FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË    

Letër Ministrit të Drejtësisë

3/4/2013 / ARKIV
 

BISMILAHIR- RRAHMANIR- RRAHIM

ME EMRIN E ZOTIT, TË GJITHËMËSHIRSHMIT, MËSHIRUESIT

z. Eduard Halimi,
Ministër i Drejtësisë

Për dijeni:

z. Bujar Nishani,
president i Republikës së Shqipërisë

z. Sali Berisha,
kryeministër i Republikës së Shqipërisë

z. Ilir Rusmali
kryetar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë

z. Eugen Wollfarth
kryetar i prezencës së OSBE



I nderuar Z. Ministër,

Forumi Musliman i Shqipërisë ka nderin t’ju përcjellë përshëndetjen më të ngrohtë islame “Paqja e Zotit qoftë mbi ju”.

Së pari, ju shprehim konsideratën e lartë për personin tuaj dhe institucionin që ju përfaqësoni. Jemi të ndërgjegjshëm për faktin se atdheu ynë, Shqipëria, po kalon një periudhë transformimesh të rëndësishme, transformime që me shpresën e Zotit do të arrijnë të orientohen në kahjen e duhur, duke sjellë një ardhmëri të sigurt për vendin tonë. Në këtë kuadër, sfidat dhe sprovat që kemi kaluar të gjithë së bashku, që nga fillimi i transformimeve demokratike dhe deri në ditët e sotme, na kanë bërë të vetëdijshëm për rolin dhe kontributin që gjithsecili prej nesh duhet të ketë në këtë shtet dhe tek kjo shoqëri. Ky kontribut duhet të shërbejë jo vetëm për ndërtimin e një mjedisi të përshtatshëm, në të cilin duam të jetojmë, por mbi të gjitha për kultivimin e një terreni të begatshëm mbi të cilin do të ngrihet formimi i brezave të ardhshëm.

Regjimi komunist la mbresa negative të pashlyeshme tek populli shqiptar. Si një regjim unik në llojin e tij, ai shpalli me solemnitet ndalimin e një prej të drejtave më themelore të njeriut, të drejtën e besimit, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e vetëm ateist në botë. Kujtojmë këtu që të gjitha religjionet, ndër të cilat edhe Islami, kishin shekuj që kishin zënë rrënjë në ndërgjegjen dhe jetën e popullit shqiptar. Për këtë shkak lufta ndaj fesë nuk qe një luftë thjesht dhe vetëm institucionale, nëpërmjet nxjerrjes së dekreteve apo ligjeve që ndalonin veprimtaritë fetare dhe shfaqjen e lirisë së besimit, por pikësëpari ishte një luftë ideologjike, propagandistike, një luftë e cila synonte të godiste vetëdijen e shëndoshë fetare të shqiptarit. Në këtë mënyrë ata që akuzonin fenë si “opium për popullin”, në të vërtetë ishin duke e servirur vetë “opiumin”. Megjithatë rigjallërimi i shpejtë i fesë si dhe i institucioneve të saj, tregoi qartë që ky komponent i rëndësishëm i jetës së njeriut, besimi, nuk ishte zhdukur, ai thjesht ishte fshehur për t’u mbrojtur nga stuhia e acartë me emrin komunizëm. Përpjekja për të ndërtimin e njeriut të ri dhe ideologjia që e përfaqësonte kishin dështuar përballë madhështisë së besimit. Bima kacavjerrëse nuk mund ta kishte jetën e gjatë përballë lisit shumë-shekullor.
Ngjarjet që pasuan ardhjen e pranverës së demokracisë treguan që sëmundja pesëdhjetëvjeçare kishte lënë pasoja tek një pjesë e njerëzve. Ende sot e kësaj dite ekzistojnë mbeturina të paragjykimeve ndaj fesë, si gjoja përfaqësuese e prapambeturisë dhe e stanjacionit.
Z. Ministër, feja ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një element substancial në jetën e shqiptarit. Ajo ka qenë bashkudhëtare e tij ndër shekuj, duke përbërë një nga shtyllat mbi të cilin ai ka ngritur familjen, shoqërinë dhe shtetin. Feja dhe atdheu kanë qenë dy substratet mbi të cilat populli shqiptar ka ndërtuar identitetin e tij. Parimet e përbashkëta morale dhe afria botëkuptimore ka qenë për vendin tonë ura lidhëse ndërmjet feve të ndryshme dhe ithtarëve të tyre. Mjafton të kujtojmë këtu, që një pjesë e madhe e firmëtarëve të aktit të pavarësisë si dhe e atdhetarëve të tjerë shqiptarë, kanë qenë teologë e njerëz të fesë. Gjithashtu edhe disa prej drejtuesve të parë të shtetit shqiptar kanë pasur të njëjtin status si p.sh, kryetari i senatit në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit, zëvendëskryeministri i kësaj qeverie, përfaqësues të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve apo edhe kryebashkiakë të Tiranës në periudhën 1924 – 1939. Pra përfaqësuesit e fesë në këtë kohë kanë përbërë pjesën më intelektuale të shoqërisë, duke marrë në dorë fatet e vendit, në një periudhë të historisë në të cilën vihej në diskutim ekzistenca e tij, dhe duke mbrojtur me fanatizëm identitetin kombëtar, integritetin territorial dhe pavarësinë e atdheut tonë. Në këtë prizëm, askush nuk mund ta hedhë poshtë rolin e pazëvendësueshëm, që ka luajtur feja dhe ndërgjegjja fetare në jetën e popullit tonë.
Z. Ministër, pas këtij parashtrimi, ne, Forumi Musliman i Shqipërisë, po ju drejtohemi përmes këtyre rreshtave për të ndarë me ju shqetësimin që ka lindur së fundmi, jo vetëm për këtë organizatë dhe besimtarët e fesë Islame, por edhe për besimtarët e të gjitha feve e madje për pjesën dërrmuese të popullit shqiptar.

