FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
DEKLARATË PËR MEDIA / ARKIV
FMSH tërheq Kryetarin e vet nga posti i këshilltarit në KMSH. 14/03/2012
Lënda: Njoftim për largimin e
kryetarit të FMSH-së si këshilltar i kryetarit të KMSH-së
Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
Tiranë
Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, që në
princip të saj ka bashkëpunimin me të gjitha shoqatat muslimane dhe
jo-muslimane. Me një frymë konstruktive para dy vitesh ne u afruam me
institucionin e KMSH-së, duke shpresuar thellësisht në një frymë të re
bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje me baza islame. Ngjarjet e fundit te Xhamia
e Medresesë, shqetësimin për të cilat ne e kemi shprehur para pak ditësh me një
deklaratë të posaçme, po tregojnë se ky bashkëpunim ka qenë në interes të
dekorit artificial, që i është nevojitur personave të Stafit, që drejtojnë
tashmë institucionin e KMSH-së, dhe me një prapavijë të qartë për të thelluar
bunkerizimin e këtij institucioni, çka ka sjellë vazhdimësinë e politikave
përçarëse ndërmjet tij e besimtarëve, e vazhdon të dëmtojë imazhin e Islamit në
Shqipëri.
Për të mos qenë më pjesë e këtij dekori artificial, Forumi Musliman i
Shqipërisë, në mbledhjen e radhës vendosi të tërheqë Kryetarin e tij, z. Fisnik
Kruja nga posti i këshilltarit të Kryetarit të KMSH-së, dhe kjo do të vazhdojë
kështu deri në hapa konkrete të Institucionit për një bashkëpunim të vërtetë,
jo vetëm me Forumin Musliman, por me të gjithë faktorët brenda xhematit
musliman. Vendimet e fundit në lidhje me Xhaminë e Medresesë dhe këmbëngulja e
Stafit po tregojnë qartë, se nuk kemi më një frymë të re bashkëpunimi, por
KMSH-ja me hapat mbrapa po bëhet akoma më këmbëngulëse drejt një bunkerizimi
dhe izolimi ndaj besimtarëve. Ne nuk e humbim asnjëherë shpresën, që ky
institucion u përket besimtarëve dhe shpresojmë që kjo të shërbejë si një
reflektim, pasi koha ka treguar që izolimi ka sjellë vetëm dështim dhe tension.
Ne
shpresojmë që drejtuesit e sotëm të KMSH-së të bëjnë sa më shpejt atë çka është
më e mira për besimtarët, të cilët ata mëtojnë se i përfaqësojnë dhe të
shmangin përplasjet që kanë karakterizuar marrëdheniet midis KMSH-së dhe
besimtarëve në të kaluarën.