FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
DEKLARATË PËR MEDIA/ ARKIV
Forumi Musliman i Shqipërisë, deklarate për shtyp në përkrahje të besimtarëve muslimanë në Prishtinë
28/06/2011
Forumi Musliman i Shqipërisë e ndien si detyrim të shprehet me këtë Deklaratë, me të cilën përkrah protestat e besimtarëve muslimanë në Prishtinë, ndaj refuzimit të vazhdueshëm të organeve komunale për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në kryeqytet. Forumi e gjykon të ashpër ndërhyrjen e policisë së Kosovës në momentin e faljes së namazit të Xhumasë dhe e konsideron atë, si një shkelje flagrante të të drejtave njerëzore, të lirisë së shprehjes së përkatësisë fetare, si dhe të praktikimit të lirë dhe publik të riteve fetare. E konsiderojmë të papranueshme prangosjen e një besimtari, i cili është rrahur dhe keqtrajtuar egërsisht në lokalet e policisë në Prishtinë.
Bashkëjetesa fetare në harmoni në Shqiperi, në Kosovë, edhe në gjithë shoqërinë shqiptare, është kontribut i të gjithë shqiptarëvë të çdo feje, por një meritë kryesore për këtë vlerë të çmuar të popullit tonë i takon muslimanëve, të cilët përbëjnë shumicën. Muslimanët shqiptarë kudo ku ata jetojne jane te angazhuar qe ta ruajne fort ate dhe ta kultivojnë edhe në të ardhmen. Respekti për pakicën e krishtere nuk duhet të përkthehet në përkrahje të egzagjeruar për këtë bashkësi dhe në mospërfillje të interesave të shumicës. Ata që veprojnë në këtë drejtim i bëjnë shërbimin më të keq çështjes së bashkëjetesës fetare ndër shqiptarët. Muslimanët shqiptarë kanë qenë gjithnjë të duruar dhe të arsyeshëm në kërkesat e tyre, por durimi ka gjithnjë një kufi. Forumi Musliman i Shqipërisë përkrah të gjitha përpjekjet e bëra nga Forumi Musliman i Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi delikat dhe shumë të ndjeshëm për të gjithë muslimanët në Kosovë. Ne i bashkangjitemi thirrjes së Forumit Musliman të Kosovës në thirrjen drejtuar organeve gjegjëse komunale, që “sa më parë që të jetë e mundur të realizojnë këtë nevojë imediate të besimtarëve muslimanë të Prishtinës, duke ndarë parcelën e duhur dhe lejen përkatëse për ndërtimin e xhamisë qendrore në qendër të Prishtinës, e të zvarritur gjer tani plot 10 vite me radhë, pasi që tani e tutje do të angazhohet dhe do të përdorë të gjitha mjetet e duhura demokratike dhe nuk ka më fuqi që do të mund të ndalë gjer në realizimin e plotë të këtij qëllimi fisnik, të plotësimit të nevojave elementare, të hapësirës së nevojshme për faljen e namazit të xhumasë, si një drejtë themelore njerëzore e garantuar me të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare”.