ISLAMOKRACIA DHE ISLAMOFOBIA SI DËMTUES TË FESË ISLAME NË KOSOVË
Prof. Dr. Milazim KRASNIQI
Pjesa e DYTË
Akterët që provokojnë tjetërsimin e muslimanëve
E dyta, adresa e akterëve që ushtrojnë presionin mbi muslimanët në Kosovë, duket si enigmë, meqë luhet si me top të pingpongut ndërmjet institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Kur institucioneve të vendit iu duhet të fshehin veprimet e veta islamofobike, lëshojnë fjalë, se këto masa po i kërkuakan “miqtë tanë”, kryesisht amerikanë. Dhe ashtu e fshehin dorën e vet, edhe nëse me të e kanë hedhur gurin. E treta, segmentë me ndikim të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, duket se ushtrojnë vërtet presion mbi insititucionet e vendit, për të mbajtur nën presion Fenë Islame, nga paranoja që kanë, se gjoja liria më e madhe e besimtarëve muslimanë mund të prodhojë ekstremizëm.
Në një rast të tillë ata konsumojnë përvoja nga vende e kultura të tjera, kryesisht të Azisë e të Afrikës, por që realisht nuk kanë asnjë bazë në zhvillimet në vendin tonë. E katërta, vetë organizimi dhe funksionimi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk ka krijuar kapacitetet e nevojshme, që të shihet e të pranohet si partner i besueshëm nga ana e institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare. Modeli i organizimit të saj vazhdon të jetë ai që ka qenë, edhe në ish-Jugosllavinë komuniste, dhe në kohën e okupimit të vendit, pa aplikuar asnjë reformë në rrethanat e reja të lirisë së tij.
Edhe zhvillimet e fundit në këtë bashkësi, lidhur me ndërrimin e termave të dokumentit bazë të organizimit, për ta cimentuar mosndryshimin, janë një zhvillim që e rrit dyshimin dhe mosbesimin në qëllimet e krerëve të saj. Prandaj në këtë sfond të muzgët, ku statusi i privilegjuar i ortodoksëve serbë duhet të maskohet, i katolikëve afirmohet si “patriotik”, ndërsa organizimi i institucionit përfaqësues të muslimanëve është shndërruar në një front të luftës për pushtet, ku përdoren edhe elementë ekstremistë, liritë dhe të drejtat fetare të shumicës së besimtarëve, duken potencialisht të cënuara.
Në këtë ambient psikologjikisht represiv, është lancuar ideja, se kjo shkallë e lirive dhe e të drejtave fetare, që i gëzojnë muslimanët në këtë shtet, është dhuratë nga zemërgjerësia e jomuslimanëve, e nuk janë liri dhe të drejta, që atyre iu takojnë në mënyrë të patjertërsueshme nga Kushtetuta e vendit, dhe ligjet e tjera të këtij shteti. Kjo është mënyra e menduar nga strategët islamofobë, për të imponuar tjetërsimin e muslimanëve, për t’ua imponuar kompleksin e inferioritetit, dhe prej andej për të hapur ndonjë kapitull të ri të konvertimit të tyre.
“Islami politik”- një sfidë e panevojshme
Injorimi institucional i statusit dhe i nevojave të shumicës së besimtarëve, në këtë rast të besimtarëve muslimanë, pati filluar të prodhojë frustrimet e para lidhur me ndërtimin e Katedrales në oborrin e gjimnazit “ Xhevdet Doda”, por u bë më dramatik për shkak të mosdhënies së një trualli për një xhami në qendër të kryeqytetit, dhe lidhur me bartjen e shamisë nga nxënëset në shkollat e mesme. Protestat për shaminë dhe për truallin e xhamisë, hodhën edhe farën për daljen në skenë të të ashtuquajturit “Islam politik”.
Kësisoj, injorimi i disa kërkesave elementare të besimtarëve, prodhoi një konflikt nga i cili tashmë ka lindur edhe ideja e përdorimit të Fesë Islame në terrenin politik. Po të ishin zgjidhur me kohë e në partneritet me Bashkësinë Islame të Kosovës çështja e shamisë, e edukimti fetar në shkollat publike, dhe e truallit të xhamisë së re të Prishtinës, në vendin tonë nuk do të kishte kurrfarë agjende për të ashtuquajturin “Islam politik”.
Por tashmë ai ka lindur, sigurisht edhe falë ambicieve politike e pushtetore të personave të caktuar, por që ato ambicie i kanë legjitimuar në sytë e një pjese të publikut, duke u mbështetur në injorimin që u është bërë kërkesave elementare, dhe minimale të besimtarëve muslimanë në këtë vend. Tash jemi në këtë pikë, ku do të testohet, edhe energjia e të ashtuquajturit Islam politik. Ka qenë e panevojshme dhe është e padobishme gjithë kjo sfidë.
