Letër drejtuar hoxhallarëve shqiptarë mësuesve tonë

 

I dashur imam dhe vlla,

Unë që po të shkruaj jam një xhemat i një prej xhamive të Tiranës dhe ajo që po të drejtohem ty është një shqetësim i përbashkët për të dy ne. Shqetësimi për FAMILJEN. Familjet tona përveç halleve të ndryshme ditore dhe problemeve e sprovave që na dërgon Allahu i Madhëruar në këto ditë gjenden para një presioni shoqëror, i cili vjen nga shumë drejtime dhe për ne të gjithë nuk është aq e lehtë të kalojmë pa u sprovuar me diçka. Një nga dyert nga e cila po na trokasin sprovat dhe të këqijat në këto ditë është pikërisht FAMILJA. Zhvillimet e fundit nëpër botë dhe pikërisht këtu ku ne po jetojmë po tregojnë, se jemi nën një presion të jashtëzakonshëm nga ideologjitë e ndryshme bashkëkohore, që nuk kanë të bëjnë aspak me fenë tonë dhe të parët që e ndjejmë presionin jemi ne prindërit e tyre.
Por po ashtu edhe fëmijët tonë janë shumë të ekspozuar ndaj të këqijave dhe veseve negative, të cilat po na shërbehen si gjëra normale. Prandaj na duhet një përpjekje e përbashkët, që të ballafaqohemi me presionin që vjen nga ekranet televizive, interneti, sistemi shkollor etj.
Unë e pashë të arsyeshme të drejtohem ty dhe të gjithë vllezërve të mi, që si puna ime janë familjarë të shqetësuar dhe të interesuar jo vetëm për familjen, por edhe për davetin e fesë tonë. Në mësimet tuaja dhe në komunikimet e përditshme me xhematin, apo edhe këdo ne duhet të kemi parasysh se familja jonë ka rëndësi dhe një familje e shëndoshë ndërtohet me një edukim të shëndoshë fetar. Prandaj edhe ne duhet të përpiqemi së bashku, që jo vetëm fëmijët tonë, por të gjithë fëmijëve të kujtdo qofshin ata, t’u japim një edukatë të ndershme, ku pastërtia dhe sinqeriteti të mbizotërojnë.
Dashuria për nënën e babën të jenë parësore, por gjithashtu edhe për shokun apo për shoqen e shkollës. Dashamirësia dhe sinqeriteti duhet të jenë në qendër të fjalëve tona dhe ta shohim realisht njëri tjetrin si vllezër në Islam.
Mos ju duket e rastit që ideologjitë bashkëkohore nën petkun e përparimit dhe progresit duan ta shkëpusin individin nga jeta familjare dhe të nxisin egoizmin e shfrenuar, pa një solidaritet shoqëror. Shfrenimet në marrëdhëniet seksuale dhe për jetën e shthurur jo më kot paraqiten si normale, duke ua hequr vëmendjen dhe duke i devijuar. Aksionet e bamirësisë sociale janë një fushë që fëmijët tonë duhet të jenë pjesëmarrës për t’u ndjerë edhe ata kontribues realë të bamirësisë që na urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij. Familja sot ka shumë probleme të brendshme, duke nisur nga dhuna brenda familjes e deri në varfërinë ekstreme, por ne nuk duhet të lejojmë që këto lloj problemesh të keqpërdoren nga zullumqarët kudo qofshin dhe kushdo që të jenë ata.
Është një punë e vështirë të jesh baba apo nënë, por kjo e bën më të lehtë misionin e davetit me njerëzit dhe sidomos me moshat e reja, të cilët ne duhet të tregojmë mirëkuptim dhe mëshirë ashtu si na mëson edhe i Dërguari jonë. ‘Nuk është prej nesh kush nuk i mëshiron të rinjtë tonë dhe nuk i respekton të vjetrit tonë’!
Ne duhet të jemi së bashku PRO FAMILJES, PRO MORALIT – PRO JETËS.
Me respekt vllai juaj Roald A. HYSA
Sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë