Më së fundi pas disa përpjekjesh dhe vështirësish tashmë që dihen FMSH po nxjerr në qarkullim raportin dy-vjeçar mbi Islamofobinë për shkak edhe të gjendjes së pandemisë dhe turbullirave që shkaktoi. Raporti evidenton pak a shumë po ato probleme, të cilat që prej disa dekadash po i vuajnë muslimanët shqiptarë. Kurba e Islamofobisë vërehet se luhatet kur ka ngjarje të mëdha dhe me ndikim jo vetëm kombëtar, por edhe mbi-kombëtar ku përfshihen ngjarjet rajonale në Ballkan apo edhe ato evropiane e ndërkombëtare. Një seri problemesh të pazgjidhura jepen në këtë raport, si dhe për herë të parë FMSH do të përpiqet të vendosi nivelin apo indeksin e Islamofobisë në vend…
Për më shumë lexoni Raportin në vijim:
Hyrje
Periudha 2019-2020 është karakterizuar nga ngjarje të rëndësishme që ndikuan në jetën e të gjithë shqiptarëve dhe shkaktuan vështirësi për të gjithë qytetarët pa përjashtim jo vetëm në rang vendi, por në të gjithë botën. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe shpërthimi i pandemisë së gripit SARS COVID 19 janë dy ngjarje që ndikuan në jetën e të gjithë qytetarëve pa përjashtim. Kjo e dyta dhe masat pasuese shtrënguese mbi karantinimin preku drejtpërsëdrejti edhe funksionimin normal të xhamive, të cilat u mbyllën pa afat. Lëkundjet e tërmetit të nëntorit në zonën Tiranë-Durrës-Fushë-Krujë e Thumanë patën pasoja shumë të rënda fizike me dëmtimin e disa mijëra ndërtesave banimi si dhe me humbjen e 51 jetëve njerëzore. Mekanizmi i solidaritetit njerëzor u vu menjëherë në lëvizje, ku një ndikim të ndjeshëm patën rrjetet sociale, nëpërmjet të cilëve fotot dhe videot përcollën në kohë reale nevojat e të dëmtuarve dhe e gjithë shoqëria me të gjithë mjetet e mundshme u vu në dispozicion të të dëmtuarve. Rrjeti i bamirësisë adresoi nevojat e para të të dëmtuarve dhe ndihmat u dërguan në vendet më të nevojshme në ato momente. Fillimisht me ushqime, batanije e veshje e më pas me nevojat e strehimit. Bamirësit muslimanë në Shqipëri, vendet fqinje dhe diasporë u angazhuan nëpërmjet aktorëve vendas të dërgojnë ndihma financiare deri edhe për ndërtimin e shtëpive të reja. Pa u mbyllur mirë këto ngjarje në shkurt-marsin pasues të vitit 2020 nisi periudha e pandemisë SARS COVID 19, e cila nuk është mbyllur edhe në këto momente. Menjëherë kjo pandemi e shkallës globale u pasua nga masat e rrepta të një karantinimi global, ku u ndërpre rrjedha e zakonshme e jetës njerëzore, duke u mbyllur familjet në shtëpitë e tyre dhe me ndihma fare të pakëta shtetërore. Në këtë mënyrë jeta e përditshme fetare u dëmtua me gjithë kërkesat e vazhdueshme nga besimtarët, që të zbatoheshin protokollet e nevojshme për këtë situatë brenda territorit të xhamisë për të pasur sadopak mundësinë e aplikimit të riteve. E gjithë kjo gjendje u pasqyrua ndjeshëm në të gjitha rrjetet sociale e sidomos në fcb, ku u rrit ndjeshëm edhe ndërkomunikimi midis faktorëve të ndryshëm socialë dhe individëve të ndryshëm, si dhe aktivistëve shoqërorë, të cilët në këto rrethana morën përsipër të jenë zëdhënësit e shoqërisë civile për këtë lloj gjendje të paprecedent në nivel global. Nga kjo gjendje e vështirë që zgjati për më shumë se 9 muaj shkaktoi jo vetëm prekje të të drejtave themelore të jetesës së përditshme njerëzore, por edhe të natyrës ku munguan deri edhe gjërat më bazike për të jetuar: ushqimi dhe ilaçet e nevojshme pavarësisht skemave ndihmëse shtetërore, të cilat rezultuan të pamjaftueshme. Të gjitha bashkësitë fetare të pranishme në Shqipëri e më gjerë me ndikimin qeveritar morën vendimin për t’i pezulluar të gjitha funksionet e tyre publike çka solli bllokimin pa afat të ritualeve të përbashkëta për të gjitha fetë e pranishme në Shqipëri. Për këto shkaqe u vonuan edhe raportet vjetore të FMSH-së, të cilët ne po i nxjerrim dy vite në një raport të përbashkët, ku edhe një vëmendje të posaçme tashmë kemi treguar rreth islamofobisë në rrjetet sociale.
