FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

13-maj-06

Forumi Musliman i Shqipërisë, përshëndet vendimin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për pranimin e pesë qytetarëve muslimanë kinezë, të etnisë ujgure, të cilët kanë ardhur në Shqipëri më 5 maj 2006 për të kërkuar strehim politik. Duke shprehur keqardhjen për vuajtjet që këta individë kanë kaluar në kampin e Gjirit të Guantanamos në Kubë, Forumi shpreh kënaqësinë që autoritet amerikane kanë pranuar pafajsinë e tyre dhe kanë vendosur t’u japin lirinë.

Pavarësisht nga kostot politike që strehimi i qytetarëve ujguro – kinezë mund të ketë për shtetin shqiptar, Forumi, është i mendimit që do të ishte në nderin e shtetit dhe kombit tonë, që azilkërkuesit në fjalë t’i trajtojë në mënyrën më dinjitoze të mundshme, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që shteti ynë ka firmosur.

Qeveria e Shqipërisë ne vendimin e saj duhet të ketë në vëmendje edhe raportin e organizatës Human Rights Watch të vitit 2005, sipas të cilit drejtori i saj për Azinë, Brad Adams, rekomandon që:

“Asnjë vend nuk duhet të kthejë në Kinë ndonjë ujgur, që kërkohet nga Kina me supozimin se ata janë përfshirë në akte terroriste, seperatiste apo kriminale… pasi preçedentet e kaluara të Kinës, të detyrojnë të besosh se personat në fjalë do të torturohen apo edhe dënohen me vdekje nëse shkojnë sërisht në Kinë”

Nëse do të ndodhte një gjë e këtillë, kjo do të ishte në kundërshtim të plotë me etnopsikozën e shqiptarit i cili në asnjë rast në historinë e tij shekullore, nuk e ka prerë në besë nevojtarin që ka trokitur për mbrojtje, pa marrë parasysh, racën, fenë apo kombësinë e tij, pavarësisht nga rreziku që mund të përballonte.

Forumi Musliman i Shqipërisë, është i mendimit se ashtu si gjatë Luftës së Dytë Botërore apo edhe më parë, kur shqiptarët kanë strehuar hebrejtë por edhe popuj të tjerë të rrezikuar, do të ishte në nderin e muslimanëve të Shqipërisë dhe të gjithë shtetasve të tjerë të republikës sonë, që miqtë tanë ujgurë të gjejnë në Shqipëri të gjithë mikpritjen e merituar.

Forumi, fton Qeverinë Shqiptare që në vendimin e saj të ketë në konsideratë faktet e sipërpërmendura.