Në tryezën e rrumbullakët që u zhvillua së fundi, me pjesëmarrjen e aktorëve më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare dhe me tematikë që lidhej me ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kodin Penal, ndër të tjera u diskutua edhe kriminalizimi i fenomenit të homofobisë.
Në radhë të parë, duam që t’iu shprehim mbështetjen tonë të plotë për sa i përket ashpërsimit të dënimeve për disa vepra penale, e sidomos veprat më të rënda, që lidhen me marrjen e jetës së zyrtarëve të lartë, apo punonjësve të policisë, për shkak të detyrës. Goditja e përfaqësuesit të shtetit nuk cenon vetëm marrëdhënien juridike të vendosur për mbrojtjen e jetës së tij si person, por mbi të gjitha godet themelet e shtetit, besimin e qytetarit tek aftësia e këtij të fundit për t’i siguruar rendin dhe sigurinë, si dhe integritetin e institucioneve, çka përbëjnë gurët themeltarë të implementimit të shtetit të së drejtës. Fenomene të tilla duhet të goditen me forcën më të ashpër të ligjit dhe në të njëjtën kohë duhet të sensibilizohet opinioni publik për respektimin e ligjit, institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre, cilët do qofshin ata. Kriminaliteti që drejtohet kundër autoritetit të shtetit ka shkaqe mikro e makro kriminogjene, për kurimin e të cilave, si dhe fenomeneve të tjera negative të shoqërisë tonë, jemi gati të japim kontributin tonë të pakursyer, si një faktor me peshë në shoqërinë shqiptare.
Nga ana tjetër, duam t’ju vëmë në dukje me po aq forcë, se disa pseudoprobleme po amplifikohen pa të drejtë nga disa drejtues institucionesh, duke i bërë të shfaqen si çështje alarmante, që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke i ngritur në nivelin e kritereve të domosdoshme për vazhdimin e rrugës së Shqipërisë në proceset integruese për në Bashkimin Evropian, e duke eklipsuar problemet e vërteta të shoqërisë shqiptare. Shprehim indinjatën tonë të thellë në lidhje me qëndrimet e mbajtura së fundi nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, e në mënyrë të veçantë nga titullari i këtij institucioni, z. Igli Totozani në lidhje me të ashtuquajturin problemi i homofobisë. E theksojmë, në mënyrë të veçantë nga titullari i institucionit pasi vërejmë një ekses të pajustifikuar nga ana e tij, në lidhje me këtë çështje. Interesimi dhe vëmendja e jashtëzakonshme e z. Totozani në lidhje me sa më sipër kalon edhe parashikimet më largpamëse të “shtresës” që ai mëton të mbrojë, çka nuk është vërejtur tek paraardhësi i tij, a thua se profesori i nderuar, të cilin ka zëvendësuar nuk e ka kryer detyrën e tij siç duhet në këtë aspekt. Nga ana tjetër nuk kemi vërejtur asnjë reagim nga institucioni i Avokatit të Popullit në lidhje me diskriminimin që i është bërë vajzave myslimane për shkak të veshjes që ato mbartin. Fatmirësisht ky problem i fundit është zgjidhur në rrugë legjislative pas sensibilizimit të mazhorancës për pathemelësinë e këtij diskriminimi dhe për këtë na lejoni të falënderojmë qeverinë së cilës ju i përkisni.

