FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË reagon ndaj Gjuhës agresive të përdorur nga SHQIPTARJA.COM                                                                                                                           ARKIV/ 25/11/2012
 

Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim shkrimin e Shqiptarja.com ku fatkeqësisht është përdorur një gjuhë e ashpër dhe e pamerituar ndaj muslimanëve nga gazetarët dhe drejtuesit e stafit të Shqiptarja.com. Në shkrimin “Nga Tirana në Siri vdes kundër Asad” gazetarët e Shqiptarja.com në kërkim të lajmit të parë nuk kanë ngurruar të përdorin një gjuhë të ashpër dhe fyese ndaj muslimanëve dhe ndaj protagonistëve të këtij shkrimi. Ata janë etiketuar me forma fyese të zhargonit ordiner: “me mjekra si furça”, “kamikazë” etj. E gjitha kjo shkon ndesh me traditat e shqiptarit të fyesh dhe të sulmosh njerëzit, sidomos pas vdekjes. Lajmi i parë është një tregues për aftësitë e gazetarit dhe gazetës, por kjo nuk do të thotë që për ta arritur lajmin e parë duhet të fyesh e sulmosh njerëzit dhe t’i përflasësh pa të drejtë.

Në asnjë moment në dy faqe gazete nuk flitet, për arsyet që mund ta kenë çuar një djalosh të ri, i martuar dhe me tre fëmijë të luftojë në Siri. Situata është paradoksale, ashtu siç na paraqitet nga gazetarët, në një kohë kur dihet shumë mirë se Asadi është një komunist kriminel, i cili po mbron me mizori karrigen dhe partinë e vet. Të mos harrojmë këtu, se shqiptarë ishin ata që shkuan në Spanjë dhe luftuan kundër diktatorit Franko, ku edhe u vra djaloshi Ramiz Varvarica. Njerëzit tashmë nuk mund të frikësohen me statusin e gazetarit, duke iu bërë presion për të nxjerrë lajmin. Ne ndjehemi të fyer për mosrespektin e treguar nga gazetarët për figurën e djaloshit, si dhe të imamëve emrat e të cilëve janë trajtuar në këtë shkrim. Në fjalët e tyre ndihen notat e islamofobisë, racizmit dhe të keqdashjes. Iu bëjmë thirrje të ndërrojnë gjuhën dhe të mos nxisin urrejtjen ndërmjet klasave të ndryshme në shoqërinë shqiptare, por t’i kthehen pozicionit të gazetarit me besnikëri dhe pa marrë pozicione diskriminuese.