ROLI I ISLAMIT NË TROJET SHQIPTARE
prof. dr. Milazim KRASNIQI
Islami ndër shqiptarë ka traditë disa shekullore, e cila është zhvilluar pa ndërprerje që nga shekulli XV e deri në ditët tona, duke ushtruar një ndikim esencial në mbijetesën dhe në formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar. Mund të bëhen gjithfarë hamendësimesh se cila do të ishte rruga jetësore dhe fati historik i shqiptarëve si kolektivitet po të mbeteshin jashtë rrezes së mesazhit Hyjnor Islam, në darat e hekurta të ordodoksisë bizantino-greke e serbe, të cilat, aq sa është parë në disa shekuj pushtimi, synonin asimilimin dhe zhdukjen e plotë kulturore dhe etnike të shqiptarëve. Pra, po qe se mirret si pikënisje e vlerësimit të perspektivës së shqiptarëve në sfondin bizantino-grek e sllav gjendja në të cilën ishin ata kur erdhi në trojet e tyre mesazhi islam, është krejt e qartë se ajo gjendje do të çonte më tutje në zvogëlimin numerik dhe asimilimin e vazhdueshëm gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Mungesa e plotë e dëshmive të shkrimeve shqipe, madje mungesa e gjurmëve kulturore të shekujve VII- XIV, ku bie edhe sllavizimi i plotë i toponimeve në trojet shqiptare dhe madje edhe sllavizimi i patronimeve të vetë shqiptarëve, zbulojnë qartë atë katandisje etnike që vazhdonte përgjatë shekujve të sundimeve bizantine e sllave, e të cilat vetëm sa e thellonin asimilimin që kishte përhapur romanizimi nga pushtimi i gjatë romak që nga shekulli II para Isait (paqja e Zotit qoftë mbi të) e deri në shekullin e V pas Isait (paqja e Zotit qoftë mbi të.) Prandaj, po të vazhdonte ajo tkurrje dhe ai shfytyrim kulturor nën presionin e sundimit bizantin e sllav, më afërmendësh është se asimilimi do të intensifikohej.
Shenjë e mëshirës së Krijuesit
Por, pranimi i mesazhit hyjnor të Islamit nga ana e një pjese të madhe të shqiptarëve që kur ranë në kontakt direkt me të dhe veçmas pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, e ndali trendin negativ të tkurrjes e të asimilimit të shqiptarëve dhe i dha një drejtim të ri zhvillimit të tyre. Pranimi i Islamit nga shqiptarët, që pa dyshim është shenjë e mëshirës së Krijuesit ndaj këtij populli, e ndërpreu procesin tragjik të shfarosjes e të asimilimit dhe solli ndriçimin e ri moral dhe shpirtëror, solli një hov të ri në zhvillimin e tij demografik e kulturor.
Islami u ofroi shqiptarëve të Mesjetës së errët evropiane një vizion të ri për misionin e njeriut në këtë botë, para së gjithash duke ua fiksuar në ndërgjegjen e tyre të vërtetën për njëshmërinë e Krijuesit të Botërave. Të ndërgjegjësuar nga kjo aksiomë për njëshmërinë e Krijuesit, shqiptarët muslimanë u larguan nga konceptimi shizofrenik për Krijuesin. Ky largim nga konceptimi shizofrenik për Krijuesin u dha një kompaktësim në ndërgjegje, i bëri më të durueshëm e më të qëndrueshëm në furtunat jetësore e historike që do të përplaseshin mbi fatet e tyre si sprovë e re e aftësisë së mbijetesës fizike dhe kombëtare pas daljes me përdhunë nga ombrella e hilafetit islam. Edhe besimi i patundur në botën e amshueshme, në Ahiret, si vazhdimësi e jetës në nivel dhe në përmbajtje më të lartë për besimtarët që e gjejnë mëshirën e Krijuesit të Botërave, u ndihmoi që të dilnin nga vorbullat e nihilizmit të të ashtuquajturit faj fillestar, i cili ushtron ndikim të fuqishëm në ndërgjegjen e të krishterëve. Ndërsa, namazi dhe agjërimi i Ramazanit u sollën atyre shqiptarëve që përqafuan Islamin një botëkuptim të ri për adhurimin ndaj Krijuesit të tyre, duke u edukuar me disiplinë, durim dhe sakrificë. Edhe praktika e zekatit u dha besimtarëve muslimanë një vizion të ri të solidaritetit me njëri – tjetrin, duke e hequr bamirësinë nga niveli i përkatësisë fisnore, e duke e bërë atë obligim për hir të All-llahut, ndaj të gjithë nevojtarëve. Ky horizont i ri i bamirësisë dhe solidaritetit ka pasur ndikime pozitive në zgjerimin e njohjeve dhe të komunikimeve brendashqiptare, të cilat me shekuj kanë qenë të konservuara në korniza të ngushta fisnore.
Transformimi esencial: nga piratë në diplomatë
Kësisoj, njohja e shtyllave të Islamit dhe organizimi për shekuj të tërë i jetës në bazë të udhëzimeve kur’anore pati ndikim të fuqishëm në formësimin e individit shqiptar, në strukturën e familjes shqiptare dhe pjesërisht të shoqërisë shqiptare. Ndjenja e përkushtimit të individit për familjen dhe farefisin, respektimi i prindërve dhe i më të vjetërve, lehtësia e emigrimit gjithandej nëpër botën islame, afirmimi i premtimit të dhënë si vlerë sublime, durimi në vështirësi, janë disa tipare që kanë vulosur karakterin e individit shqiptar, e që pavarësisht se janë përzier edhe me shtresa të tjera të vlerave etike dhe kulturore, në esencë kanë prejardhje nga mësimet islame. Shkalla e pamjaftueshme e injektimit të këtyre vlerave në individin shqiptar ka bërë që disa prej tyre të mos jenë tipike për këtë individ, por vetëm tendenca të karakterit të tij. Por, pa ndikimin e fuqishëm të Islamit nëpër shekuj vetëm mund të supozohet se me çfarë cenesh negative do të zhvillohej individualiteti i njeriut shqiptar i konservuar në strukturat fisnore dhe çfarë drejtimesh do të merrte historia shqiptare pa durimin dhe pa maturinë me burim islam.
Në burimet e shkruara nga autorë të huaj antikë, të cilët kanë pasur kontakte me shqiptarët, më të shumtën dominon një vlerësim negativ për karakterin dhe për organizimin e tyre. Sado që në këto vlerësime ka pasur keqdashje të autorëve, nuk mund të përjashtohet plotësisht objektiviteti i tyre, meqë organizimi dhe rrezatimi kulturor i ilirëve-albanëve/shqiptarëve në këto periudha historike ka qenë shumë inferior në raport me romakët në fillim dhe me fqinjët grekë e sllavë më vonë. Nuk duhet injoruar as fakti se qytetet antike me rrezatim kulturor të ndjeshëm, si Butrinti, Apollonia, Durrësi, në fakt kanë qenë koloni helene e romake dhe në to nuk ka gjurmë të shkruara në gjuhën ilire – shqipe dhe as aktivitete kulturore të dokumentuara me prejardhje ilire. Fakti që këto qytete kanë ekzistuar si enklava në trojet e ilirëve antikë dhe të shqiptarëve të sotëm nuk prodhon vetvetiu argumente për kulturë ilire në to. Ka shembuj të shumtë të ekzistimit të kulturave të tjera në një territor të një populli tjetër, madje pa ndikuar realisht në ngritjen kulturore të popullsisë vendëse. Që nga kultura antike helene e romake në qytetet e shumta përgjatë pellgut të Mesdheut, e deri te kultura perëndimore në truallin e indianëve të Amerikës.
Si një kundërpërgjigje e inferioritetit kulturor të ilirëve ndaj pushtuesve dhe fqinjve, mentaliteti pirat dhe plaçkitës dhe prirja për rebelime e për konflikte ndërfisnore mbetën si shenja të identifikueshme të individit dhe bashkësisë ilire/shqiptare nëpër histori. Ndërsa kjo ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të formësimit të një identiteti të qartë dhe që do të lente gjurma konkrete në histori dhe në kulturë. Fakti që bashkëjetesa e gjatë me grekët dhe me romakët nuk ka rezultuar me një organizim më të qartë shtetëror dhe me një manifetim të zhvillimit të identitetit gjuhësor e kulturor, është dëshmi e inferioritetit dhe e dezorganizimit. Shkaqet që numëron historiografia romantike shqiptare për këtë ngecje janë pjesë e këtij inferioriteti dhe këtij dezorganizimi. E vërteta mbetet që individi ilir/shqiptar ishte i konvertueshëm në romak, grek e sllav, duke përvetësuar edhe gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ndërsa në planin e bashkësisë, duke mbetur të shtrënguar për lidhjet e ngushta fisnore, ilirët dhe shqiptarët për një kohë tepër të gjatë nuk e arritën organizimin që do të rezultonte me krijimin e një entiteti shtetëror dhe një identitet kulturor të diferencuar nga fqinjët.
