Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë mbi shpërndarjen e një formulari në kopshtet e Tiranës, ku padrejtësisht dhe paligjshmërisht përmenden termat “prindi 1”, “prindi 2” dhe “të tjerë”. Ky veprim ka hasur edhe në indinjatën e prindërve të fëmijëve, të cilët na e kanë përcjellë këtë shqetësim të tyren. E si mund të diskutohet heqja e fjalës nënë dhe baba, kur dihet botërisht se fëmija për herë të parë belbëzon plot emocion rrokjet “ma” e “ba”?!
Termat nënë dhe baba e kanë shoqëruar njerëzimin qysh në agimin e historisë dhe do të vazhdojnë të jenë mëkim i dashurisë hyjnore në familje për fëmijët dhe vazhdimin e trashëgimisë njerëzore dhe ruajtjen e kësaj vazhdimësie. Familja është një koncept hyjnor te të gjitha religjionet dhe bashkësitë fetare të pranishme në Shqipëri. Familja është garantuese e mbarëvajtjes së shoqërisë shqiptare dhe sulmi ndaj saj është i pajustifikueshëm.
Provokimi i opinionit me këtë formular i tejkalon kompetencat e organeve, që janë përgjegjës për menaxhimin e kopshteve. Ne i respektojmë minorancat dhe nevojat e tyre, por asnjë pakicë nuk mund të lejohet ta kthejë demokracinë në një diktaturë minorancash. Nisma të tilla e cenojnë dhe e dëmtojnë shoqërinë shqiptare me padrejtësinë që mbartin, prandaj si të tilla nuk janë të pranueshme as edhe nga logjika e shëndoshë. Për këtë i bëjmë thirrje organeve përgjegjëse që ta heqin këtë formular nga qarkullimi, i cili bie ndesh me vullnetin e shumicës dhe të kërkojnë ndjesë publike.