FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV

T’i jepet fund dhunës në Siri

8/02/2012


Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje gjatë gjithë këtyre muajve ngjarjet që po zhvillohen në Siri dhe e ka parë me shumë shqetësim situatën e krijuar në këtë vend të botës islame. Shkëndija e revoltave për liri që nisi nga Tunizia nuk kishte se si të mos përfshinte edhe Sirinë, zemra e tokave të Shamit, dhe një nga djepet e qytetërimit islam. Populli i Sirisë, ashtu siç do popull tjetër i lirë i botës meriton të drejtën e vetëqeverisjes, pushtet ky i zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike.

 Asnjë  sekt apo klan i caktuar nuk mund të trashëgojë përjetësisht një pushtet të marrë me dhunë dhe kundra dëshirës së popullit të tij. Siria është vendi i njerëzve të lirë të cilët kurrsesi nuk e meritojnë të shtypen nga dhuna gjakatare e tankeve të qeverisjes diktatoriale të regjimit të Esedit. Në javën e fundit, që nga data 2 Shkurt tiparet e masakrës u qartësuan. Forcat e regjimit sirian intensifikuan sulmet e tyre në qytete të ndryshme, sidomos në Homs, Zabadani dhe në lagjet e Damaskut, Rastan, Medaya, Wadi Barada, Figeh, Idlib dhe në fshatrat e malit Zawija. Që nga java e kaluar deri tani janë vrarë më shumë se një mijë persona të pafajshëm, shumë prej tyre fëmijë dhe janë shkatërruar me qindra shtëpi duke u shembur mbi trupat e njerëzve .


Forumi Musliman mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare legjitime, të cilat kërkojnë përfundimin e dhunës dhe plojës së gjakut që kaplon çdo ditë e më shumë këtë vend, mes tyre edhe misionin e Ligës Arabe me dërgimin e vëzhguesve të saj, përfundimi i të cilit rikonfirmoi vërtetësinë e lajmeve të kobshme, që po na përcillen nga ky vend.
Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh solidaritetin e tij me popullin sirian, mbështet aspiratën e tij për të jetuar i lirë në vendin e tij dhe dënon masakrat e kryera nga regjimi tiranik i Beshar Esedit.

Forumi Musliman po ashtu dënon të gjitha përpjekjet e huaja, të dukshme dhe të padukshme, që nisur nga interesa sektare dhe politike, synojnë t’i zgjasin jetën këtij regjimi gjakatar apo synojnë të krijojnë pas rrëzimit të tij një realitet artificial, që nuk i përgjigjet dëshirës, vullnetit dhe aspirate vetë këtij populli musliman.

Kryetari
Fisnik Kruja