Islamofobia në rrjetet sociale
Megjithëse kemi treguar një vëmendje të veçantë në rrjetet sociale për të pasur një pasqyrë sa më afër realitetit na duhet të vërejmë se është shumë e vështirë të ndjekim hapat e kujtdo, që mundet ta identifikojmë si profil islamofob. Janë një numër figurash publike të denoncuara tashmë zyrtarisht nga FMSH dhe aktorë të tjerë me të cilët bashkëpunojmë në këtë fushë, ku kemi edhe një listë me emra publikë të njohur si të tillë në vitet e shkuara, dhe e cila është pasuruar edhe me emra të rinj. Ndërkaq më shqetësues mbetet krijimi i profileve false në facebook, instagram, twiter si edhe në shumë aplikacione të tjera të vëna në qarkullim së fundmi. Ajo çka i bashkon këto lloj profilesh janë hate speech, karikaturat që tallen me fenë, etiketimet islamofobe (turkofobe dhe arabofobe) të bazuara mbi racën, ngjyrën dhe prejardhjen etj. Dallohen në këtë drejtim grupime me tipare të theksuara ultranacionaliste, që karakterizohen nga një gjuhë urrejtëse me konotacione të thella racore, që kërkojnë të kenë një pastërti racore në Shqipëri bazuar në një homogjenitet racor të pamundshëm për shkak të përbërjes minoritare të evidentuara tashmë nga censuset e shkuara. Në synimet e Forumit Musliman të Shqipërisë është edhe bërja e një studimi bazuar në gjuhën e përdorur në rrjetet sociale dhe vendosjen e një niveli apo indeksi të islamofobisë në rrjetet sociale dhe shoqëri.
Islamofobia sipas rasteve 2019
Mars 2019
Masakra në dy xhamitë e Zelandës së Re ishte në fokus të analizës së emisionit të sotëm “Ju flet Moska” nga Kastriot Myftaraj në Rtv Ora. Në transmetimet e televizionit Ora News të datës 18 mars 2019, ora 19:45, u transmetua emisioni “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”, gjuha dhe argumentimet e të cilit përbëjnë një nxitje të hapur të akteve të terrorit ndaj besimtarëve muslimanë dhe konfliktit civil. Terrori që mori jetën e aq shumë njerëzve nuk u dënua në asnjë moment të këtij transmetimi, por ai u justifikua si i nxitur dhe pasojë e natyrshme e qëndrimit disfatist të qeverisë së Zelandës së Re përballë të ashtuquajturit rrezik islamik. Me një fantazi të shthurur, emisioni ngriti këmbanën e alarmit për një rrezik të madh që sipas tij po vjen nga besimtarët muslimanë dhe nga praktika shekullore të fesë Islame të njohura në vendin tonë, të përqafuara nga ajo pjesë muslimane e vendit, prej së cilës kanë dalë edhe baballarë të kombit shqiptar. E gjitha kjo u vendos në funksion të ngjalljes së panikut mbi rrezikun imagjinar të dhunës nga ana e muslimanëve shqiptarë. Në fund, me një gjuhë haptazi kërcënuese, ky emision televiziv paralajmëroi reagime dhe akte terroriste shumë më të forta në mungesë të marrjes së përgjigjeve të duhura nga kryeministrja e Zelandës së Re dhe kryeministrat e vendeve të Europës.
Për këtë emision pati një reagim qytetar nga një grup besimtarësh, të cilët ju drejtuan me një peticion të posaçëm televizionit Ora News dhe Autoritetit të Mediave Audio-vizive.
