FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

11/11/2005

Su: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, fyen ndjenjat e muslimanëve shqiptarë

Më datë 10 nëntor 2005, në mediat e shkruara dhe vizive shqiptare është transmetuar lajmi që presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka mbajtur një ligjëratë në forumin e Oksfordit me temë: “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”. Në fjalën e tij, presidenti ka thënë ndër të tjera se ‘islami në Shqipëri nuk është fe burimore, por e sjellë nga faktori ushtarak turk… sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli… Si rregull është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.’ Presidenti ka vijuar duke thënë edhe se ‘te çdo musliman shqiptar, gjen 15 shekuj krishtërim’, dhe se ‘nuk është e vërtetë që në vendin tonë, jetojnë shumica me besim islam…’ por se ‘në pikëpamjen vertikale diakronike të gjithë shqiptarët janë të krishterë’. Më tej presidenti vazhdon të thotë se: ‘mund të konkludohet se deri në cfaqjen e faktorit politik, ushtarak dhe fetar osman, për njeriun shqiptar e rëndësishme ishte të ishte një i krishterë i devotshëm.’

Forumi Musliman i Shqipërisë, i konsideron këto deklarime si një nga fyerjet më të rënda që i janë bërë identitetit të muslimanëve të Shqipërisë. Muslimanët e Shqipërisë janë mësuar të dëgjojnë deklarime të këtij lloji nga qarqe intelektuale me frymëzim anti-musliman në Shqipëri dhe Ballkan, të cilat kërkojnë konvertime të tipit të Bosnje Herzegovinës të muslimanëve ballkanas në ‘fenë e të parëve’, me arsyetimin se vetëm në këtë rast ata do të jenë të pranueshëm për Europën. Por kur këto fyerje bëhen nga presidenti, ato marrin karakterin e një sulmi të shtetit mbi identitetin e qytetarëve të tij.

Forumi Musliman i Shqipërisë, i sheh si krejt absurde përpjekjet për të afishuar ‘tolerancën ndërfetare në traditën e popullit shqiptar’, kur deklarohet se shqiptarët qënkan të gjithë të krishterë. Ne pyesim zotin president, se nëse në Shqipëri edhe ne muslimanët qënkemi të krishterë, atëherë ndaj kujt ushtrohet kjo tolerancë zotëri? Si është e mundur që në shtetet fqinje në Ballkan ku ka popullata dhe regjime të deklaruara si të krishtera ortodokse, nuk ekziston një tolerancë si në Shqipërinë me shumicë muslimane?

Ndërkohë që presidenti deklaron se në Shqipëri nuk është traditë të bëhet regjistrim zyrtar mbi baza fetare, përveç atij të viteve 1929 – 1930, ku bazohet ai kur pretendon që ‘nuk është e vërtetë që në vendin tonë jetojnë shumica me besim islam’? Forumi Musliman i Shqipërisë ndjehet i habitur kur konstaton që kryetari i shtetit, nuk paska dijeni që në vendin e tij, përveç të krishterëve të devotshëm, ekziston një numër goxha i madh muslimanësh po aq të devotshëm, të cilët e mbështesin fenë e tyre në Islamin burimor, që rrjedh nga mësimet autentike të librit të shenjtë, Kuranit, që Zoti i madhëruar i shpalli njerëzimit nëpërmjet profetit Muhamed, ashtu siç i dërgoi Ungjillin profetit Jezu Krisht.

Islami në Shqipëri, zoti president, është po aq familjar për shqiptarët sa ç’është edhe krishtërimi (i cili sikurse edhe islami nuk është rezidencial, por i ardhur nga Lindja e Mesme), por që të dy janë pjesë të pandashme të identitetit tonë kombëtar. Madje Islami është shumë më përfaqësues i identitetit tonë kombëtar, sesa fetë e tjera apo idhujt e huaj, që politikat rajonale të viteve të fundit, kërkojnë t’i imponojë me pahir këtij kombi.

Duam të theksojmë se presidenti i Republikës sipas kushtetutës është simbol i unitetit kombëtar. Për këtë arsye atij nuk mund t’i lejohet që nëpër forume ndërkombëtare, të prezantojë qëndrime të njëanshme, të cilat injorojnë ndjenjat e një pjese të mirë të popullsisë. Për këtë arsye ne mendojmë se do të ishte në nderin e presidentit të republikës, që t’i kërkojë falje shtetasve të tij të besimit islam, të cilët janë ndjerë tejet të ofenduar dhe keqpërfaqësuar prej tij.