FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

FMSH përshëndet pavarësinë e Kosovës dhe falënderon komunitetin ndërkombëtar për ndihmën e dhënë

17-shkurt-08

Forumi Musliman i Shqipërisë ka pritur me kënaqësi të madhe deklarimin e pavarësisë nga parlamenti i Kosovës, sot më 17 shkurt 2008, dhe përshendet deklaratën e pavarësisë si një hap në rrugën dhe kohën e duhur për të përmbushur aspiratat 95 vjeçare të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.

Duke përfituar nga rasti i lumturisë mbarëkombëtare, Forumi Musliman i Shqipërisë uron parlamentin dhe qeverinë e Kosovës, partitë e saj, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë popullin e saj për një pavarësi të paqme dhe prosperitet në vitet që do të vinë.

FMSH falenderon me këtë rast edhe komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti SHBA-të, Bashkimin Evropian, Organizatën e Konferencës Islamike dhe të gjithë botën demokratike dhe liridashëse për ndihmën që ato i kanë çështjes shqiptare përgjatë vuajtjes shekullore të shqiptarëve. FMSH i apelon të gjithë vendeve demokratike, dhe në veçanti atyre islamike që të njohin dhe mbështesin politikisht dhe ekonomikisht shtetin e ri kosovar.

Fitorja e pavarësisë së Kosovës dhe lindja e shtetit të ri kosovar, janë një indikator i qartë për të gjithë muslimanët e Evropës, se e ardhmja e kontinentit tonë tashmë po ndërtohet mbi bazat e multikulturalizmit dhe bashkekzistencës në harmoni, të të gjitha kulturave dhe feve, dhe muslimanët evropjan po gëzojnë të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët.

Lindja e shtetit të Kosovës nuk është indikator vetëm i multikulturalizmit dhe bashkekzistencës evropiane, por mbi të gjitha është edhe një drejtësi e vënë në vend ndaj popullit të Kosovës, të cilit 95 vite më parë i’u bë padrejtësi, kur u la nën zgjedhën e Serbisë.

Selamet tona Kosovë!