FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

Shkodër më, 19/ 03/ 2006

Su: Deklaratë kundër vendosjes së bustit të Nënë Terezës në Shkodër

Qytetarët e Shkodrës, përmes mediave lokale, morën informacion se, Këshilli Bashkiak në një mbledhje të rradhës do të miratojë vendosjen e shenjtores katolike, Nënë Tereza, në hyrje të qytetit.

Ne jemi në dijeni dhe jemi dakort me vlerësimin, që i është bërë kësaj figure bamirëse në vendin tonë, duke i dhënë emrin e saj, shesheve, spitaleve dhe aeroportit të Tiranës. Gjithashtu, e quajmë të drejtë vendosjen e bustit të saj, pranë Universitetit të Tiranës, me motivin, se është një bamirëse e njohur. Por, vendosja e bustit të kësaj figure fetare katolike në qytetin e Shkodrës, ku atmosfera fetare nuk është shumë e qetë, kujtojmë kryqet e vendosura dhe më pas të prerë në Bushat, që po ndiqen nga vendosja e kryqeve të tjerë në Beltojë, këmbënguljen e pandërprerë, për ta kthyer Xhaminë e Kalasë në kishë, duke i shtuar këtyre edhe raportet e njëanëshme fetare, në administratën e niveleve të ndryshme në qytetin tonë, na bëjnë të mendojmë se në Shkodër individë ose grupe individësh, po përpiqen të zbatojnë një strategji, e cila cënon tolerancën ndërfetare në qytetin tonë.

Komuniteti i muslimanëve të Shkodrës, e ndjen si detyrë parësore të kontribuojnë për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare, e cila ka qënë dhe është një vlerë, me të cilën qytetarët shkodranë janë krenuar gjithmonë. Por, planet për të vendosur në hyrje të qytetit bustin e një shenjtoreje katolike janë një cënim direkt që i bëhet kësaj tolerance duke manifestuar haptaz një tendencë e cila mund të sjellë pasoja që mund t’i ndjejnë nesër të gjithë qytetarët në qytetin tonë.

Respektimi i Komuniteteve Fetare nga njëri tjetri ka qënë dhe duhet të jetë ndër themelet më të rëndësishmëm mbi të cilat është ndërtuar bashkëjetesa në qytetin e Shkodrës. Ne mendojmë se motivi për të vendosur këtë bust nuk është i mjaftueshëm sa të sjellë aprovimin për vendosjen e tij. Busti i një shenjtoreje katolike në hyrje të qytetit laik, me komunitete fetare të përziera është përpjekje e hapur për ta vënë në pozitë shumë të vështirë tolerancën ndërfetare të qytetin e Shkodrës.

Muslimanët e Qytetit të Shkodrës njihen për respektin që kanë treguar gjithmonë ndaj komuniteteve të tjera fetare, respekt të cilin e kanë kërkuar dhe e kërkojnë edhe nga këto komunitete. Prandaj, përpjekjet dhe planet pët të vendosur bustin e kësaj shenjtoreje katolike në vendet publike i quajmë një provokacion të rradhës që tensionon bashkëjetesën në qytetin tonë, veprime që shkojnë në interes të atyre që përpiqen t’i bëjnë fakte të kryera veprime të tilla kaq të rrezikshme. Ne mendojmë se buste të tilla duhen vendosur në ambjente fetare sepse vetëm në ambjente të tilla atyre u rriten vlerat dhe njëkohësisht pasurojnë vlerat e vendeve fetare ku ato vendosen.

Ne e ndjejmë për detyrë t’i drejtohemi Bashkisë Shkodër dhe në veçanti Kryetarit të Bashkisë, z. Artan Haxhi, Këshillit Bashkiak dhe Prefektit të Shkodrës duke u kërkuar për të rishikuar këtë projekt i cili ka shqetësuar dhe irrituar komunitetin musliman të qytetit. Duke vazhduar kërkesën në këtë linjë ne u kërkojmë atyre që të japin një zgjidhje e cila nuk prek tolerancën ndërfetare në qytetin tonë. Po kështu i bëjmë thirrje drejtuesve të komuniteteve fetare në Shkodër që të angazhohen drejtpërsëdrejti për një zgjidhje optimale të kësaj çështjeje, sepse ato janë pjesë e rëndësishme e ruajtjes së kësaj tolerance.

Në mënyrë të veçantë u bëjmë thirrje antarëve të Këshillit Bashkiak që të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë shqetësimin tonë duke e trajtuar me shumë përgjegjësi karakterin delikat të vendosjes së këtij busti në vende publike.

Ne u kujtojmë atyre se votimi në Këshillin Bashkiak i kësaj nisme është për anatarët e Këshillit Bashkiak një gur prove i rradhës për të treguar seriozitetin, qytetarinë, përgjegjshmërinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë para qytetarëve të Shkodrës për ti dhënë zgjidhjen e duhur kësaj çështje dhe duke synuar dhe u fokusuar në ruajtjen e tolerancës ndërfetare në qytetin e Shkodrës, me të cilën ky qytet dhe qytetarët e tij janë krenuar gjithmonë.

SHOQATA BAMIRËSE ISLAME SHKODËR

SHOQATA E INTELEKTUALËVE MUSLIMAN – DEGA SHKODËR

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË – DEGA SHKODËR NJË BASHKËSI QYTETARE E SHKODRËS