Mund të jetë krejt e parëndësishme, se çfarë mendoj unë për këtë punë, por gjej rastin të konfirmoj, se personalisht, jam kundër përdorimit të Fesë Islame në sferën partiake, pra, jam kundër të ashtuquajturit “Islam politik.” (Arsyet besimore dhe teorike të këtij qëndrimi shpresoj t’i sqaroj në ndonjë rast tjetër.) Por, këtu dëshiroj të bëj një shpjegim të shpejtë lidhur me keqpërdorimin e këtyre zhvillimeve nga injorantët e shumtë, të cilët këto zhvillime i paraqesin, qoftë nga naiviteti, qoftë nga keqdashja, si zhvillime të vetë Fesë Islame.
Ndërsa e vërteta është, se këto zhvillime, që nga lojërat me truallin e xhamisë së re, bartja e shamisë nga vajzat adoleshente në shkolla, e deri te formimi i partive me cilësimin “Islame”, nuk kanë të bëjnë esencialisht me vetë Fenë Islame. Këto janë lojëra dhe politika të subjekteve konkrete, të njerëzve konkretë, (qoftë të atyre të veshur me pelerina e çallma, qoftë të atyre me kollare), që fenë e përdorin për arritjen e qëllimeve të veta profesionale, materiale ose edhe politike. Disa politikanë duan të ngrisin profilin e tyre të varfër moral, intelektual e politik, duke sulmuar aspekte të jetës fetare islame.
Ndërsa disa hoxhallarë po ashtu duan të ngrisin profilin e vet modest intelektual e politik, duke luajtur rolin e viktimës, ose duke kërcënuar, se do të bëjnë hatanë me të ashtuquajturin “Islami politik”. Këtyre iu bashkohet me një iso banale, edhe një grup i të vetëquajturve analistë, që po ashtu duan të fitojnë poena politike, ose grante nga angazhimi i tyre kundër “gogolit islamik”.
Çka është esenciale në mësimet e Fesë Islame?
Shtrohet pyetja më e thjeshtë në botë: çka në të vërtetë mbrojnë këta hoxhallarë “trima” dhe çka sulmojnë këtë politikanë e analistë po ashtu “trima”? Nga sa unë kuptoj, të parët mbrojnë interesat e veta materiale, vendet e punës, duke përfshirë këtu edhe të ardhurat, që i marrin nga këndimi i mevludeve, nga përgatitja e xhenazeve, nga qelimet dhe nga aktivitetet komerciale me kaseta, me disketa, e me plasime në fb e në You-Tube. Brenda këtij spektri të angazhimeve, bien edhe lokacionet për xhami (ndodh që i nisin pa leje, ose rrënojnë edhe objekte të trashëgimisë kulturore) për të ngritur xhami me dugaja!
Dhe flasin me zë të lartë, se si ata janë mbrojtës të Fesë Islame, se si janë mbrojtës të paepur të lirive të muslimanëve në këtë vend. Por ata mbrojnë ato liri, të cilat realisht nuk janë të cënuara fare. Të cënuara realisht dhe tragjikisht në këtë vend nuk janë adetet, që paketohen si “fe islame”. Bëj sa të duash mevlude e qelime, dhe askush në këtë vend nuk i ndalon ato. Por në këtë vend janë të cënuara e të rrezikuara seriozisht vlerat themelore të njeriut, të cilat mund t’i mbrojë Feja Islame. Është i cënuar e shumëkund edhe i rrënuar morali.
Po rrënohen vlerat e familjes, nuk ka drejtësi shoqërore, njerëzit e kanë humbur paqen shpirtërore, e kanë humbur shpresën, nuk arrijnë të kuptojnë ndërlidhninë e kësaj jete me jetën tjetër, (për shkak të diskontinuitetit të mësimeve të mirëfillta islame, që nga pushtimi sllav i fillimshekullit e veçmas nga periudha e sundimit komunist.) Me një fjalë, mungojnë mësimet e vërteta, me stil e me metoda moderne të prezentimit, për Fenë Islame, si fe e shpëtimit të njeriut nga vuajtja në këtë botë, dhe në botën tjetër, si fe e lartësimit moral dhe si fe e paqes.
Mungon mësimi esencial, që Feja Islame është fe universale, që integron brenda vetes edhe judaizmin e krishterimin (si shpallja e fundit që është), se këto tri fe kanë të njëjtin burim, për çka quhen fe abtrahamike, dhe se e ardhmja është në përafrim, bashkëpunim, mirëkuptim e paqe universale. Mungon mësimi esencial, që do t’iu shpjegonte njerëzve të këtij vendi, se Feja Islame nuk ka asgjë të bëjë me terrorizmin, me ekstremizmin, ose me çfarëdo forme të intolerancës dhe të dhunës.
Zoti ka shpallur qartë në Kuran, se në fe nuk ka dhunë. Kjo është një aksiomë, që do të duhej t’iu mësohej edhe fëmijëve. Mungon mësimi i vërtetë i Fesë Islame, në kontekstin tonë kohor, të shekullit XXI, dhe të kontekstit gjeografik, në zemër të Evropës. Mungon mësimi esencial, që Feja Islame i ofron besimtarit mundësinë e çlirimit nga frika, për faktin se ai është nën mbrojtjen e Krijuesit të vet. Pra, mungon mësimi, aq i nevojshëm islam, sipas të cilit feja nuk e mban besimtarin në ankth permanent, në frikë permanente, po e mban me stabilitet e shpresë permanente. Njeriu i kohës sonë ka nevojë për këto mësime e udhëzime.
Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut
Ndërsa interpretimet e bazuara në dije të tejkaluara, në konkludime të dijetarëve të para shumë shekujve, të sjella nga zona, që përjetojnë dekadencë të gjatë kulturore, si Jemeni, Sudani, Arabia Saudite, Egjipti ose cilido vend tjetër arab, krijojnë huti, prodhojnë frustrime e potencialisht edhe konflikte, fillimisht brenda vetë komunitetit musliman. Por hierarkët e institucioneve fetare rrezikun nga dija e tejkaluar, dhe që vjen nga vende kulturalisht të prapambetura, nuk e vërejnë, sepse formimi i shumicës prej tyre është i kufizuar.
Përderisa të parët, në fakt shumica e hoxhallarëve, mbrojnë interesat e veta të profesionit e të punës, atakuesit ndaj Fesë Islame, një dorë politikanësh e një dorë analisësh dhe një mizëri “opinionistësh të portaleve”, sulmojnë këto veprime e bëma, por duke mos pasur njohuritë e duhura, i identifikojnë me Fenë Islame. Vërtet duhet të jetë njeriu fort injorant, nëse një veprim të një hoxhe, ose nëse doni edhe të një bashkësie fetare të tërë, e paraqet si “Fe Islame.”
Sjelljet dhe veprimet e njerëzve, pra edhe të njerëzve të fesë janë vepër e vetë atyre, e jo element i Shpalljes Hyjnore (edhe nëse ata duan ta maskojnë si të tillë, gjë që e bëjnë shpesh.) Por Shpallja Hyjnore, fjala e Zotit, mbetet përjetësisht e pacënuar nga veprimet njerëzve, kushdoqofshin ata. Fjala vjen, kur terroristët ulërijnë “Allahu Ekber” (Allahu është i madhi), ata keqpërdorin një formulë besimi, lutjeje, meditimi, ndërsa vetë formula mbetet e pacënuar nga krimi i tyre, ajo mbetet e pastër, mbetet gjithmonë një thirrje e besimit dhe e meditimit të besimtarit paqësor. Ulërima e askujt, që bën krim nuk mund të fshihet pas kësaj formule, ose të amnestohet prej saj dhe të asnjë tjetre.
Për këtë arsye politikanë, analistë e opinionistë islamofobë do të bënin mirë të çliroheshjin nga ankthi, se Feja Islame paraqet rrezik për stabilitetin e shoqërisë. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Nëse ndodhin probleme, trazira, ose çkadoqoftë, ato mund të jenë vepra të njerëzve, që duan ta përdorin fenë për qëllimet e veta materiale, politike ose çfarëdoqofshin ato. Por Feja Islame si Shpallje Hyjnore, nuk do të ketë të bëjë aspak me ta. Ajo do të vazhdojë të ofrojë shpresë, siguri e paqe për njeriun në këtë botë dhe shpëtim për botën tjetër.
Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut, janë produktet e vërteta të Fesë Islame. Njerëzit duhet të rikthehen në këto mësime e të gjejnë në to kuptimin e jetës së vet. Duhet të rikthehen vetë, e të mos presin, se dikush me çallmë në kokë t’ua tregojë rrugën, meqë çdo individ është përgjegjës për veten e vet. Por as nuk duhet të stepen nga ebulehebët e sotëm, që duan t’u vënë ferra në rrugë.
Ndërsa shumësia e individëve- besimtarëve të ndriçuar nga besimi esencial, pra, të shkëputur nga adetet, që shiten si “Fe Islame”, dhe nga lojërat politikaneske që paketohen, si “mbrojtje nga gogoli islamik”, do të çarmatosnin edhe islamokratët e edhe islamofobët. Nëse nuk ndodh kjo përtëritje, që na distancon nga klerokracia dhe nga islamofobia, ekziston rreziku, që islamokratët dhe islamofobët të luftojnë kundër njëri-tjetrit deri në muslimanin e fundit të këtij vendi. Ky edhe mund të jetë objektivi i strategëve të vërtetë të islamofobisë. Për fatkeqësinë e tyre e për fatin e mirë tonin e të njerëzimit mbarë, ky objektiv është i parealizueshëm, as në Kosovë e as në botë.
Por dëmet mund të jenë të konsiderueshme, nëse nuk kuptohet me kohë dhe drejt hileja e hileqarëve, që luajnë lojën me hile në të dyja anët. Kosova pas vitit 1999, e veçmas pas vitit 2008, kur u bë e pavarur, (ndonëse mbeti e mbikëqyrur, ndoshta pikërisht për këtë shkak) është poligon i kësaj loje. Na pëlqen a s’na pëlqen, kështu del rezultati. Pikë muhabeti.
16 shtator 2013