FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp / ARKIV
FMSH refuzon marrëveshjen e Këshillit të Ministrave dhe Komunitetit Musliman të Shqipërisë
12 – Prill – 08
Forumi Musliman i Shqipërisë pas një konsultimi të gjerë me teologë dhe juristë, shpreh shqetësimin e tij lidhur me marrëveshjen e hartuar midis Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe Shtetit Shqiptar, të diskutuar së fundmi në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh mospajtimin e tij lidhur me mënyrën se si është hartuar kjo marrëveshje si dhe lidhur me përmbajtjen e saj, e cila jo vetëm që nuk përfaqëson muslimanët shqiptarë në një shkallë të gjerë, por as nuk mbron interesat e tyre.
Së pari Forumi Musliman i Shqipërsisë vëren se marrëveshja nuk ka qenë objekt i një konsensusi më të gjerë të muslimanëve në Shqipëri, si dhe nuk është diskutuar me të gjitha grupet e interesuara, të cilët kjo marrëveshje i përfshin në mënyrë direkte. Marrëveshja nuk ka qenë madje aspak objekt diskutimi as në forumet përkatëse të KMSH-së, por ajo është hartuar krejtësisht në heshtje nga drejtues të lartë të saj, pa marrë asnjë miratim prej këtyre organeve. Kjo gjë cënon në mënyrë direkte legjitimitetin e kësaj marrëveshjeje, për sa kohë që palët e interesuara dhe të prekura prej saj nuk janë përfshirë në të, dhe nuk është kërkuar asnjë mendim apo miratim prej tyre. Forumi Musliman i Shqipërisë thekson se nuk duhet të ketë marrëveshje, kur palët e përfshira në të nuk janë në dijeni të saj, si dhe nuk janë pjesëmarrës në hartimin apo miratimin e saj.
Së dyti, Forumi Musliman i Shqipërisë vëren se teksti i marrëveshjes në shumë pika të tij është i paqartë dhe evaziv, duke krijuar mundësinë e keqinterpretimeve, si dhe abuzimeve. Në këtë mënyrë ajo nuk krijon kushtet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet komunitetit të gjerë të muslimanëve dhe shtetit.
Së treti, kjo marrëveshje krijon mundësinë e tejkalimit të kompetencave të shtetit shqiptar, duke krijuar precedentë të ndërhyrjes së shtetit në çështjet e fesë. Kjo gjë është në kundërshtim edhe me karakterin laik të shtetit shqiptar, në të cilin ai është i ndarë nga feja, dhe të dyja palët nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit.
Së katërti, kjo marrëveshje cënon frymën gjithëpërfshirëse brenda Komunitetit Musliman, duke i dhënë mbështetje dhe pushtet absolut vetëm drejtuesve të lartë të KMSH-së.
Së pesti, kjo marrëveshje, në disa pika të saj, dhunon të drejtat legjitime të njeriut, për të ushtruar praktika rituale, sipas mënyrës që ai beson. Në këtë drejtim, ajo krijon precendencën e dhunimit të pluralitetit në lidhje me ushtrimin e ritualeve fetare, karakteristikë e pranuar botërisht në Fenë Islame.
Në këtë mënyrë Forumi Musliman i Shqipërisë e shikon të domosdoshme që miratimi i kësaj marrëveshje të shtyhet, dhe ajo të miratohet vetëm pas një konsensusi më të gjerë midis forumeve të KMSH-së, teologëve, si dhe një rrethi më të gjerë besimtarësh. Në të kundërt miratimi i kësaj marrëveshjeje do të ishte në dëm të përmirësimit të marrëdhënieve të komunitetit të besimtarëve muslimanë në Shqipëri, si dhe në dëm të qëllimeve për të cilat lidhet kjo marrëveshje. Gjithashtu, miratimi në këtë mënyrë i kësaj marrëveshjeje, do të bënte që pjesa dërrmuese e muslimanëve në Shqipëri të ndjeheshin të përjashtuar prej saj, si dhe të ndjeheshin të papërfaqësuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë. Forumi Musliman i Shqipërisë është duke e ndjekur me vëmendje zhvillimin e këtij proçesi, si dhe është duke u konsultuar në mënyrë më të gjerë lidhur me sugjerimet e mundshme për ndryshimin e saj, të cilat do të bëhen publike në vijimësi.