FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

DEGA SHKODËR 

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

3/6/2005

Ditën e mërkurë, më 2 Qershor 2005, në emisionin Fahrenheit të drejtuar nga gazetari Sokol Balla në televizionin Vizion +, është debatuar në lidhje me ‘fenë dhe politikën në Shqipëri.’ Në këtë emision ku ishin të ftuar Ardian Ndreca, Mark Marku, Fahri Balliu dhe Ilir Kulla është përdorur një gjuhë tejet ofenduese dhe fyese ndaj Islamit. Ndër personat më ofendues ndaj fesë Islame në Shqipëri dhe besimtarëve të saj ishin botuesi i gazetës 55 dhe drejtuesi i Institutit Demokristian ‘De Gasperi’, Fahri Balliu dhe sekretari i Komitetit të Kulteve pranë kryeministrit, Ilir Kulla. Ky i fundit ka nje funksion ligjor te tille qe e obligon të mbajë qëndrime mjaft të matura ndaj çdo bashkësie fetare operuese në Shqipëri. Në vend që të luajë rolin e koordinuesit të marrëveshjeve ndërmjet bashkësive fetare dhe Këshillit të Ministrave, përkundrazi merr përsipër që në emër të institucionit që përfaqëson (Këshillit të Ministrave), të fyejë botërisht bashkësinë fetare më të madhe në Shqipëri, Bashkësinë Islame. Ky qëndrim i tij është jo vetëm i pamatur nga pozicioni që ai përfaqëson dhe aspak i favorshëm edhe për zgjedhjet e ardhshme në të cilat, zoti Kulla kandidon për deputet, por është në kundërshtim me të gjitha kartat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. 

Sipas Kullës dhe Balliut, në Shqipëri, Islami portretizohet si rrezik, dhe konvertimi i shqiptarëve në Islam në kohën e Perandorisë Osmane u trajtua si një tragjedi. Për më tepër dhe në mënyrë shumë ofenduese, z. Kulla shkoi deri aty sa të kërkojë që shteti shqiptar të marrë nën kontroll Komunitetin Musliman të Shqipërisë në të cilin sipas tij po kërkojnë të penetrojnë besimtarë të edukuar në botën arabe. Duke patur parasysh që ish-gazetari Kulla është ai i cili duhet të koordinojë mbarëvajtjen e feve në Shqipëri dhe jo të shkatërrojë pamvarësinë e fesë Islame dhe as të orkestrojë fushata diskriminimi kundër besimtarëve muslimanë, Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh indinjatë të thellë me ndërhyrjet në çështjet e brendshme të Islamit dhe muslimanëve në Shqipëri nga një aparatçik i kryeministrit Fatos Nano.

Ilir Kulla, ka deklaruar edhe herë të tjera nëpër media se në KMSH ekzistojnë dy rryma, njëra radikale dhe tjetra e moderuar. Kjo deklaratë e cila nuk pranohet nga vetë KMSH-ja dhe besimtarët muslimanë, jo vetëm se është përçarëse, por mbi të gjitha është defamuese për imazhin e fesë Islame në Shqipëri. Duke qënë se z. Kulla dhe Balliu janë ofendues të vazhdueshëm të identitetit të muslimanëve shqiptarë dhe vetë fesë Islame, Forumi Musliman i Shqipërisë, i bën apel Presidentit të Republikes si garant i Kushtetutes shqiptare, prokurorise si organ i ndjekjes penale, si dhe organizmave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, të marrin masa për t’i dhënë fund islamofobisë që përhapet nga disa qarqe të caktuara në Shqipëri, duke i konsideruar keto akte qe bien ndesh me lirinë e besimit dhe sigurinë e qytetarëve. Persekutimi i qytetarëve mbi baza të besimit të tyre, konsiderohet si shkelje e të gjitha akteve ndërkombëtare ku Shqiperia aderon si dhe të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

Praktika të besimtarëve shqiptarë si mbajtja e mjekrës, shamitë etj të cilat përbëjnë shqetësim për z. Kulla dhe Balliu, janë norma fetare që garantohen nga nenet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe nenet 10 e 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë. Por me sa duket kultura juridike dhe informacioni i këtyre njerëzve në lidhje me këto të drejta themelore njerëzore është nën minimumin qyetar të pranueshëm dhe jo më në nivelet që kerkohet të jenë të informuar këta persona publikë. Praktikimi i normave fetare është një e drejtë kushtetuese dhe konvencionale që i takon çdo individi që jeton në Republikën e Shqipërisë.

Shqetësimi që z. Kulla dhe Balliu kanë nga fakti se hoxhallarët dhe disa besimtarë në Shqipëri mbajnë mjekra, shihet nga Forumi Musliman i Shqipërisë si pjesë e islamofobisë dhe anti-muslimanizmit politik që sponsorizohet në vendin tonë nga qarqe anti-shqiptare dhe raciste.

Për sa më sipër, Forumi Musliman i Shqipërisë i apelon Institucioneve shtetërore shqiptare, Presidentit të Republikës, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, dhe ambasadave të huaja, që deklaratat publike të bëra nga z. Kulla si përfaqësues i qeverisë shqiptare, dhe Balliu të merren shënim, pasi bien ndesh me këto dokumenta ndërkombëtare dhe shtetërore të të drejtave të njeriut:

Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku Shqipëria është anëtare dhe detyrohet të zbatoje përcaktimet e saj.

Konventen Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, ku Shqipëria është anëtare.

Karten  Evropiane të të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, e cila duhet të zbatohet në mënyrë të padiskutueshme nga të gjitha shtetet anetare si dhe nga vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij Bashkimi.

Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që është dokumenti themelor i shtetit shqiptar, për sa i perket garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe sidomos atij të ndërgjegjes dhe besimit fetar.

Normat e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë që jane vendosur për të mbrojtur dinjitetin dhe mosdiskriminimin e shtetasve mbi baza fetare. Si perfundim, ne, i bëjmë thirrje zotërinjve Kulla, Balliu dhe të tjerë, përfaqesues ose jo te institucioneve shtetërore, që të kërkojnë falje publike për diskriminimin dhe fyerjen që i bëjnë besimtarëve muslimanë, dhe islamofobinë që shfaqin herë pas here në mediat tona.