FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË e përshëndet përzemërsisht “Plaftformën Për Familjen dhe Jetën”, si dhe të gjithë aktivistët e saj dhe të gjithë ato shoqata që e mbështesin këtë platformë për këtë nismë sa fisnike dhe aq të dobishme për shoqërinë shqiptare në të dy anët e kufirit. Qëndrimet e qarta dhe të kthjellëta në dobi të familjes janë me të vërtetë ato që nevojiten në këto kohë të turbullta dhe me këtë rast i bëhet me dijeni të gjithë faktorit politik shqiptar dhe jo vetëm deputetëve, që sado probleme të ketë familja shenjtëria e saj nuk mund të cenohet. Feja dhe familja janë të shenjta për të gjithë Shqiptarët kudo ku janë, prandaj edhe kjo platformë ka mbështetjen tonë dhe të gjithë Shqiptarëve që banojnë në trojet e veta dhe në diasporë. Ne duhet të angazhohemi në ndërtimin e një kulture nderimi, miqësie dhe solidariteti në familje dhe shoqëri.
Familja shqiptare ka nevojë të dukshme sot për më tepër edukim cilësor dhe kohezion social, i cili mund të sigurohet me më shumë mirëqenie dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Në vijim do të gjeni të plotë tekstin e kësaj platforme:
Platforma Për Familjen dhe Jetën!
Ju prezantojmë me platformën “Për Familjen dhe Jetën” e cila është iniciativë e shumë OJQ-ve dhe individëve në Kosovë, dhe vjen si rrjedhojë e iniciativës për miratimin e Kodit Civil të Kosovës, ku ndër të tjera ka disa paragrafe qe ne nuk pajtohemi me to dhe mendojmë se duhet të ketë debat më të gjerë para se ky Kod të kalon në hapa të mëtutjeshëm.
Kjo platformë ka për qëllim promovimin e vlerave tradicionale dhe rëndësinë e familjes në jetën tonë shoqërore dhe publike.
Që nga zhvillimi i logos kemi dashur të përçojmë mesazh të dashurisë, bashkimit, mirëkuptimit dhe lojalitetit të vlerave tona tradicionale kombëtare, e asnjëherë ndasi, urrjetje, nënçmim apo armiqësi.
Njeriu për nga natyra është qenie sociale dhe nuk mund të jetojë i vetëm. Ura lidhëse ndërmjet njeriut si individ dhe shoqërisë është familja.
Njeriu e mëson artin e sjelljes në shoqëri nëpërmjet familjes dhe nëse nuk ekziston familja realisht nuk do të ekzistojë as shoqëria, vetëm do të ketë një grumbull njerëzish të cilët për të qëndruar së bashku do të trillojnë raporte të ndryshme.
Për të ekzistuar individi dhe shoqëria duhet të ekzistojë familja natyrore. Familja natyrshëm ngrihet mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Kjo është esenca antropologjike e themelit të ekzistencës së fëmijëve. Pra, çdo devijim nga kjo do ta cenoj institucionin familje.
Për këtë jemi pro çdo vlere e cila e ruan dhe e ndërton shoqërinë dhe jemi kundër çdo cenimi, i cili cenon ekzistencën e familjes.#PerFamiljen#PerJeten