Z. Ministër, Në parashtrimin e objeksioneve tona për këtë problem tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare do të nisemi pse jo nga premisa morale, familjare dhe fetare, të cilat siç e theksuam edhe më sipër përbëjnë kolonat mbi të cilat është ngritur kombi ynë.
Së pari, na lejoni t’ju shprehim keqardhjen tonë të thellë për manipulimin që po tenton t’i bëjë opinionit publik z. Igli Totozani, për problemet më emergjente që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
Integrimi në Bashkimin Evropian është një prej ëndrrave të demokracisë shqiptare dhe synimeve që përpiqemi të arrijmë të gjithë së bashku. Procesi i integrimit është një proces i cili kërkon përmbushjen e disa standardeve dhe ndjekjen e disa hapave në këtë drejtim. Në rrugëtimin tonë për arritjen e këtyre standardeve ka disa prioritete të cilat janë pararendëse dhe disa zgjidhje opsionale, tek të cilat institucionet e Bashkimit Evropian kanë lënë hapësirë të gjerë vlerësimi për shtetet anëtare. Të gjithë e dimë se cilat janë prioritetet, që kërkohet të përmbushë vendi ynë, një ekonomi funksionale tregu, vendosja e shtetit të së drejtës dhe përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian. Sigurisht që tek vendosja e shtetit të së drejtës, thelbi përbëhet nga respektimi i të drejtave dhe lirive themelorë të njeriut. Pikërisht këtu deshëm të ndaleshim dhe të jepnim argumentet tona kryesore.

Sistemi i të drejtave dhe lirive themelore është tashmë një sistem i konsoliduar, për sa i përket identifikimit të këtyre të drejtave e lirive si dhe parimeve që udhëheqin mbrojtjen e tyre jo vetëm në vendet evropiane, por edhe në vendin tonë. Orientimi seksual, më tepër sesa një zgjedhje personale, nuk ka përbërë kurrë një të drejtë të denjë për të qenë pjesë e katalogut të të drejtave dhe lirive themelore. Për më tepër, një orientim seksual i panatyrshëm, përbën një kërcënim të hapur për moralin publik si pjesë qenësore e interesit publik. Ata që duan ta paraqesin moralin si një kategori relative dhe të ndryshueshme gabojnë rëndë pasi harrojnë origjinën metafizike të tij. Arsyet tona në këtë drejtim janë me origjinë sa shkencore aq edhe sociale. Fenomeni “LBGT” është sa i kundërnatyrshëm, aq edhe degradues për moralin e shoqërisë. Jo më kot në hyrje të kësaj letre që iu kemi drejtuar i nderuari Z. Ministër, përmendëm periudhën e errët komuniste dhe “moralin e ri”, që rrekeshin të përhapnin, i cili siç pritej nuk i rezistoi kohës, por la pasojat e tij.

