FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Letër

18-dhjetor-09
Për:         Partia Konservatore e Britanisë së Madhe
30 Millbank, SW1P 4DP
Londër, Mbretëria e Bashkuar

Shkëlqesitë tuaja,

Forumi Musliman i Shqipërisë, ka përcjellë me indinjatë emisionin Déjà vu të datës 12.12.2009 që është transmetuar në stacionin televiziv Top Channel këtu në Tiranë. Në këtë emision, znj. Mirela Bogdani, e cila pretendon të jetë kandidate për deputete e Partisë Konservatore për zonën e Walesit, në Britaninë e Madhe, ka lëshuar disa deklarata fyese për realitetet multi-kulturore që ekzistojnë në vendin tuaj. Duke komentuar një foto në të cilën paraqiteshin disa vajza muslimane të mbuluara me shami, zonja në fjalë, është shprehur me ironi dhe cinizëm për gjoja privacionin që ato provojnë nga detyrimi i mbajtjes së shamisë.

Znj. Bogdani është shprehur shumë e shqetësuar për rrezikun e “islamizimit të Evropës” për shkak të refuzimit që muslimanët i bëjnë asimilimit ndaj kulturës evropiane. Ne nje moment gjate emisionit ajo u shpreh se “nje pjese veriore e Londres tani njihet si Londonistan, sepse po te shkosh atje te duket vetja si ne Middle East” dhe “mua me vrasin syte kur shikoj ne mes te Londres njerez me ferexhe.” Gjithashtu, ajo ka shprehur shqetësim për eventualitetin e pranimit të Turqisë në BE për shkak të fesë Islame të popullatës së saj, e cila sipas kësaj zonje do të prishë ekuilibrat e Evropës së Bashkuar.

Forumi Musliman i Shqipërisë, ka një respekt të thellë për Britaninë e Madhe si një kështjellë e demokracisë parlamentare, për instalimin e së cilës, një rol historik ka luajtur edhe Partia Konservatore, si një parti e madhe historike me kontribute fondamentale në politikën e këtij vendi të madh evropjan. Ky respekt i yni përforcohet edhe nga qëndrimi dashamirës dhe plot respekt i politikës tuaj ndaj muslimanëve dhe institucioneve të tyre në Britaninë e Madhe.

Ne dimë që në radhët e Partisë Konservatore marrin pjesë shumë figura të nderuara të komunitetit musliman vendas të cilët, ndajnë besimin dhe vlerat e partisë tuaj për të drejtuar vendin.

Për sa më sipër jemi të mendimit që deklaratat e znj. Bogdani duhet të shihen me vëmendje nga organizmat e partisë suaj, e cila për mendimin tonë, nuk ndan të njëjtat ndjenja kundrejt muslimanëve dhe fesë islame.

Me konsideratën tonë më të lartë,
FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
TIRANË

_______________________________________________________

Njoftim për editorët:

Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilës është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë.

Te drejtat e rezervuara. Forumi Musliman i Shqipërisë