Forumi Musliman i Shqipërisë i angazhuar prej kohësh në mbrojtje të familjes dhe të vlerave të saj tradicionale së fundmi është bërë pjesë e një nisme fisnike dhe e një koalicioni në mbrojtje të kësaj vlere themelore të shoqërisë shqiptare. Në bashkëpunim me grupe interesi që kanë në themel të punës së tyre ruajtjen e vlerave universale të familjes dhe të shoqërisë së shëndoshë është bërë pjesë e “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”. Në këtë koalicion marrin pjesë çifti Akil dhe Lindita Pano- Fondacioni Ancora Inc, Fisnik Kruja- Forumi Musliman i Shqipërisë, Ilir Çumani- Instituti Kombëtar i Fëmijëve Jetimë të Shqipërisë, Silvi Mihali- eksperte e Zhvillimi i Hershëm tek Fëmijët (ABA) dhe Erion Kristo pedagog, analist dhe aktivist i shoqërisë civile. Anëtarët e këtij Koalicioni qysh në momentet e para ranë dakord për një seri veprimesh dhe takimesh me krerët më të lartë të Shtetit dhe Parlamentit Shqiptar.
Një përfaqësi nga “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës” u mirëprit fillimisht nga Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Ilir Meta (6/10/2021). Pas prezantimit të Koalicionit u diskutua mbi krizën në të cilën ndodhet Familja Shqiptare dhe nevojën për angazhimin serioz të të gjithë institucioneve dhe shoqërisë në zvogëlimin e impaktit negativ dhe krijimin e mundësive për kurimin e plagëve të familjes. Më tej biseda vijoi mbi çështje me interes të lartë publik, që lidhen me propozimet ligjore të cilat prekin Kodin e Familjes. Ky takim në Institucionin e Presidentit të Republikës, ishte edhe pikënisja e takimeve të tjera të planifikuara me përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore.
Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës gjithashtu u prit në Kuvendin e Shqipërisë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Maxhorancës, z. Taulant Balla dhe anëtari i komisionit të ligjeve z. Toni Gogu (28/10/2021). Pasi prezantimit të koalicionit u diskutua mbi krizën në të cilën ndodhet Familja Shqiptare dhe biseda vijoi përsëri mbi çështje me interes të lartë publik, që lidhen me propozimet ligjore të cilat prekin kodin e familjes. Kërkesa jonë sikundër dhe dakordësia nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës ishte nevoja e hapjes së një debati publik përpara prezantimit në Parlament të ligjeve të cilat prekin kodin e familjes.
Në Kuvendin e Shqipërisë në vijim të takimeve të planifikuara përfaqësia e Koalicionit Shqiptar Pro Familjes & Jetës mori takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Opozitës Z. Alfred Rushaj, anëtaren e Komisionit për Çështjet Sociale Znj. Grida Duma dhe Anëtaren e Komisionit të Ligjeve Znj. Greta Bardeli.
Gjatë bisedës intensive, kërkesa jone ishte që: Grupi Parlamentar i Opozitës të pozicionohet qartë në mbrojtje të Familjes dhe Jetimëve, siç është pozicionuar ideologjikisht e djathta konservatore në botë. Ndërkohë që Qeveria ka paraqitur projektligjin për ndryshime në Kodin e Familjes dhe Ligjin e Birësimeve apeli ynë është ruajtja e vlerave të martesës, familjes dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijëve jetimë. Nga përfaqësuesit e Opozitës morëm garancinë që do të jenë aleatët e kësaj kauze jetike për kombin dhe të ardhmen e shoqërisë Shqiptare.
“Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës” është i hapur edhe për subjekte e aktorë të tjerë të aktivizmit shoqëror dhe mirëpret çdolloj ndihme dhe përkrahje, që është në dobi të kësaj kauze të lartë.