FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
DEGA SHKODËR
REAGIM/ arkiv
15 / 09 / 2005
Me datën 1 Shtator, ditën e enjte në gazetën “Koha Jonë” në dy faqe të brendshme të saj shpaloset një titull “sensacional” në rubriken Religjioni – Debati, speciale “Shkenca e zbritur qiellore po derdhet në Shkodër” me autor Agron Lukën.
Në këtë shkrim, Agroni, një qytetar shkodran përgojon në mënyrë ofenduese emrin e Allahut xh.sh, librin e shenjtë të muslimanëve, Kuranin dhe profetin Muhamed s.a.v.
Ai tallet me aktivitetet fetare të Myftinise Shkodër dhe me besimtarët muslimanë shkodranë. Barrë e rëndë kjo për t’u mbajtur nga autori.
Për ne besimtarët muslimanë, ky shkrim nuk është një gjë e re. Islami është ballafaquar me njerëz të pafe si Agroni që në fillim të shpalljeve të Kuranit dhe ne muslimanët Shqiptarë, sot vazhdimisht cënohemi në besimin dhe dinjitetin tonë nga media e shkruar dhe elektronike.
Të luftosh islamin sot, je modern dhe hyn në hatër të armiqve të kombit shqiptar. Artikulli futet në grupin e atyre që trajtojnë autorësinë e Kuranit për të cilën armiqtë e Islamit nuk kanë pushuar së shkruari në shekuj.
Le ti pergjigjemi këtij sulmi me fjalët e Allahut xh.sh:
“Pasha Kuranin e pacënueshëm me urtësinë e tij të lartë. S’ka dyshim se ti Muhamed je prej të dërguarve. Je në një rrugë te drejtë. Kurani është zbritje e të plotfuqishmit, mëshiruesit” (Jasin 2-3-4-5).
“Ne të kemi shpallur ty Muhamed argumente të qarta, dhe ato nuk i mohon askush përveç atyre që kanë dalë respekti” (El-Bekare 99)
Për çështjet e besimit në Zotin një, një fizikant i madh amerikan thotë: “Kur duam te gjejmë një ateist, atë e kërkojmë ne departametin e filozofisë se në rradhët e fizikantëve nuk ka. “Allahu vërtetoi se nuk ka Zot tjetër veç tij. Këtë e dëshmuan edhe engjëjt dhe dijetarët…” (Ali-Imran 18)
Në shkrimin e tij, autori ngatërron besimet, ngatërron librat e shenjtë dhe tregon paditurinë e tij në fushën e religjionit. Duke cituar filozofët e lashtësisë ai harron se shkrimet e filozofëve të lashtë janë përkthyer me parë nga dijetaret islamë, në arabisht dhe prej kësaj në gjuhët e tjera evropiane. Në mbyllje të shkrimit autori ofendon gjithe shqiptaret duke i quajtur “…shqiponjaxhinjtë komunisto-orientalë të shekullit të XX edhe Enverit të Hoxhajve…“
Në këtë mbyllje, autori tenton që komunizmin si ideologji t’a bëjë me origjinë nga lindja dhe per ardhjen e tij në Shqipëri të fajësojë muslimanët shqiptarë. Këtu autori e ngarkon veten me faj duke fajësuar të tjerët padrejtësisht. Dihet botërisht që në truallin islam nuk ka lindur asnjë ideologji e tipit te “izmave” dhe të komunizmit në veçanti. Për besimtarët muslimanë në të gjithë botën burimi i dijes është Allahu xh.sh dhe atyre u mjafton libri i Allahut, Kurani dhe shembulli i jetës së profetit Muhamed s.a.v. Në mendjet e tyre nuk ka vend per ideologji djallëzore. Këto ideologji u lindën në Evrope e Rusi nga Darvini, Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini etj, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me truallin islam.
Artikullshkruesi e di mirë se kush e solli komunizmin në Shqipëri dhe nuk është në etikën tonë si bashkëqytetarë që t’ia kujtojmë në këtë shkrim. Përmbajtja e artikullit është sulmuese ndaj muslimanëve shqiptarë dhe shkodranë nga pozita ateiste si dikur në komunizëm. Ne si besimtarë muslimanë i bëjmë thirrje autorit të pushojë intrigat e tij kundër islamit, për të mos turpëruar veten e tij përballë bashkëqytetarëve dhe shokëve muslimanë. Ne i apelojmë atij, të largohet nga mosbesimi dhe të besojë në Zotin si Krijues i Gjithësisë. Në të njëjtën kohë, shprehim keqardhjen që gazeta “Koha Jonë” i jep hapësirë artikujve të ketij lloji, që nuk i shërbejnë askujt dhe as qëllimit të kësaj rubrike. Është në nderin e botuesve të gazetës që në të njëjtën rubrikë të botojë këtë shkrim tonin, dhe gjithashtu edhe artikullin e gazetës “Udha Islame”, organ i Myftinisë Shkodër me titull “Njeriu… rastesisht, apo…!” dhe le t’ia lëmë lexuesve shqiptarë të gjykojnë.