Legjislatori shqiptar me miratimin e Kodit të ri Penal në vitin 1995, tek seksioni i veprave penale kundër moralit dhe dinjitetit, ndër të tjera parashikonte edhe homoseksualizmin. Ky ishte një qëndrim, i cili përputhej plotësisht me traditën legjislative të deri aso kohe, si dhe me traditën e botëkuptimin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë pas ratifikimit të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, i shtytur nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, u detyrua që me ndryshimet e vitit 2001, që iu bënë Kodit Penal, ta abrogonte këtë vepër penale, por duke e lënë të dënueshme moralisht dhe shoqërisht.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, edhe pse e konsideron shkelje të së drejtës për një jetë private të qetë (e parashikuar në nenin 8 të Konventës), kriminalizimin e orientimit të ndryshëm seksual, kurrë nuk i ka detyruar shtetet anëtare për t’iu akorduar të drejta të tjera, krahas asaj për të pasur një orientim të ndryshëm seksual, individëve “LBGT”. Vazhdimisht ajo është shprehur se është në vlerësimin e shteteve anëtare njohja e të drejtës për t’u martuar apo të drejtës për të birësuar fëmijë, kësaj shtrese. Kjo nuk do të thotë se këtyre individëve duhet t’u mohohen të drejta të tilla, si e drejta për liri dhe siguri, e drejta për një proces të rregullt ligjor, apo e drejta për të mos t’iu nënshtruar torturës apo dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, pasi këto të drejta kanë lidhje me të qenit njeri, por në të njëjtën kohë nuk mund t’iu njihet si e drejtë propagandimi i devijimit të tyre seksual pasi pikërisht kjo rrezikon interesin publik, duke sjellë një çoroditje psikologjike për brezat në formim e sipër.
Në përfundim të analizës së kësaj pike të parë duam të theksojmë se integrimi në Bashkimin Evropian nuk varet nga marzhi më i madh apo më i vogël i të drejtave që iu jepen kësaj kategorie, por nga prioritete të tjera shumë herë më të rëndësishme e për të cilat duhet të punojmë të gjithë së bashku. Ne duhet të bëhemi pjesë e familjes evropiane si shqiptarë, me moralin, fenë dhe traditat tona pasi duke pasur respekt për veten do të kenë edhe të tjerët respekt për ne. Tëhuajsimi nuk sjell veçse humbje të identitetit dhe nëpërkëmbje.
Së dyti, tradita e disa vendeve evropiane është thellësisht e ndryshme nga tradita jonë. Ne duhet të jemi krenarë për historinë, kulturën dhe traditat tona dhe nga ana tjetër duhet të marrim virtytet më pozitive nga shoqëritë perëndimore, siç janë disiplina, luajaliteti dhe altruizmi. Orientimi në vlerat e gabuara do të sillte disekuilibër dhe çoroditje në shoqërinë tonë, me kosto shumë të rënda për brezat e ardhshëm. Le të mbetemi origjinalë dhe të mos rendim pas festeve që nuk na përshtaten. Feja, kombi, familja dhe morali janë të shenjta për ne, për besimtarët dhe të gjithë popullin shqiptar.

Së treti, ajo që përbën konstatimin më shqetësues është fakti se nga ana e Avokatit të Popullit synohet të shkelet një nga të drejtat më themelore të njeriut, liria e shprehjes. Duke e ngritur në nivelin e veprës penale propagandën anti “LBGT”, synohet t’iu mbyllet goja të gjithë atyre që përpiqen të argumentojnë antihumanizmin e fenomenit në fjalë. Edhe nëse ne do të ishim të gabuar në këtë që po themi Z. Ministër, liria e shprehjes nuk mund të cenohet në asnjë mënyrë. Ajo përbën thelbin e një shoqërie demokratike. Si e tillë liria e shprehjes sanksionohet në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, si dhe në akte të tjera ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut etj.

Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka theksuar me forcë peshën që liria e shprehjes mbart në një shoqëri të lirë. Në çështjen Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar ajo ka deklaruar: “… është një nga shtyllat e shoqërisë demokratike, bazë për zhvillimin e saj dhe kusht për vetërealizimin e individit… Ajo nuk mund të përfshijë vetëm informacionet dhe opinionet e perceptuara pozitivisht, ose të konsideruara si të padëmshme, apo indiferente, por edhe të tilla që fyejnë, turbullojnë, apo që janë shqetësim për shtetin ose për një grup të caktuar të shoqërisë. Të tilla janë kriteret e pluralizmit, të tolerancës dhe të hapjes, pa të cilat një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë”. Gjithashtu edhe Këshilli Kushtetues Francez hodhi poshtë si antikushtetues një ligj të miratuar nga parlamenti francez, i cili synonte të sanksiononte si vepër penale mohimin e gjenocidit ndaj popullsisë armene gjatë luftës së parë botërore.
Një kërkesë për dënimin e të gjitha shprehjeve të papërshtatshme ndaj individëve “LBGT” synon në radhë të parë të ndalojë të gjithë ata predikues fetarë, që kanë për qëllim të ndërgjegjësojnë besimtarët për rrezikun që i kanoset moralit të shoqërisë nga fenomene devijante. E pohojmë me ndërgjegje të plotë, fenomeni “LBGT” ka një gjykim të qartë në të gjitha fetë, që praktikohen nga populli shqiptar, është një fenomen plotësisht i papranueshëm.
Z. Ministër, Si pjesëmarrës në hartimin e politikave shtetërore në fushën legjislative ju duhet të mbani parasysh dhe të vini në balancë interesat e grupit që pretendohet se po mbrohet me interesat e pjesës tjetër të shoqërisë. Individët që i përkasin grupit në fjalë kanë një zero përfaqësim në nivel kombëtar, shifrat e paraqitura prej tyre janë një trillim i vërtetë. Më tepër kjo është një përpjekje e importuar nga jashtë vendit nga grupe të ndryshme interesi, të cilat kanë një ideologji afetare të caktuar dhe qëllime të mirëpërcaktuara për të goditur pikën më të fortë të shoqërive fetare, moralin.

Ne si një organizëm jofitimprurës përmes kësaj letre nuk përfaqësojmë vetëm zërin e anëtarëve tonë, por e të gjithë besimtarëve myslimanë. Tagrin për të përfaqësuar interesat e këtij komuniteti e kemi demonstruar në shumë raste, kur problemet e ngritura prej nesh kanë marrë zgjidhje. Më tepër se kaq, për këtë problematikë që iu kemi parashtruar, përfaqësojmë shqetësimin edhe të të gjithë besimtarëve, si dhe të shumicës dërrmuese të njerëzve, të cilët ende i konsiderojnë të shenjta moralin dhe familjen. Në lidhje me sa më sipër ne jemi duke koordinuar përpjekjet tona edhe me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me komunitetet e tjera fetare si dhe me parti politike me një peshë të caktuar në arenën politike shqiptare.
Z. Ministër, Mos lejoni që pasionet e një individi apo edhe të një grupi të vogël njerëzish të shkaktojnë zemëratën e pjesës më të madhe të popullsisë dhe të sjellin si rezultat konflikte sociale, të cilat do të lënë pasoja të pariparueshme për të ardhmen. Nëse kjo nismë nuk ndalet që në këtë fazë, atëherë mund të krijohet një situatë e paparashikueshme, në lidhje me atë çfarë mund të pasojë.

Duke pasur pritshmërinë se kërkesa jonë do të merret parasysh, iu urojmë punë të mbarë në detyrën tuaj fisnike.

Tiranë më 03.04.2013

KRYETARI 

Fisnik KRUJA