ARKIV
Në rubrikën Forum të gazetës “Korrieri”, datë 9 gusht 2005, është botuar shkrimi i analistit Baton Haxhiu, me titull ”Kthimi i njeriut”. Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh shqetësim për idetë e shprehura në këtë shkrim dhe në përgjithësi për frymën e tij të profetizimit të apokalipsit “të përplasjes së qytetërimeve” dhe rolit të muslimanëve shqiptarë në të.
Shqetësimi ynë bëhet edhe më i kuptueshëm për faktin që tani është bërë i dukshëm për të gjithë, se Feja Islame në shqipëri po përballet me një terror të vërtetë mediatik. Kur njeriu lexon titujt bombastikë dhe sensacionalë të shtypit të shkruar, pavarësisht se zhgënjehet menjëherë nga përmbajtja e shkrimeve nën to, nuk ka sesi të mos ndikohet dhe të mos krijojë në mendjen e tij një stereotip negativ për të gjithë muslimanët “en bloc”.
Nuk mund të jemi të një mendje me z. Baton Haxhiu kur ai shprehet “…por një pjesë e jona është kundër vlerave amerikane!” Kuptohet se në këtë rast është fjala për muslimanët.
Duam t’i bëjmë të qartë opinionit, se Feja Islame i obligon besimtarët muslimanë që në çdo gjykim për ngjarjet, qofshin ato shoqërore apo politike, duhet të orientohen nga objektiviteti dhe drejtësia. Në këtë aspekt nuk ka sesi muslimanët shqiptarë, pa asnjë dallim, të mos kenë ndjerë mirënjohje, për mbrojtjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë popullit musliman të Bosnjes, e për më tepër popullit musliman shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni. Muslimanët shqiptarë nuk ka sesi të mos ndjehen të inkurajuar, kur senatorja Hillari Klinton mbron çështjen çame në Kongresin Amerikan, dhe deklaron se amerikanët kanë ndërhyrë në Ballkan për të ndihmuar muslimanët e Kosovës nga gjenocidi i të krishterëve serbë.
Megjithatë në mesin e muslimanëve shqiptarë, ka pakënaqësi kur politika amerikane në Lindjen e Mesme mbështet politikat pushtuese kundër palestinezëve, dhe nuk duhet të çuditemi kur ndër muslimanët gjen njerëz që kundërshtojnë sulmin amerikan në Irak, ndërkohë që një gjë e këtillë bëhet edhe nga një pjesë shumë e mirë e popullit të krishter amerikan e britanik, dhe nga vetë OKB-ja.
Logjika e z. Baton Haxhiu, që shqiptarët pa dallim, duhet të pozicionohen pa rezerva ose “pro vlerave” amerikane, ose kundër tyre; që ne i lexojmë si mbështetje për politika të caktuara, që nuk kanë të bëjnë me realitetin shqiptar, pa dashur na sjell në kujtesë atmosferën dhe mendësinë e epokës kur në rajonin tonë sundonte ideologjia totalitariste.
Gjithësesi, për mendimin tonë, z. Baton Haxhiu merr përsipër një barrë të rëndë kur shprehet: “Bota myslimane e ktheu njeriun në jetë, por jo si fenomen të karizmës dhe fuqisë individuale, as të cilësimeve të forta për të ndërruar sistemin në veten e parë, por e ktheu njeriun si virus të sistemit. Njeriun bombë. Njeriun vetëflijues…”
Sigurisht në hapësirën e këtij reagimi nuk është e mundur të parashtrojmë një kundërshtim shterues të këtyre pikëpamjeve, por do të donim të tërhiqnim vëmendjen e lexuesit se termi “njeri bombë” (kamikaxe) është shfaqur për herë të parë në Luftën e Dytë Botërore dhe s’ka të bëjë aspak me Islamin, ndërsa “njeriu vetëflijues” është shfaqur në historinë e njerëzimit qysh nga lashtësia.
Zoti Haxhiu, duket i fiksuar në idenë e tij, se bota tashmë ndodhet në prag “të përleshjes së qytetërimeve” dhe kërkon që shqiptarët të zgjedhin detyrimisht njërin front. Sipas tij, ata nuk mund të rrinë edhe me Perëndimin edhe me Lindjen, ndërkohë që amerikanët, britanikët, francezët, gjermanët, grekët etj., mund ta bëjnë këtë.
Ne, duam ta qetësojmë z. Haxhiu, duke i sjellë ndër mend se në të gjithë historinë e njerëzimit, përgjithësisht qytetërimet nuk janë përplasur ndërmjet tyre, përveçse për interesa ekonomike. Feja në këto raste ka shërbyer si pretekst.
Shqetësimi më i madh i Forumit Musliman të Shqipërisë është fakti se shkrimi i z. Haxhiu, se dhe shumë shkrime të tjera që janë dukur në faqet e shtypit shqiptar, i bëjnë jehonë përpjekjeve të politikës serbe, e cila synon që shqiptarët muslimanë t’i portretizojë si “fondamentalistë islamikë,” që përbëjnë rrezik potencial në rajon, duke u rrekur të hutojnë faktorin ndërkombëtar në lidhje me realizimin e pavarësisë së Kosovës.
–Forumi Musliman i Shqipërisë