FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp/ ARKIV
30-tetor-09
FMSH shqetësohet nga presionet e SHISH kundër muslimanëve në Shqipëri
Për dijeni:
Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, kryetar i Këshillit të Drejtësisë,
Kryeministrit, z. Sali Berisha,
Kryetari i përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch,
Ambasadorit Amerikan në Tiranë, John Withers
Forumi Musliman i Shqipërisë ka përcjellë me vëmendje arrestimin më 12 tetor 2009 të Artan Kristos, udhëheqës fetar islam, i akuzuar për terrorizëm.
Forumi është njohur edhe me argumentet e akuzës dhe pas kërkimeve dhe njohjes së problemit në detaje, në kontakt edhe me njohës të teologjisë dhe zhvillimeve brenda komunitetit të muslimanëve, konstaton se nuk ekziston kurrëfarë thirrje për terrorizëm në materialet e botuara në uebsajtin albselefet.net dhe udhëzimidhedrita.com, faqe në të cilat gjejmë se edhe A. Kristo ka zhvilluar aktivitetin e tij. Përkundrazi ky njeri është kritik i ashpër i asaj fryme, që aktet terroriste i justifikon me parime fetare si ai i xhihadit.
Për sa më lart, Forumi shpreh mendimin se:
1- Ligjërimi i Artan Kristos për cështjen e xhihadit përmban vende-vende një gjuhë të papranueshme për kohën dhe vendin ku jetojmë, ai mbart një ligjërim që i përket tërësisht një ambienti tjetër dhe pa qenë aspak e nevojshme importon një problematikë, që nuk na përket. Në këtë ligjërim vihen re qartë elementë të një utopizmi romantik, por jo të nxitjes për akte terroriste, siç akuzohet i lartpërmenduri.
2- Edhe pse Artan Kristo bën të tilla pohime, ne jemi të mendimit që askush nuk mund të burgoset në një vend të lirë dhe demokratik, ku liria e mendimit dhe e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë dhe me konventat ndërkombëtare të nënshkruara për liritë dhe të drejtat e njeriut nga shteti ynë, vetëm pse ka shprehur një opinion të tij, që nuk mund të konsiderohet si thirrje për terrorizëm.
Forumi ka përjetuar si tronditëse deklaratat e avokatit Ilir Malindi, për përpjekjet e Shërbimit Informativ Shtetëror për të rekrutuar me presion Artan Kriston me qëllim spiunimi të vëllezërve të tij në besim. Po kaq tronditës është edhe fakti i përgjimeve të paligjshme ndaj tij (të pa-autorizuara nga gjykata) dhe refuzimi për t’ia vënë në dispozicion palës mbrojtëse materialin mbi të cilin bazohet akuza.
Shqetësimi më i madh i Forumit Musliman të Shqipërisë është se komuniteti i besimtarëve muslimanë, vazhdon të jetë në fokus të presionit psikologjik dhe i përndjekjes së pajustifikuar nga organet e shërbimit sekret që mesa duket kanë për qëllim frikësimin e tyre.
Bashkësia e besimtarëve muslimanë si dhe besimtarët e feve të tjera e kanë ndjerë thellë veprimin e sigurimit të shtetit të Partisë së Punës, gjatë kohës së diktaturës komuniste nëpërmjet infiltrimit të agjenturës në mesin e tyre. Për fat të keq, mesa duket këto taktika po vazhdojnë edhe sot në Shqipëri. Situata brenda Komunitetit Musliman të Shqipërisë, është një pasqyrë e qartë e kësaj që po ndodh.
Na ishte krijuar besimi i rremë se kishte marrë fund koha kur njerëz si Ilir Kulla (me background nga shërbimet sekrete) i dërgonin udhëheqësit fetarë muslimanë nëpër stacionet e policisë duke iu marrë shenjat e gishtave si të ishin kriminelë ordinerë.
Forumi Musliman i Shqipërisë është i shqetësuar edhe për faktin që herë pas here, në organet mediatike të vendit tonë, hidhen akuza të fryra e të pabaza kundër besimtarëve muslimanë dhe klerit musliman të vendit tonë, të cilat ndikojnë opinionin kundër fesë Islame dhe muslimanëve. Konstatojmë me keqardhje që akoma ka segmente të shtetit shqiptar që duan të mbajnë gjallë atmosferën e Guantanamos ndërkohë që kjo ka pushuar tashmë së ekzistuari edhe në vetë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.