Martesat e hershme** janë PRO FAMILJES

 

Bamirësia për familjen është një nga themelet ku shfaqet dashuria njerëzore dhe porositë kuranore e tradita profetike e përforcojnë atë, si nga ana individuale, edhe ajo farefisnore. Shoqëria jonë muslimane e gjendur përpara një presioni të jashtëzakonshëm nga ana ekonomike dhe e ideologjive, që përplasen në trojet tona për shkak edhe të integrimeve në sisteme më të mëdha ndërkombëtare, kanë sjellë vështirësi të mëdha për popullin tonë. Për këtë më e pakëta nevojitet një mbështetje më e madhe shpirtërore për të rinjtë dhe familjet e tyre.

Një nga fushat më të ndjeshme, ku po bëhet presion është ndryshimi i perceptimit për familjen, duke i kthyer babain dhe mamanë në prindi 1 dhe 2. Agjenda të ndryshme po vendosen në qendër të vëmendjes qeverisëse, ndërsa familjes po i hiqet edhe ajo pak ndihmë financiare. Për këtë ne si Forumi Musliman i Shqipërisë e shohim si domosdoshmëri mbështetjen e shoqërisë tonë muslimane me një mbrojtje konkrete të familjes dhe sensibilizimin e saj në këtë drejtim.

Themelore në këtë mbrojtje ne shohim martesat e hershme të të rinjve tonë, të cilët në rrethanat e krijuara sot janë domosdoshmëri. Martesa e hershme do t’i mbronte çiftet e reja nga zinaja dhe marrëdhëniet e paligjshme. Shkollimi i lartë i kësaj moshe të re sjell nevoja të ndryshme për këta të rinj, prandaj edhe ata kanë nevojë për mbështetje financiare dhe shpirtërore për t’i kaluar sprovat e jetës, që na nxjerr Zoti i Madhëruar.

Për këtë ne i sugjerojmë shoqërisë civile muslimane dhe shoqatave që veprojnë në fushën e bamirësisë, që përmes psikologëve dhe hoxhallarëve të përgatitur në fushat sociale të ngrenë programe dhe departamente mbështetëse për martesat e hershme dhe trajtimin e tyre shpirtërisht me këshillat e nevojshme. Këshillimi të përfshijë përgatitjen e muslimanëve për jetën familjare, përballimin e saj, çështjet e martesës dhe në rastet e nevojshme edhe për divorcin, punësimin dhe ndihma financiare apo ekonomike në fazën e parë të martesës. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë e para që do t’i paraqiten këtij projekti, por vërejmë se puna e shoqatave dhe e shoqërisë tonë duhet ristrukturuar dhe organizuar më mirë dhe të mos dekurajohemi nga ecuria e përditshme. Për këtë nevojitet edhe një shkëmbim i gjerë i përvojave të krijuara nga aktorët e shoqërisë civile, të cilët kanë qenë të suksesshëm në punën e tyre. Kjo duhet të jetë alternativa jonë dhe daveti jonë njëkohësisht në këto kohë të turbullta.

FMSH-

** Me “Martesa te Hershme” nënkuptohet martesa të konsumuara pas moshës madhore 18 vjeç.