Po ashtu u përgatit një formular ankese drejtuar AMA-s nga juristi i FMSH-së dhe iu dërgua via e-mail brenda një kohe të shkurtër nga rreth 500 persona. Në një takim të posaçëm përfaqësuesit e FMSH-së pranë zyrave të AMA-s paraqitën objeksionet e tyre dhe morën informacion mbi procedimet e bëra. Pas ankesave të mbrritura pranë Zyrës së Ankesave të AMA-s bordi i këtij institucioni konstatoi shkeljet e bëra dhe e gjobiti Ora News me 400,000 lekë të reja, si dhe “Bordi çmon se deklarime të tilla janë në shkelje të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Këto deklarime nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.
(http://ama.gov.al/2019/04/17/njoftim-per-shtyp/)
Maj 2019
Avokati i njohur, Saimir Vishaj ka nxitur debate me deklaratën e tij duke shtruar këtë pyetje ndaj panelit të emisionit ku ishte i ftuar: “Më thoni një emër të ortodoksi që ka kryer vrasje?”
Ndërkohë sociologu Alfred Halilaj tha: “Nuk është analizë kjo të vendosësh besimin fetar përgjegjës për rritjen e kriminalitetit. Nuk mund të jetë, nuk mund ta themi këtë. Eshtë absurde ta themi”, tha sociologu në emisionin “Dritare me Rudinën”. Bëhet fjalë për gazetaren e mirënjohur televizive Rudina Xhunga dhe emisionin e saj.
Më pas, Vishaj e replikoi duke thënë se: “Ne jemi ata që në përditshmërinë tonë ndeshemi me kontingjentet, me autorët, me autorët e dyshuar. Teoria është tjetër, ajo çfarë themi është tjetër”.
Në emison po flitej lidhur me kriminalitetin e shtuar në vend ku u diskutua edhe për shkaqet që kanë sjell vrasjet e njëpasnjëshme në gjithë territorin e vendit ku në harkun e 120 ditëve janë kryer plot 29 të tilla.
Deklarimet janë bërë në News 24 TV
Qershor 2019
Në faqen lapsi.al në facebook me rastin e faljes së Bajramit të Ramazanit nxirret një foto nga pjesa ku po faleshin gratë muslimane dhe thuhej: Pasi e keni parë këtë foto, a ju duket vetja si në Shqipëri? Në një ditë të shënuar për bashkësinë muslimane, foto-lajme të tilla nxisin vetëm islamofobinë dhe synojnë prishjen e harmonisë ndërfetare. Foto Gent Shkullaku, ndërsa Mentor Kikia e nxorri në fcb. Kjo foto shkaktoi një debat të madh publik, si dhe nxiti dukshëm ndjenjat dhe ligjërimin islamofob sidomos në rrethet nacionaliste.
Gusht 2019
Thyhet memoriali turk në Tiranë
Është thyer memoriali i vendosur në Tiranë në nder të viktimave që kundërshtuan tentativën e grushtit të shtetit në Turqi. Pllaka është dëmtuar në pjesën anësore të saj, ndërkohë që policia ka rrethuar zonën ku është vendosur memoriali. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në mëngjes herët (30/08/2019). Vendosja e këtij memoriali në liqenin artificial të Tiranës u shoqërua me reagime të shumta islamofobe, kryesisht në rrjetet sociale. Memoriali i kushtohet viktimave të tentativës për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të 2016-ës, kundër presidentit Rexhep Taip Erdogan. Grushti i shtetit dështoi, ndërsa Erdogan bëri përgjegjës klerikun Fethullah Gylen, si autor të sulmit.
Shtator 2019
Figura të ndryshme që i përkasin sferës së publikes kanë folur shpesh së fundmi duke nxitur islamofobinë e rrjeteve sociale. Anila Basha (gazetare dhe drejtuese e portalit investigativ dhe me lajme newsbomb.al) dhe Taulant Muka (ish-zv/ministër i arsimit) kanë folur nga kënde të ndryshme vështrimi, pasi u mbyll debati publik mbi Memorialin Turk të vendosur në një nga vendet publike të Tiranës me miratimin edhe të Bashkisë së Tiranës.
Taulant Muka ish-zëvendësministër arsimi në faqen e tij zyrtare ka bërë rreth 12 postime ku ka si temë kryesore shkolla vs xhamia. Ja edhe teksti i postimit të parë të bërë me 9 shtator:
“Xhami/Kisha vs…shkolla?
