FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV

Deklaratë në lidhje me vendimin e KMSH për Xhaminë e Medresesë.                                          

07/03/2012
 


Javën e fundit FMSH ka ndjekur me shqetësim përplasjen e pakëndshme të stafit të lartë të KMSH-së me besimtarët e Xhamisë së Medresesë, të cilët kanë refuzuar vendimin arbitrar të KMSH-së për lirimin nga detyra të Imamit të Xhamisë së Medresesë dhe fillimin e një procesi për tjetërsimin e kësaj xhamie.

Duke vlerësuar punën e mirë të bërë ndër vite nga besimtarët e kësaj xhamie, opinionin pozitiv dhe ngritjen e imazhit të Islamit, që këta besimtarë së bashku me imamin dhe hatibin kanë krijuar jo vetëm tek banorët e lagjes përreth, por edhe tek gjithë besimtarët e Tiranës, Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje KMSH-së, që të dëgjojë zërin e besimtarëve dhe të largohet nga praktikat e vjetra konfliktuale të Stafit të vjetër të KMSH, të cilat në të kaluarën kanë sjellë përplasje midis besimtarëve dhe institucionit. E ftojmë KMSH-në, që të zbatojë premtimet e bëra për sjelljen e një fryme të re bashkëpunuese midis saj dhe besimtarëve, pasi në të kundërtën ky do të ishte një hap prapa në kohë, dhe që do të dëmtonte imazhin e Islamit në Shqipëri, si dhe të vetë KMSH-së, si institucioni përfaqësues dhe mbrojtës i besimtarëve muslimanë.