Prova të identitetit të tillë do të jepeshin më vonë, pas disa shekujsh të jetës nën sundimin osman, ku ndodhi një transformim real i jetës sociale, kulturore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve. Këta shembuj do të vijnë pasi të ketë kaluar gati pesë shekuj të sundimit osman, në të cilin shqiptarët njohën një rikonsolidim të brendshëm demografik dhe kulturor pas shpërbërjes së gjatë nën sundimet romake, bizantine e serbe. Janë themeluesit e Lidhjes së Prizrenit identifikim i një profili të ri të individit shqiptar që kërkon realizimin e vet dhe të fateve të kolektivitetit me anën e një angazhimi të disiplinuar dhe të menduar mirë në sfondin e komplikuar të zhvillimeve politike, diplomatike e ushtarake të kohës. Pa një profilizim të tillë ka qenë e paimagjinueshme që të krijohet një lëvizje indipendentiste që synonte ruajtjen dhe afirmimin e identitetit shqiptar dhe islam të shqiptarëve në rrethimin armiqësor ballkanik, në moskuptimet tragjike të qeveritarëve osmanë dhe të gjeopolitikave antishqiptare dhe antiislame të shekullit XIX dhe të shekullit XX në Evropë. Kur analizohen me kujdes biografitë dhe bëmat e personaliteteve të kësaj lëvizjeje, është e qartë se ato dëshmojnë për një emancipim të individit shqiptar në Islam, ku ai kishte përfituar vlera të larta organizative nga përvoja shtetërore, politike dhe fetare në Perandorinë Osmane. Falë këtij transformimi dhe kësaj vetëdijeje vepruese islame edhe u kultivua toleranca e brendshme shqiptare. Kjo tolerancë e brendshme mundësoi integrimin e shqiptarëve të cilët, edhe pse u përkisnin feve të ndryshme, realizuan një projekt unik politik dhe nacional. Ky projekt rezultoi me identifikimin e kërkesave politike dhe nacionale në vitin 1878 dhe me krijimin e shtetit shqiptar në 1912. Nga faktet historike është krejt e qartë se barrën kryesore të këtij projekti kombformues e shtetformues, përfshirë edhe pasojat në formën e gjenocidit serb në viset veriore pas Kongresit të Berlinit dhe ndëshkimin e pushtetit turk, që erdhi si reaksion i detyrueshëm për shkak të imponimit të diktatit të Fuqive të Mëdha të kohës, e ka bartur mbi vete popullsia muslimane shqiptare dhe elita intelektuale e politike e dalë prej saj.
Me këto ngjarje edhe finalizohet formimi i kombit shqiptar dhe i shtetit shqiptar. Kur mirret si pikënisje gjendja në të cilën ishin shqiptarët kur hynë në Perandorinë Osmane dhe një shumicë e tyre e përqafuan Islamin, si dhe gjendja kur dolën prej asaj Perandorie, është e qartë se në ata pesë shekuj ndodhi një konsolidim i dukshëm social, kulturor e politik dhe me këtë një konfirmim i identitetit kombëtar në sfondin ballkanik. Bash në atë sfond të mbushur përplot atavizma dhe konflikte këto objektiva do të ishin të paarritshme pa ndikimin e fuqishëm të Islamit në individin dhe në bashkësinë shqiptare.
