FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV
FMSH shprehet vendosmërisht kundër paradës LGBT në Tiranë
27/03/2012
Forumi Musliman Shqiptar, si zëri dhe tribuna e mendimit të mijëra besimtarëve dhe intelektualëve muslimanë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, nuk mund të mos shqetësohet nga iniciativa e bërë publike nga organizata LGBT Pro Albania, e cila ka marrë përsipër të realizojë një manifestim gjatë datës 17 Maj, duke e transformuar këtë si dita tashmë tradicionale e homoseksualëve në Shqipëri. FMSH në thelb është një organizatë e shoqërisë civile, e cila është e vendosur në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira njerëzore e për rrjedhojë edhe kombëtare. Për këtë arsye Ne e shohim të papranueshme dhe shoqërisht të dëmshme shfaqjen në publik përmes manifestimeve të hapura të një deviance seksuale, siç është homoseksualizmi, e cila ka prodhuar dhe prodhon shembullin konkret se si shoqëria njerëzore nuk duhet të jetë.
Dekadenca e individit e shprehur përmes homoseksualizimit si akt, si dhe dekadenca përmes tentativave, të cilat duan të homoseksualizojnë perceptimin publik, edukimin e brezit të ri, si dhe të sjelljes kolektive në përgjithësi, janë të papranueshme dhe qartësisht të dënueshme nga Forumi Musliman i Shqipërisë.
Ne si grupim i shoqërisë civile muslimane në Shqipëri, bashkohemi me reagimin e drejtë të krerëve të disa partive të spektrit politik shqiptar, në refuzimin që ata i bëjnë mbajtjes së një aktiviteti të tillë, si dhe të çdo veprimtarie publike, e cila dëmton dhe devijon moralin e familjen nga përcaktueshmëria hyjnore.
Ne mendojmë se institucione si Avokati i Popullit apo edhe Komisioneri Anti-Diskrimin, duhet që në punën tyre të përditshme ta kenë të qartë, se shërbimi i tyre ndaj qytetarëve nuk reduktohet në shërbimin ndaj një grushti njerëzish, por në të njëjtën kohë ata kanë detyre edhe të mbrojnë dinjitetin, nderin dhe lirinë e pjesës më të madhe të popullsisë shqiptare, e cila e refuzon praninë publike të homoseksualëve në shoqërinë tonë.
FMSH është pro çdo tubimi, manifestimi, i cili buron nga e drejta që sistemi demokratik u jep qytetarëve të vet. Por FMSH kundërshton çdo formë private e publike, e cila vë në diskutim vetë statusin e të drejtës natyrore të qenies njerëzore, si shkaktare e pasojave shumë të dëmshme për qytetarët dhe brezin e ri. FMSH i rikujton Qeverisë Shqiptare, si dhe institucioneve të shtetit, se integrimi ynë në strukturat e BE-së është një ndër prioritet thelbësore për të ardhmen tonë, por morali shoqëror, familja dhe religjioni kanë qenë, mbeten dhe do të jenë prioriteti i prioriteteve tona.