FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR MEDIA / ARKIV

Deklaratë mbi shoqërimin e imamit të xhamisë së Medresesë në Policinë e Tiranës

28/04/2012
 

Forumi Musliman i Shqipërisë është njohur me rastin e shoqërimit të imamit të Xhamisë së Medresesë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në Degën e Antiterrorit i bërë me kërkesën e kryetarit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë z. Selim Muça, ku sipas të dhënave që kemi e akuzon imamin për uzurpim, radikalizëm dhe ekstremizëm dhe nxitje të konfikteve fetare dhe kërkon ndjekje penale.

Forumi Musliman i denoncon këto praktika si të jashtëligjshme me tipare fashiste anti-demokratike të bazuara te shantazhi, kërcënimi dhe presioni për zgjidhjen e një konflikti, i cili është parimor, dhe administrativ. Ky reagim vjen si pasojë e një konflikti që ka pasur Komuniteti Musliman me xhematin e Xhamisë së Medresesë, të cilët kanë kundërshtuar një vendim të Komunitetit, i cilësuar si i padrejtë sipas tyre për lirimin nga detyra dhe kalimin në dispozicion të Myftinisë së Tiranës të imam Lulzim Plloçit.

Kjo lloj praktike duhet të marrë fund një herë e mirë, se është një praktikë e përsëritur kallëzimi dhe shoqërimi i imamëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, sa herë që KMSH ka mosmarrëveshje të brendshme me to. Po me këto lloj termash pak vite më parë janë shoqëruar në policinë e Tiranës disa nga imamët, që sot janë pjesë e Stafit të lartë drejtues në KMSH. Shprehim gjithashtu shqetësimin tonë të ligjshëm për këtë incident, që një imam që e ka ushtruar veprimtarinë e tij që prej 10 vitesh në mënyrë legale, të hapur e konform statutit të KMSH-së dhe ligjeve të këtij vendi, në bashkëpunim të ngushtë me xhematin dhe me të gjithë komunitetin qytetar tek lagjja e Medresesë, duke dhënë një shembull të gjallë qytetarie dhe të një figure me integritet të muslimanit dhe imamit të thirret padrejtësisht në polici. Gjithashtu shprehim shqetësimin se kjo letër dorëzuar organeve të rendit ka marrë edhe miratimin edhe të strukturave të tjera të Kryesisë së KMSH-së, drejtorëve dhe  nënkryetarëve të KMSH-së, të cilët janë angazhuar para besimtarëve dhe shoqatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të muslimanëve për një ndryshim dhe frymë bashkëpunimi me të gjithë elementët dhe të gjithë xhematin, të cilët prej shumë vitesh japin një kontribut të gjerë për ngritjen e fesë dhe rritjen e kontributit social. I bëjmë thirrje Komunitetit Musliman të tërheqë letrën e ankesës tek Dega e Antiterrorit e Drejtorisë Policisë së Tiranës e të mos e bëjë atë palë në konflikt, të kërkojnë falje për akuzat e bëra pa të drejtë, dhe të bashkëpunojnë me xhematin dhe imamin e Xhamisë së Medresesë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë e reale brenda normave islame dhe ligjore të këtij vendi.