FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

1-tetor-06

Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim në median vizive dhe të shkruar në Shqipëri të ashtuquajturën konferencë të radhës për tolerancë fetare në Ballkan, e cila është organizuar në datë 30 gusht 2006 nga shoqata “Millenium Club Center” e drejtuar nga Mentor Nazarko.

Në këtë konferencë ndër të tjera, Forumit i ka rënë në sy fjalimi i mbajtur nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, i cili në referatin e tij ka paraqitur një studim të botuar në vitin 2001 në Enciklopedinë Botërore Kristiane, në të cilën jepej që popullsia shqiptare e besimit mysliman në Shqipëri është gjithsej 38.8 % për qind, ndërsa ajo kristiane është 35.4% për qind, duke e ndarë në 16.8 për qind katolikë dhe në 16.1 për qind ortodoksë.

Ky botim i cili ka bërë lajm në median e shkuar të datës 1 tetor 2006, pasi është cituar nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Rexhep Mejdani, sipas mendimit të Forumit Musliman të Shqipërisë, nxit në tensionimin e marrdhënieve fetare në Shqipëri dhe nuk ndikon në tolerancën fetare siç shoqata “Millenium Club Center” e ka quajtur konferencën e saj. Për Forumin Musliman të Shqipërisë, citimi nga një ish-president i Republikës të një botimi jo-shkencor nga organizatat fundamentaliste kristjane, siç ka bërë zoti Meidani duke cituar këtë palo enciklopedi të botuar nga organizata World Evangelization Research Center apo Qendra Kërkimore Botërore e Ungjillizimit, ndikon në turbullimin e realiteteve fetare në Ballkan.

Populli shqiptar e di më mirë sesa misionarët e huaj sesa përqind e popullsisë së tij janë muslimanë, dhe sa janë të krishterë. Për këtë arsye Forumi denoncon fuqishëm përpjekjet e organizatave fondamentaliste evangjeliste si World Evangelization Research Center apo Qendra Kërkimore Botërore e Ungjillizimit, të cilat duan të prishin balancat fetare në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë këshillon ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Rexhep Mejdani që të qëndrojë larg këtyre botimesh dashakëqia dhe jo serioze. Do të ishte në nderin e z. Mejdani që në vend se të citojë ‘enciklopeditë’ e organizatave fundamentaliste, tjetër herë t’i referohet të dhënave të Departamentit të Shtetit në SHBA për përqindjet fetare në Shqipëri, apo edhe enciklopedisë prestigjioze italiane De-Agostini.

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË TIRANË