Fatkeqësisht, pas pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe mbetjes së shumicës së trojeve shqiptare nën sundimet e huaja sllave e greke, filloi “vesternizimi” artificial i karakterit të shqiptarëve, gjë që solli ndryshimin e dhimbshëm të individualitetit dhe të sistemit të vlerave me të cilat matet e mira dhe e keqja, e drejta dhe e shtrembëta, hallalli dhe harami. Ky deformim mund të shihet më së qarti në elitat politike shqiptare ‘të vesternizuara”, të cilat u shquan dhe shquhen edhe sot për qeverisje të padrejta, për shpërdorim të pushtetit, për korrupsion, për servilizim ndaj të huajve dhe për një varg dukurish, secila më e keqe se tjetra. Gjendja në të cilën është sot profili moral i individit politik shqiptar, posaçërisht të atij që është jashtë besimit fetar dhe veçmas jashtë besimit islam, është e njohur. Qeveritarët e sotëm të Shqipërisë llogariten si nga më të korruptuarit në rruzullin tokësor, e edhe tendencat në Kosovë e në Maqedoni nuk janë inkurajuese.
Individi shqiptar, i shkëputur nga ai sistem vlerash morale dhe fetare islame që e mbrojtën karakterin e shqiptarit në shekujt e parë të përqafimit të Islamit, është bërë moskokëqarës ndaj ndershmërisë, ndaj korrektësisë, ndaj mbajtjes së premtimeve. Por, është e qartë se politikanët dhe qeveritarët nuk janë një kategori më vete e këtij çmoralizimi, sepse në sistemet demokratike të votimit të lirë, sado që nuk përjashtohet manipulimi i llojllojshëm, ata janë produkt direkt i shijes, i kërkesave dhe i vlerësimeve të bashkësisë përkatësisht të qytetarëve.
Një projekt gjysmak
Islami pati ndikim të fuqishëm edhe në strukturën e familjes shqiptare muslimane dhe në vlerat që funksionalizohen brenda saj, edhe pse ky ndikim në të shumtën nuk ka qenë i plotë as në periudhat më të ndritshme të Islamit ndër shqiptarë. Kjo ka ndodhur për shkak se mbi strukturën dhe mbi vlerat e familjes shqiptare kanë ushtruar ndikim gjendja sociale, e drejta zakonore dhe administratat e pushteteve të ndryshme joislame dhe antiislame dhe sistemet tjera fetare. Sidoqoftë, raportet ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet fëmijëve dhe prindërve të tyre, qëndrimi ndaj lindjes dhe ndaj vdekjes, deri në ditët tona kanë ruajtur disa elemente të ndikimit të Islamit.
Megjithëse jeta mbi gjysmë shekulli nën regjimin komunist në Shqipëri, po edhe në viset tjera shqiptare, ka rrënuar ndjeshëm stabilitetin dhe sistemin e vlerave të familjes shqiptare. Ndërsa, në Kosovë, tragjedia e viteve 1998-1999, kur ndodhi dëbimi i mbi një milionë shqiptarëve nga Kosova, i shoqëruar me gjenocid, me dhunime dhe me poshtërime të tmerrshme, ka sjellë një krizë të re në familjen shqiptare. Rritja e numrit të shkurorëzimeve, rritja e dhunës në familje, zgjerimi i prostitucionit, janë dukuri të reja që po e atakojnë stabilitetin dhe strukturën e familjes shqiptare në Kosovë. Këtë e ndihmon edhe prezenca enorme e administratorëve civilë dhe e ushtarëve të huaj në Kosovë, që kanë imponuar një gjendje tipike koloniale. Rritja e varfërisë së popullsisë vendase, përkrah pasurimit enorm të administratorëve të huaj dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe kushtëzimi i punësimit të femrave me shërbime seksuale për punëdhënësit e huaj, kanë provokuar një “zgjim” abnormal të femrës shqiptare, i cili po bëhet kërcënues për familjen.
Fisi – simboli i ngecjes shqiptare
Ndërsa në strukturat e fisit dhe të shoqërisë shqiptare, përgjatë tërë kësaj historie, më shumë ka dominuar koncepti zakonor se sa ai islam. Për këtë shkak edhe ka pasur më shumë sherre ndërmjet fiseve, më shumë gjakmarrje dhe krime. Pra, ky element negativ i shoqërisë shqiptare nëpër kohë aspak nuk ka prejardhje islame, sepse në Islam gjakmarrja ka qenë e ndaluar me shpalljet kur’anore dhe me ligjëratën lamtumirëse të Muhammedit [paqja e Zotit qoftë mbi të.)
