FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV
Datë 11.02.2011
Forumi Musliman i Shqipërisë duke u mbështetur në vlerat më të mira morale dhe kombëtare si dhe duke parë me shqetësim deklaratën e Konsulli grek Theodhoros Ikonomu në 20 vjetorin e themelimit të organizatës Omonia, dhe praninë e disa parlamentarëve grekë, dhe kryetarit te PBDNJ z. Vangjel Dule, bën këtë pronocim publik në të cilin shpreh rezervat dhe kundërshtitë e veta për këto deklarata shoviniste dhe ekspansioniste, të fabrikuara nga gënjeshtrat historike, që vijnë si fantazma nga e shkuara e hidhur, sa herë që Shqipëria ndodhet në momente delikate. Duke iu referuar deklaratës së konsullit grek Ikonomu, i cili ndër të tjera thotë:
“Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke.”…., dhe “Ekzistojnë të drejta të minoriteteve. Por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë të cilat përfaqësojnë emrin Vorioepir. Ky është Vorioepiri. Në Vorioepir ekzistojnë grekë, kjo vërtetohet dhe do vërtetohet më tepër kur të regjistrohet popullata dhe këtu duhet të funksionojnë të drejtat e minoritetit. Kurajo, shpresë dhe betejë”, Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh shqetësimin se prej shumë kohësh Qeveritë Greke janë angazhuar me agresivitet në imponimin ndaj Qeverisë Shqiptare për realizimin e Regjistrimit të Popullsisë në Republikën e Shqipërisë.
Deklaratat
e konsullit grek të Korçës zbulojnë në mënyrë të qartë synimin e politikës
greke: realizimi i ëndrrës së vjetër e të pandryshueshme për të ashtuquajturin
Vorioepir. Në funksion të realizimit të kësaj ëndrre konsulli Ikonomu
përfaqësues diplomatik i një vendi anëtar i Bashkimit Evropian nuk heziton t’i
imponojë popullsisë vllahe, se ata duhet patjetër të identifikohen si të
kombësisë greke. Kuptohet qartë që ky apel i drejtohet edhe shqiptarëve ortodoksë.
Duke u bazuar në sa më sipër Forumi Musliman i Shqipërisë e konsideron si tepër
të rrezikshëm për Sigurinë Kombëtare dhe kundërshton me forcë kërkesën për
deklarimin e kombësisë dhe të fesë në
formularin e Regjistrimit të Popullsisë, për arsye se:
Së pari – metodologjia dhe mekanizmi, që merr përsipër numërimin, analizimin dhe përpunimin e të dhënave, duhet të jetë absolutisht i besueshëm nga të gjitha palët dhe korrekt njëkohësisht. Në kohën kur në Shqipëri po kontestohen zgjedhjet parlamentare pikërisht për mos konsensualitet për mekanizmat e numërimit, jemi akoma herët që procesi i sforcuar i numërimit të popullsisë të bëhet në këto kushte ku jemi.
Së dyti – mos përfshirja e përfaqësuesve të komuniteteve fetare, si pjesë e grupeve të regjistrimit si dhe të komisionit qendror të regjistrimit në mënyrë që të kenë akses të plotë gjatë regjistrimit për të mënjanuar kontestimet e bën procesin të pabesueshëm.
Së treti – pozicionimi ynë si një popull kryesisht emigrantësh na vë në pozitë inferiore, kur bëhet fjalë për përzgjedhje individuale të kufizuara e nën presion, të varur kryekëput nga shteti ku jeton, me llogari bankare të “konfiskuar” dhe për më tepër me një perspektivë rikthimi në atdhe jo edhe aq optimiste. Të gjitha këto e bëjnë shumë vulnerabël deklarimin e secilit në bazë etnie dhe sidomos feje. Duhet të vejmë në dukje në këtë rast që një numër shumë i madh emigrantësh shqiptarë myslimanë nën presion kanë ndërruar fenë dhe tani mund të ndërrojnë edhe kombësinë.
Së katërti – ekzistenca e mirënjohur e grupimeve minoritare dhe përfaqësive të tyre politike që haptazi këto dy dekada kanë pretenduar për ekspansion në njerëz dhe territore, të fuqizuar nga fqinjët, duke përdorur emigracionin shqiptar si kundërmasë, e bëjnë aspak të vërtetë vendimmarrjen e individit shqiptar.
Së
pesti – nëse ka një frikë sot në
Shqipëri për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnie apo feje ajo është
krejtësisht e justifikueshme, për arsye të pozicionit inferior në të cilin
ndodhet individi shqiptar në raport me realitetin e vet integrues dhe ekonomik,
si dhe inferioritetit apo edhe diskriminimit të grupeve të caktuara në raport
me shoqërinë.
Së fundmi duke parë sjelljen krejtësisht të pamaskuar të politikës
greke dhe veglave të tyre në Shqipëri, Forumi Musliman i Shqipërisë është i
bindur se regjistrimi korrekt i popullsisë nuk do të mund të realizohet nga
Shteti Shqiptar, sepse ai do të manipulohet për interesa afatgjata të
helenizmit, gjë për të cilën Shteti Grek nuk do të kursente asnjë mjet, sidomos
atë financiar.
Duam
të kundërshtojmë arsyetimin zyrtar sipas të cilit me regjistrimin e popullsisë
Shqipëria plotëson një standard të Bashkimit Europian pasi regjistrimi në bazë
etnie dhe feje nuk përfshihet në Rregulloren Evropiane No. 763/2008 për
regjistrimin e popullsisë. Këto dy pyetje janë shtuar nën presion në pyetësor
dhe jo si standart për tu plotësuar. Në Evropë nuk ka asnjë vend, ku shteti të
ketë bërë një regjistrim mbi baza besimi dhe etnie, përveç rastit kur kjo gjë
realizohet nga agjenci jo-shtetërore të specializuara apo OJF të karakterit
ndërkombëtar, të cilat nuk kanë ndërvarësi nga politika.
Tashmë është plotësisht e qartë që politika greke bën presion mbi Qeverinë
Shqiptare, duke i vënë si kusht regjistrimin e popullsisë, si shkëmbim për
procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ndërkohë që i duhet vetë Greqisë që
të integrohet, meqë deri tani është i vetmi vend i BE-së, i cili nuk i njeh
minoritetet etnike dhe fetare. Fakti që Politika Greke refuzon të njohë të
drejtat e popullsisë çame dhe gjenocidin e ushtruar mbi të e konfirmon
plotësisht këtë gjë.
FMSH i bën thirje mediave, shoqërisë civile, grupeve të interesit, politikanëve dhe parlamentarëve që të vënë interesat kombëtare mbi interesat personale dhe të mos lejojnë që në regjistrimin e popullsisë të vihen pyetjet mbi etninë dhe fenë. Kjo çështje nuk është e negociueshme dhe në rast se politika vendos të lejojë pyetësorin në formën aktuale duke shkelur me dy këmbë mbi gjakun, djersën dhe mundin e të parëve tanë, FMSH i bën thirje çdo shqiptari për bojkotim të këtij procesi anti-shqiptar. Njëkohësisht ne i bëjmë thirrje Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe organeve gjyqësore të prefekturave të qyteteve të Jugut, që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi si dhe në përputhje me interesat, sigurinë dhe stabilitetin social të Shqipërisë të bëjnë kujdes ndaj veprimeve abuzive për ndërrimin e kombësisë nga grupime të caktuara.