Gjate rruges Elbasan -Tirane pothuajse çdo 5 kilometra shikoje nga nje xhami NE TE DYJA ANET E RRUGES. E njejta situate edhe ne autostraden Tirane-Durres. Po si eshte e mundur qe ndertohen kaq shume xhami dhe jo shkolla? Po keto xhamite kush i nderton? Edhe ne fshatra me 5 shtepi ndertohen xhami apo institucione te tjera fetare si kisha. Pse nuk i investojne keto para per shkolla, per te edukuar brezin e ri? Jam i sigurte qe 90% e atyre qe sherbejne ne keto xhami/institucione fetare nuk kane as edukimin me minimal te fese qe mendohet te predikojne!”
Islamofobia sipas rasteve 2020
Maj 2020
Prishja e godinës së Teatrit Kombëtar të Tiranës
Gjatë protestave civile që ndodhën me rastin e prishjes së Teatrit Kombëtar ka pasur edhe një numër të ndjeshëm aktivistësh muslimanë, të cilët kanë qenë të pranishëm në mbrojtjen që iu bë këtij objekti për një periudhë dy vjeçare nga Aleanca për Teatrin. Në këto momente janë ndaluar dhe shoqëruar në komisariatet e Tiranës edhe dy aktivistë S. Ç. dhe K.Q., ku nga dëshmitë e ndryshme të dhëna për agjencitë e lajmeve forcat policore kanë ushtruar dhunë verbale dhe forcë ndaj të gjithë protestuesve, ku edhe ndaj S. Ç.-së së cilës policët i thonin çfarë të duhet ty duke agjëruar të vish këtu në protestë. Sipas aktivistit tjetër i cili është mbajtur për ditë të tëra në Komisariatin nr. 1 ata që e arrestuan dhe tërhoqën zvarrë ishin pa uniforma dhe pa shenja dalluese, dhe që më pas e dorëzuan tek punonjësit e policisë të Komisariatit. Theksojmë se pikërisht ato ditë ka qenë muaji i agjërimit të Ramazanit.
Qershor 2020
Doza islamofobie të theksuar nga Arbana Osmani dhe Top Channel
Historia e dhimbshme e një jetimeje të dhunuar ka tronditur rrjetet sociale pas pohimeve të saj se është dhunuar rregullisht në mjediset e Shtëpisë së Jetimëve në Shkodër. 27-vjeçarja, me emrin Adriana e cila është rritur në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, ka bërë një rrëfim tronditës. Vajza ka rrëfyer se në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, ka qenë një mësues i fesë islame që abuzonte me to. Gjatë emisionit “Dua të të bëj të Lumtur” në Top Channel, Adriana tha se mësuesi i fuste në bodrum, i rreshtonte fëmijët e vegjël dhe abuzonte seksualisht me to. Kjo histori e paraqitur në këtë emision është hedhur poshtë nga punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, të cilët kanë deklaruar që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë mësues feje zyrtarisht pranë këtij institucioni. Po ashtu është hera e dytë që Arbana Osmani nxit islamofobi dhe urrejtje ndaj muslimanëve dhe bashkësisë së tyre me emisionin e saj “Dua të bëj të Lumtur”, për të cilin Forumi Musliman i Shqipërisë ka paraqitur ankesë zyrtare te Avokati i Popullit.
Ndalimi me burg dhe dalja i pafajshëm i Roland Kryemadhit
Gjykata e Tiranës ka caktuar sot (07/06/2020) arrest me burg për Roland Kryemadhin për të cilin pretendohet që gjatë aksionit për arrestimin e tij ai e ka kërcënuar policinë me armë. Do të duhej të paraqitej në gjykatë pasi është nën akuzë për keqtrajtim të miturish, sepse nuk lejon prej 1 viti tre vajzat e tij të arsimohen, kundërshton policinë dhe u nxjerr atyre armën duke i kërcënuar. Është kjo historia e Roland Kryemadhit e ofruar nga organet e rendit, që jeton në Kamzë, i cili ka penguar vajzat, të veshura me shami, të ndjekin shkollën.