Gjakmarrja, kamata, martesa e femrave me mblesëri, mercenarizmi dhe dukuri tjera negative si këto, janë me prejardhje nga injoranca dhe si të tilla e kanë penguar edhe forcimin e Islamit në bashkësinë shqiptare. Fatkeqësisht, organizimi i fuqishëm fisnor paraislam ka mbetur edhe pas pranimit nga një shumicë e shqiptarëve të Islamit edhe për arsye se Perandoria Osmane ka respektuar format e organizimit lokal dhe ia ka përshtatur ato sundimit të vet në territoret e mëdha të saj. Pra, mund të thuhet se në fushën e organizimeve fisnore nuk ka arritur ndikimin e duhur ndriçimi i mesazhit islam, gjë që ka rezultuar me krijimin e strukturave që do të luftonin sistemin e vlerave islame edhe në individët e edhe në familjet shqiptare muslimane. Tradita e fuqishme fisnore e cimentuar për shekuj të tërë edhe gjatë sundimit osman, e bashkuar me fragmentimin fetar dhe mercenarizimin e motivuar nga interesat parciale, u shndërrua në problem kritik edhe për shtetin shqiptar pas formimit të tij më 1912, e edhe sot ka ndikime negative në trojet shqiptare në përgjithësi. Por, si e tillë, me prirje përçarëse dhe diversive, ajo traditë ka prejardhje dhe motivim antishqiptar dhe antiislam.
(Edhe kriza e Shqipërisë e vitit 1997, e cila pati si pretekst skemat piramidale, kurse si shkak strukturat antishqiptare greke dhe të lobeve të ndryshme mafioze ndërkombëtare, në kulmet e saj kërcënonte edhe me ndarjen e Shqipërisë në Shqipërinë e Jugut dhe të Veriut, me kërcënimin e bandave ndaj “malokëve veriorë” dhe madje ndaj “çeçenëve”. Pra, në këtë kërcënim përfshihen ndarjet rajonale, fisnore dhe fetare përnjëherësh, gjë që flet për fragjilitetin e shtetit dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.)
Efektet praktike nga pranimi i Islamit
Kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve, përveç si ikje nga feja e zullumqarëve të tyre, serbëve dhe grekëve dhe si ikje nga kujtesa e llahtarshme e dhunimeve që kishin lënë prapa vetes në trojet shqiptare kryqëzatat, fillimisht pati edhe qëllime praktike. Perandoria Osmane u dha mundësi atyre që përqafonin Islamin që të ruanin pronat, ose t’i fitonin ato me lojalitetin e treguar ndaj saj, e ku pika themelore e lojalitetit kishte të bënte me pranimin e Islamit. Me lojalitetin e shprehur me këtë rrugë shqiptarët me shpejtësi rimorën veten dhe filluan të tregojnë epërsi ndaj fqinjëve tjerë ballkanikë, serbëve, grekëve, bullgarëve, rumunëve, të cilët rezistuan më shumë ndaj pranimit të Islamit për shkak se kishat e tyre ortodokse ishin të konsoliduara dhe për arsye se Perandroia Osmane, veçmas në kohën e sulltan Mehmet Fatihut, tregoi një tolerancë të pashoqe ndaj ortodoksisë.
Përmbysja administrative dhe sociale që solli rënia e Mbretërisë Serbe pas vdekjes së car Dushanit dhe veçmas pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, si dhe kalimi në defansivë i Perandorisë së Bizantit në raport me Perandorinë Osmane, e cila lëshoi shtat në fqinjësi të saj, u mundësoi shqiptarëve që të dyndeshin nëpër qytete dhe ta bënin gjuhën shqipe gjuhë dominuese të komunikimit pas dobësimit të serbishtes dhe të greqishtes. Nga ana tjetër, gjuha turqishte po depërtonte me ngadalësi, sepse ende po vazhdonte ekspansioni ushtarak i Perandorisë Osmane (1683), gjë që kishte mundësuar një pushtet mjaft të decentralizuar në territoret ku ishte stabilizuar gjendja e sundimit osman. Osmanishtja ishte gjuhë e administratës së re, por nuk ishte gjuha e fesë së re, nuk ishte gjuhë e Shpalljes Hyjnore. Pra, ndikimi i saj ishte më i kufizuar se ai i serbishtes dhe i greqishtes, të cilat në të njëjtën kohë kishin qenë gjuhë të administratës dhe gjuhë të detyrueshme të fesë. Rrjedhimisht, kultivimi i gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm, bashkë me forcimin e strukturave të reja sociale që e shprehnin realitetin e ri politik dhe fetar islam, u shndërruan në faktor kompaktësimi nacional të shqiptarëve kundruall serbëve e grekëve dhe fqinjve të tjerë.
