Nga Roald A. Hysa*:

Për një KMSH dinjitoze, pa idhull Gylenin

Përpjekja e pafrenueshme për një institucion ndryshe, era fe e jo sekt

 

Zhvillimet shoqërore e historike të pasviteve 1990 e futën Shqipërinë në fazën e tranzicionit nga një regjim politik monopartiak dhe totalitarist në një regjim demokratik pluripartiak me tendencë kapitalizimin e një shoqërie të vjetër tejet të kooperativizuar mendërisht dhe të varur psiqikisht nga shteti. Në këto momente decizive hynë në lojë edhe komunitetet fetare, të cilët filluan të shprehin publikisht idenë e lirisë së besimit, e cila u adresua fillimisht dhe vazhdon të adresohet nëpërmjet organizimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe organizmave të tjera përkatëse për të krishterët shqiptarë. Në këtë valë 30-vjeçare tranzicioni edhe KMSH ka përjetuar ndeshtrashat e veta, të cilat kanë marrë formë edhe përmes fytyrave të kryetarëve që e kanë udhëhequr këtë institucion. Nga të gjithë pa përjashtim sot kujtohet me mall figura karizmatike e Hafiz Sabri Koçit, i cili me shumë urtësi e udhëhoqi këtë institucion në këto lloj marrëdhëniesh të reja me të cilat po ballafaqohej dhe po ballafaqohet edhe sot përditazi populli shqiptar.

Pasuesit e tij, H. Selim Muça (rahmet pastë), Skënder Bruçaj dhe drejtuesi aktual Bujar Spahia nuk ishin dhe nuk janë ata lloj drejtuesish, që t’ia ngrinin më tej reputacionin këtij institucioni. Një nga ato ndeshtrashat e mëdha që përjetojnë tashmë muslimanët në kuadrin e përfaqësimit është edhe një grupim njerëzish që e identifikojnë veten me lëvizjen Hizmet të udhëhequr nga Fet’hullah Gylen, apo siç njihet ndryshe edhe FETO apo në gjuhën e popullit Gylenxhinjtë. Ky grupim ka marrë në dorë frerët e KMSH-së. Spektri shqiptar i shoqatave OJF përfshin bamirësinë, edukimin dhe arsimimin, botimet dhe shoqërinë civile, ku dallon ndër to Forumi Musliman i Shqipërisë, i cili që nga momenti i themelimit ka adresuar me deklaratat dhe aksionin e tij problemet e ndryshme të këtij tranzicioni të tejzgjatur 30-vjeçar për shoqërinë tonë. Në këtë kuadër, prej kohësh Forumi Musliman në deklaratat e bëra publike i ka bërë të qarta qëndrimet e veta në mënyrë të përsëritur, duke i argumentuar në mënyrë parimore pse ne jemi në opozitë me këtë grupim. Dy janë problemet themelore që ka shkaktuar ky grupim gjatë periudhës së drejtimit të tyre në institucionin e KMSH-së: selektiviteti i qëndrimit të tyre ndaj imamëve (duke favorizuar kastën e vet me rroga të larta) dhe mungesa e transparencës për veprimet e kryera në vazhdimësi, ku këto të dyja kanë shkaktuar ndasi dhe ia kanë ulur deri poshtë në fund të këmbëve legjitimitetin e këtij institucioni. Së fundmi kjo gjë u vërejt, e sidomos mungesa e transparencës, që po shoqëron procesin zgjedhor të Këshillave të ndryshme për t’u finalizuar me Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së. Grupime imamësh dhe aktivistësh me veprimet e tyre kanë bërë të ditur krejt parregullsitë zgjedhore të këtij procesi, ku themelorja është mungesa e një njoftimi paraprak për fillimin zyrtar të këtij procesi. Në mungesë të këtij njoftimi zyrtar, pjesa më e madhe e publikut ka qenë në errësirë, gjë që ka shkaktuar shumë amulli dhe ka lënë përjashta procesit shumë aktorë, të cilët janë zhgënjyer dhe tashmë ndjehen të papërfaqësuar në strukturat e ndryshme të Këshillave. Procesi është drejtuar me telefonata kërcënuese, ku janë bërë publike edhe emrat e përveçëm. Në sfondin e këtyre telefonatave kërcënuese qëndron edhe marrëveshja e KMSH-së me Qeverinë, që i përket vitit 2009 për subvencionimin e komuniteteve fetare.

Pra, siç mund të shihet kemi shumë probleme të shtresëzuara në kohë, të cilat prej një pjese të opinionit dihen, por artikulohen gabimisht në kontekstin ditor, kur edhe politika me ndikimet e veta nuk mbetet mbrapa. Ne jemi të vetëdijshëm që ky është një proces në vazhdimësi dhe nuk do të marrë një zgjidhje të shpejtë sipas pritshmërive të publikut, as edhe të kritikëve, të cilët nuk janë të përfshirë fizikisht në këtë proces përmirësimi dhe katarsisi. Një gjë është e sigurt: që ne nuk do të tërhiqemi nga i gjithë ky proces dhe garantojmë e mirëpresim gjithëpërfshirjen e kujtdo qoftë ai, pa ia mohuar të drejtën e tij, besimtar i thjeshtë, imam xhamie apo hoxhë.

  • Roald A. HYSA është sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë që nga viti 2010