200 forca policie për të arrestuar një person dhe mbi një vit duke e sjellë vërdallë nëpër gjykata kanë krijuar paqartësi dhe e kanë nxitur për më keq në reagimet e tij Roland Kryemadhin (37 vjeç- e gjitha kjo u transmetua live nga kanale lajmesh me komente nga më të ndryshmet). Një problem për të cilin drejtoria e shkollës në Kamzë dhe shërbimet sociale të Kamzës mund ta kishin zgjidhur me shumë qetësi, duke marrë në bazë të ligjit aktual vendimin administrative të parashikuar nga Ligji Nr.7952, në kreun Sanksione në nenet 59.1 dhe 59.2 kanë zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe të nxitjes së subjektit në qorrsokak, ndërkohë që nuk duhet të shtyheshin më tej se sa parashikon ligji. Për akuzat e armëmbajtjes pa leje nga policia rezultuan të pabaza për shkak se në gjykatën e Tiranës në seancën e datës 07/06/2020, nuk u paraqit nga drejtoria e policisë apo prokuroria e Tiranës ndonjë armë zjarri siç u pretendua nga raportet policore të dhëna mediave të ndryshme. Roland Kryemadhi i ka hedhur poshtë akuzat se ai ka pasur armë dhe njëkohësisht gjendja e tij e dobët ekonomike dhe sociale, nuk e kanë lejuar atë të ketë një njohje të mirë të situatës pavarësisht këshillave të ndryshme që i janë dhënë. Për pasojë kuptohet qartë se organet e përfshira në zgjidhjen e problemit të tij, nuk kanë treguar mirëkuptim ndaj tij dhe familjes së tij dhe nga mënyra se si u paraqit në media incidenti i Kamzës kuptohet se nga të gjithë aktorët vendorë të përfshirë në këtë incident ka pasur doza të thella paragjykimi dhe islamofobie.
Mbulesa e Femrës Muslimane
Gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë sporadike sulmet individuale ndaj vajzave apo femrave të mbuluara në publik. Më shumë i përkasin rrjeteve sociale dhe pasohen me një gjuhë urrejtëse tashmë e mirënjohur nga profile të sajuara nëpër rrjete. Mësues të ndryshëm në sistemin parauniversitar janë shprehur në forma indirekte ndaj vajzave të mbuluara, duke shprehur mospëlqim për veshjen e tyre në përgjithësi, ndërkohë në takimet me prindërit e fëmijëve kanë mohuar të kenë ndonjë konfrontim me problemin në fjalë. Megjithëse ka pasur një sensibilizim të ndjeshëm në shoqëri kundrejt femrave të mbuluara dhe veshjes së tyre ndjehet nëpër mjedise të ndryshme sociale dhe administrative një kundërshtim, i cili vjen kryesisht nga mentaliteti shekullaro-ateist i ngulitur në administratën shtetërore qysh nga periudha e regjimit monist.
Çështje që nuk kanë gjetur ende zgjidhje!
- Ora e xhumasë në administratën publike dhe tek uniformat ushtarake
- Personat me uniformë ushtarake apo të policisë nuk lejohen që me uniformë dhe gjatë kohës së shërbimit të ushtrojnë të drejtën e tyre për kryerjen e riteve fetare (qofshin muslimanë apo të krishterë)
- Ora e mësim-besimit në arsimin parauniversitar.
- Doza të mëdha islamofobie në aparatin e rendit.
- Mbulesa e Femrës Muslimane si pjesë e identitetit dhe e jetës së përditshme.
Lista e analistëve islamofobë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë- 2017
Për herë të parë kjo listë u përpilua dhe u vu në qarkullim më 13 shtator 2017 dhe u azhornua përsëri më shtator 2021, ndërkohë që do të mbetet e hapur edhe në vazhdim për t’u plotësuar me emra të tjerë.
https://www.fmsh-al.org/new/2021/02/16/lista-e-analisteve-islamofobe-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-2017/ * Forumi Musliman i Shqipërisë synon të rrisë vëmendjen e politikës dhe publikut shqiptar në luftë kundër Islamofobisë dhe racizmit, të monitorojë incidentet e Islamofobisë dhe racizmit, dhe të punojë për të eleminuar diskriminim fetar dhe racor, dhe të lobojë për çështje me interes për muslimanët e Shqipërisë dhe komunitetet e tjera të vendit, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe në Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut të nënshkruara nga Shteti Shqiptar. Të gjitha rastet e evidentuara më sipër janë raportuar dhe ndjekur hap pas hapi nga përfaqësues dhe juristë pranë FMSH dhe gjenden të dokumentuara më gjerësisht pranë zyrës së FMSH. Emrat të caktuar nuk janë bërë të ditur për shkak të ruajtjes së privatësisë së të interesuarve.