FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË manifestim në mbrojtje të FAMILJES

17/05/2012/ ARKIV
 

Forumi Musliman i Shqipërisë si një organizatë, e cila në themel të vetin ka përpjekjen intelektuale të materializuar në kontributin për promovimin e vlerave më të mira të shoqërisë, organizon sot këtë manifestim në mbrojtje të familjes dhe vlerave të saj me motivacionin “Të mbrojmë familjen, të mbrojmë jetën”.

Në këto ditë kur vlerat e familjes ndjehen më të rrezikuara se kurrë më parë dhe në kohën kur brezit të ri po i serviren modele të denatyruara jashtë natyrshmërisë njerëzore, FMSH ndjehet më e angazhuar se kurrë në ripërtëritjen, promovimin si dhe mbrojtjen e trashëgimisë morale, e cila zanafillon me bërthamën e shoqërisë, me familjen.

Ne, jemi sot këtu edhe për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me problemet që po kalon sot familja shqiptare. Numri i divorceve po pëson rritje galopante në një shoqëri gjithonë e më të shpërqendruar. Numri i fëmijëve të cilët vuajnë pasojat e divorceve të prindërve, është një plagë e madhe sociale pasojat e së cilës do të shihen pasi ky brez të arrijë moshën e pjekurisë.
Një tjetër fakt shqetësues  për të cilën FMSH ndjehet i obliguar të manifestojë dhe sensibilizojë, është numri jashtëzakonisht i madh i aborteve të aplikuara në rang kryeqyteti apo edhe në rang vendi, fenomen ky që dëmton drejtpërdrejt familjen shqiptare.

Krimi dhe dhuna në familje janë akte të papranueshme për një shoqëri, e cila shpreson dhe beson tek vlerat njerëzore. Rritja e numrit të rasteve të tilla, tregon për krizën e rëndë që ka kapluar familjen shqiptare dhe domosdoshmërinë që ajo t’i kthehet virtytit dhe dashurisë reciproke.
Forumi Musliman i Shqipërisë mbron me forcë vlerat dhe moralin familjar të trashëguar nga e drejta hyjnore dhe do të angazhohet për të bërë gjithçka nevojitet për të sensibilizuar opinion publik por edhe për të rritur ndjeshmërinë sociale në lidhje me ruajtjen dhe shenjtërimin e familjes.