Nuk mund të jetë rastësi as fakti që librat e parë në gjuhën shqipe u shkruan në shekullin e XVI, sepse shqipja kishte arritur një shkallë zhvillimi që ia mundësonte të bëhej edhe gjuhë e shkrimeve liturgjike. Sa për krahasim mund të shërbejë ky fakt: një shekull para Gjon Buzukut, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në administratën e vet gjatë tërë kohës ka përdorur vetëm sllavishten dhe latinishten, e në asnjë rast nuk e ka përdorur shqipen. Nga ana tjetër, vetë autori i librit të parë në gjuhën shqipe, Gjon Buzuku, ka shkruar se më parë nuk kishte libra në gjuhën shqipe. Edhe pse Gjon Buzuku është një prift katolik dhe librin e shkroi dhe e botoi nën nxitjen e Kundërreformës së Vatikanit për të parandaluar përhapjen e Reformës protestane të Martin Luterit dhe të Islamit ndër shqiptarë, kjo vepër është dëshmi se gjuha shqipe në shekujt XV e XVI të sundimit osman kishte njohur zhvillim dhe kishte mbërritur aftësinë që të bëhej gjuhë e shkrimit. E dyta, Perandoria Osmane kishte tolerancë fetare, sepse lejonte përhapjen e librave fetare katolike në territoret të cilat prej shekujsh i qeveriste me sovranitet të plotë. Vetëm më vonë, kur filloi dobësimi i Perandorisë Osmane, ajo do të pranonte me presion Kultusprotektoratin austriak mbi katolikët e Shqipërisë si koncesion, e që do të shndërrohej në një lëvizje fetare katolike e në një aktivitet evident gjuhësor e kulturor ndër shqiptarë dhe mbikqyrjen ruse mbi ortodoksinë në Ballkan dhe në Shqipëri.
Krahas krijimit të ambientit për kultivimin e gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm dhe në shkrim, në shekujt XVI-XVIII u ndërtua një rrjet i madh i medreseve dhe i shkollave tjera të mësimit islam, nga të cilat dolën një numër i madh i intelektualëve islamë. Shkrimtarët alamiadistë shqiptarë si Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami-Kyçyku, pastaj rilindasit Naim e Sami Frashëri, formimin e parë e morën në shkollat vendëse islame. Gjeneratat e shqiptarëve të formuar në këto shkolla islame mandej u bënë ideatorë dhe ideologë të krijimit të kombit shqiptar si reaksion ndaj projektit nacionalist turkomadh për asimilimin e shqiptarëve. Projekti nacionalist turkomadh që u shfaq në Perandorinë Osmane me reformat e Tanzimatit të vitit 1830 ishte nën ndikimin dhe nën presionin e shteteve të mëdha europiane, të cilat kishin formuar konceptin e kombit – shtet. Reformat e bazuara në këtë koncept të kombit – shtet u bënë katalizator i konflikteve brenda muslimanëve që jetonin në Perandorinë Osmane dhe mandej i shpërbërjes së saj.Me një fjalë, ndikimi i Islamit në formësimin praktik të identitetit gjuhësor, kulturor, shtetëror dhe nacional dhe madje në faktorizimin e tyre demografik, është evident dhe në disa raste ka qenë vendimtar. Pra, nga ana e perspektivës historike, Islami ka rrënjë të thella në trojet shqiptare dhe ato rrënjë nuk mund të shkulen.
Meqë ky është një identitet islam i formësuar në rrjedhë të shekujve dhe të fateve dramatike, është e sigurt se është mundësuar vetëm me vullnetin e Krijuesit të Botërave. Prandaj, askush të mos ketë iluzione se mund të ndryshohen ligjet e All-llahut për të formësuar perspektivën e një individi, të një populli a një kombi. All-llahu ka shpallur qartë:
“Ai është që dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe, e mjafton All-llahu dëshmitar.” (Fet-h: 28)