Deklaratë për Shtyp / ARKIV

FMSH shqetësohet nga fushata kristjanizuese dhe abuzimi me Nënë Terezën

19-shtator-07

Forumi Musliman i Shqipërisë, ndjehet i shqetësuar për mospërfilljen e organeve shtetërore për t’i dhënë përgjigje kërkesës së Kryesisë së Këshillit të Përgjithshmë të Bashkësisë Islame të Shqipërisë (përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të popullit tonë), e cila ka kërkuar që në kartën e identitetit të shtetasve shqiptarë, të mos vihet figura e Nënë Terezës, pasi në këtë mënyrë shkelet karakteri laik i shtetit shqiptar, i sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Sipas kësaj kushtetute, shteti ynë duhet të respektojë besimet fetare të gjithësecilit, të marrë në mbrojtje lirinë e besimit dhe bashkësitë fetare, dhe nuk duhet të mbajë anën e asnjërës prej tyre. Por në vend që të bëj këtë, qeveria jonë ka shpallur në ditët e fundit ‘dhjetë ditët e Nënë Terezës’, duke kaluar çdo masë në ekzagjerimin e gjërave.

Forumi Musliman i Shqipërisë, shpreh keqardhje që figura e respektuar e Nënë Terezës po keqpërdporet për qëllime politike në këtë mënyrë.

Tashmë është e qartë për këdo, se për të realizuar objektivin e tyre dhe futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian, politikanët tanë rendin të përfitojnë nga çdo rast, për të vënë në dukje ‘rrënjët kristjane’ të popullit tonë, pavarësisht se shumica e shqiptarëve kanë shekuj që janë shkëputur prej tyre.

Forumi ynë vë re me keqardhje që politika jonë sot po vazhdon të ndjekë vijën e përcaktuar më parë nga ish-presidenti Alfred Moisiu, të shpallur në fjalimin e tij në Unionin e Oksfordit në nëntor 2005, kur deklaroi se ‘shqiptarët nuk janë muslimanë, dhe po ti gërvishtës pak dalin të krishterë’. Zoti Moisiu në mënyrë spekulative dhe cinike, si shqiptarë klasifikonte vetëm ata që jetojnë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, ndërsa shqiptarët që rrojnë në trojet etnike në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku shumica dërrmuese e tyre janë të fesë islame, ua hoqi kombësinë me një të rënë të lapsit.

Për të afishuar përpara Evropës ‘rrënjët kristjane të shqiptarëve’, kohëve të fundit në vendin tonë po ngrihen kudo buste të Nënë Terezës dhe emrin e saj po e marrin institucione, sheshe dhe objekte të rëndësishme. Kulmi i kësaj fushate kult-ndërtuese u arrit së fundi kur në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, u përurua shtatorja e saj në formë kryqi, pamja e së cilës do të jetë kontakti i parë i çdo të huaji që viziton Shqipërinë.

Në shërbim të këtij afishimi edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu (të cilin rilindasit tanë me mençuri ia dolën që ta bëjnë të pranueshëm si hero kombëtar për të gjithë shqiptarët si simbol bashkimi, lirie dhe rezistence), kohët e fundit ka filluar të paraqitet si ‘atlet i Krishtit’, ‘shpëtimtar i Evropës së Krishterë nga rreziku osman’ etj.

Politikanët tanë janë aq të obsesionuar nga strategjia e tyre për t’i paraqitur shqiptarët përpara Evropës ashtu siç nuk janë, saqë nuk duan t’ia dinë edhe nëse presidenti Xhorxh W. Bush i karakterizon ata si ‘muslimanë që jetojnë në paqe’, apo kur znj. Doris Pack deklaron që përkatësia islame e shumicës së shqiptarëve nuk është aspak pengesë për pranimin e vendit tonë në BE, madje nuk përbën pengesë as fakti që Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Konferencës Islamike.

Me vendosjen në kartat e identitetit të shtetasve shqiptarë të figurës së Nënë Terezës, të cilën Kisha Katolike po përgatitet ta shenjtërojë, politika jonë synon të ngjyrosi të gjithë shoqërinë shqiptare me një imazh të krishterë.

Përballë kësaj fushate kristjanizuese, ne e kemi të vështirë të kuptojmë, nëse me të vërtetë politikanët tanë duan që të tregohen më katolikë sesa Papa?