FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV

Forumi Musliman i Shqipërisë, deklaratë për shtyp mbi gjendjen në Libi

25/02/2011

Forumi Musliman i Shqipërisë i ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet  e fundit në Libi dhe në të gjithë Afrikën Veriore dhe e sheh me shumë shqetësim situatën e krijuar në këtë pjesë të rëndësishme të botës arabe. Protestat e fuqishme të nisura në Tunizi kundër një regjimi tejet diktatorial sollën si përfundim largimin nga pushteti të diktatorit Bin-Ali. Largimi i tij pati efekte të fuqishme, të cilat sollën protesta të fuqishme në Egjipt, Jemen, Algjeri, Libi etj. Popujt e këtyre vendeve kërkojnë një jetë më të mirë, demokratizimin e jetës në vendet përkatëse, si dhe largimin e diktatorëve nga pushteti pas një qeverisje të gjatë, jo efikase dhe në përfitim të familjeve të tyre, të cilat e drejtojnë vendin me grusht të hekurt. Këta diktatorë akuzohen se kanë përfituar pasuri të jashtëzakonshme nëpërmjet pushtetit të pakufishëm, që kanë krijuar. Por rasti më shqetësues që paraqitet për momentin është Libia dhe diktatori i saj Gadafi.

Libia tashmë e gjitha ka hyrë në një kolaps pasi protestuesit janë qëlluar nga reparte speciale. Me qindra qytetarë të thjeshtë të pambrojtur janë vrarë barbarisht për të vetmen arsye se po kërkojnë kushte më të mira jetese dhe më shumë liri për t’u shprehur. Situata bëhet më shqetësuese edhe për shkak se agjencitë e lajmeve nuk lejohen të transmetojnë realitetin dhe burimi i vetëm i informacionit është vetëm ai qeveritari. Madje shkalla e gjenocidit ka arritur deri aty, saqë janë ekzekutuar edhe ushtarët që kanë refuzuar të qëllojnë mbi protestuesit e pambrojtur. Marrëzia e liderit libian Gadafi i ka tejkaluar kufijtë e normales dhe pushteti i këtij njeriu po i sjell vetëm dëme popullit të vet. Me gjendjen tejet të rënduar që është krijuar në qytetet kryesore të Libisë vazhdimi i qëndrimit të këtij personi në pushtet do të ishte i përmasave katastrofike për popullatën.

Ne përshëndesim shumë veprime të ushtrisë libianë, të cilët kanë refuzuar të qëllojnë mbi popullsinë e pambrojtur dhe për pasojë të bëhen pjesë e një gjenocidi të pashembullt. Gjithashtu përshëndesim aktet e mosbindjes civile të ndërmarra nga diplomatë të ndryshëm libianë të vendosur nëpër botë, si dhe i bëjmë thirrje ambasadorit libian në Tiranë të distancohet nga veprimet gjenocidale të administratës vrastare të kolonelit kriminel, i cili për të mos lëshuar pushtetin është i gatshëm të vrasë popullin e vet. Ne i shprehim solidaritetin tonë popullit libian, i dënojmë masakrat e kryera dhe shpresojmë që faktori ndërkombëtar t’i lejë mënjanë interesat ekonomike dhe të shprehet në ndihmë të popullit libian.