FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp/ ARKIV
14 / 06 / 2005
Forumi Musliman i Shqipërisë, në lidhje me njoftimet që janë dhënë në shtyp, më datë 14. 06. 2005 bën sqarimet e mëposhtëme:
– në datë 14. 06. 2005, Gazeta Shqiptare në shkrimin mbi shoqatën tonë të titulluar ”Muslimanët, lind organizata paralele”, aludohet se shoqata jonë, “Forumi Musliman i Shqipërisë” është krijuar për të rivalizuar Komunitetin Musliman Shqiptar apo Bashkësinë Islame të Shqipërisë. Në këtë shkrim aludohet gjithashtu se Forumi Musliman i Shqipërisë është krijuar pas përpjekjeve për të ndryshuar nenin 2, pika 6 të statutit të KMSH-së.
Për sa më sipër Forumi Musliman i Shqipërisë (FMSH) deklaron se:
Kërkesa për krijimin e Forumit Musliman të Shqipërisë është bërë në Mars të vitit 2005 pranë gjykatës së rrethit Tiranë, kohë përpara mbledhjes së KMSH-së
Ndërsa vendimi i iniciatorëve të Forumit për themelimin e tij është marrë që në Janar 2005
Nismëtarët dhe grupi themelues i Forumit Musliman të Shqipërisë janë qytetarë të besimit islam (syni dhe bektashi) me profesione si inxhinierë, ekonomistë, juristë etj, që nuk kanë qënë ndonjëherë apo edhe nuk janë pjesë e strukturave të KMSH-së, dhe nuk kanë ndonjë lidhje me këtë organizatë
Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimet e të cilës janë:
a) të mbledhë rreth saj shqiptarë myslimanë (syni, bektashi dhe të sekteve të tjera) për të luftuar racizmin, ksenofobinë dhe islamofobinë në Shqipëri.
b) FMSH nuk synon në asnjë mënyrë të rivalizojë KMSH-në, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe sektet e tjera Islame në Shqipëri, në punët dhe praktikat e tyre fetare.
c) FMSH është dhe mbetet një organizatë qytetare, qëllimi kryesor i të cilës është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe besimit në përputhje me kartat dhe konventat ndërkombëtare, në të cilat aderon Republika e Shqipërisë.
Për sa i përket deklaratës të z. Ilir Kulla, kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, të botuar në Gazeta Shqiptare të të njëjtës ditë, sqarojmë se:
a) Ne nuk jemi organizatë fetare, që duhet të hyjë nën juridiksionin e z. Kulla. Duke qënë pjesë e shoqërisë civile, ne nuk kemi nevojë të hyjmë në marrëdhënie me qeverinë apo zyrën e z. Kulla
b) Duam t’i kujtojmë z. Kulla, që ne si shoqatë jo – qeveritare dhe jo fitimprurëse, e shohim të paligjshëm dhe abuziv ndërhyrjen dhe sulmet e tij në punët e organizatës sonë.
c) Ne i apelojmë organizmave të shtetit shqiptar të ndalojnë sulmet e padrejta mediatike, që z. Kulla po orkestron kundër shoqërisë civile në këtë vend dhe organizatës sonë.
d) Ne i apelojmë mediave shqiptare, të jenë të kujdesshme kur përdorin terma si “përçahen muslimanët e Shqipërisë” etj, pasi një gjë e tillë nuk i përgjigjet aspak të vërtetës.