përshkruar  atë me terma fyes.

Në këtë roman ofendohen në mënyrë të veçantë muslimanët shqiptarë, të cilët cilësohen si tradhtarë të krishterimit, dhunues të të krishterëve, barbarë, banditë, të paqytetëruar, përdhunues e të pabesë. Romani në fjalë është shumë shqetësues edhe për racizmin që ai shfaq për popuj dhe etni të tjera.

Së treti, vepra deformon historinë e popullit shqiptar, duke ofruar një perspektivë negative e cila cenon vlerat  si dhe figurat historike simbol të tij.

Shoqatat muslimane të Shqipërisë gjykojnë se kjo vepër prodhon efekte negative dhe tejet provokuese në shoqërinë shqiptare. Ajo fyen në mënyrë të qëllimtë atë çka është më e shenjtë për një besimtar – fenë e tij, e duke nxitur  kësisoj urrejtjen ndërmjet shtresave të popullsisë me fe të ndryshme, godet një nga vlerat më të spikatura të kulturës shpirtërore të shqiptarëve – bashkëjetesën në harmoni ndërmjet feve, ku muslimanët kanë pasur dhe kanë rol vendimtar.

Të ndërgjegjshëm për të drejtën kushtetuese të shprehjes së lirë si edhe për lirinë e krijimit artistik, theksojmë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një vepër letrare të radhës, duke qenë se autori Ben Blushi nuk mund të gjykohet pandashmërisht nga pozicioni i tij qendror në jetën politike të vendit, pozicion ky i cili i siguron romanit vëmendjen maksimale të opinionit publik. Nënvizojmë gjithashtu se botëkuptimi i autorit në fjalë nuk mund të kuptohet ndaras pozicionit dhe botëkuptimit të tij si politikan.

Autorit Ben Blushi, ndonëse ligjvënës i njërës prej dy forcave kryesore politike të vendit, Partisë Socialiste, i zgjedhur në parlamentin shqiptar me vota edhe të shumë muslimanëve, nuk i ka shkuar ndërmend se fryma që përçon romani i tij në mënyrë të dukshme kundërshton vlerat themelore të Kushtetutës së Shqipërisë, në preambulën e së cilës ndër të tjera deklarohet:

“Ne Populli i Shqipërisë, krenar dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti…

me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,

me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin  për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor… për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror,

me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…

VENDOSIM KËTË KUSHTETUTË: …”

Duam t’i kujtojmë z. Blushi dhe atyre që mund të jenë me një mendje me të se feja Islame është feja e pjesës më të madhe të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Republikën e Shqipërisë, në trojet etnike si dhe në diasporë. Ajo është pranuar prej tyre pas një procesi të gjatë historik dhe tashmë është bërë një pjesë e rëndësishme e identitet të tyre shpirtëror e kombëtar. E parë në këtë këndvështrim, çdo sulm ndaj fesë islame nuk mund të mos prekë vetë kombin shqiptar.

Shqetësimi ynë më i madh është se vepra si kjo e Ben Blushit furnizojnë me municion të bollshëm armiqtë historikë të shqiptarëve. Pas arritjeve madhore të faktorit shqiptar, si realizimi i pavarësisë së Kosovës, pranimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva e saj e qartë evropiane, qarqeve antishqiptare u ka mbetur tashmë vetëm një armë në dorë: t’i përçajë shqiptarët duke i ndërsyer ata kundër njeri-tjetrit. Kësisoj, duke helmuar klimën e bashkëjetesës fetare ndërmjet tyre i bëhet një shërbim i çmuar këtyre qarqeve.

Duke u ndjerë të fyer dhe të provokuar nga kjo vepër, shoqatat muslimane i bëjnë thirrje shoqërisë civile, opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, mediave dhe shtetit shqiptar si dhe kujtdo që ndjehet krenar për historinë dhe vlerat e popullit të vet, të distancohen nga teza e pikëpamje të tilla që krijojnë precedentë të dëmshëm për bashkëjetesën shoqërore dhe nxisin racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë në Shqipëri.

Do të ishte gjithashtu një detyrim etik për forcën politike ku autori militon, si dhe për anëtarët e tjerë të parlamentit shqiptar, të distancohen nga këto pikëpamje, të cilat kërcënojnë harmoninë e brendshme të shoqërisë sonë.

Më poshtë vijon lista e shoqatave nënshkruese të kësaj deklarate

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
SHOQATA SELVIA
SHOQATA RINIA E SE ARDHMES
QENDRA PER BASHKEPUNIM NDERKOMBETAR
SHOQATA KULTURORE ARDHMERIA
QENDRA STUDIMORE ERASMUS
SHOQATA BAMIRESE ISLAME SHKODER
KESHILLI SHQIPETAR PER MARREDHENIE ISLAMO – EUROPIANE
KLUBI KULTUROR DRITA
KLUBI KULTUROR OAZ

_______________________________________________________

Njoftim për editorët:

Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilës është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë.

Te drejtat e rezervuara. Forumi Musliman i Shqipërisë