FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

21-qershor-06

SU: Forumi Musliman ndjehet i shqetësuar nga racizmi dhe islamofobia e Ismail Kadaresë

Forumi Musliman i Shqipërisë ka lexuar dhe monitoruar që nga muaji mars 2006 shkrimin e shkrimtarit Ismail Kadare ‘Identiteti Evropian i Shqiptarëve’, replikat e akademikut Rexhep Qosja dhe debatet që janë hapur në shtyp mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe rolin që feja islame ka në atë.

Forumi Musliman i Shqipërisë është ndjerë i tronditur nga tonet raciste dhe urrejtjenxitëse që shkrimi i z. Kadare ka përçuar në publikun shqiptar. Më saktë sulmi që Ismail Kadare ka bërë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Konferencën Islamike, ndaj përkatësisë kulturore të muslimanëve shqiptarë dhe përkatësisë së shqiptarëve në qytetërimin islam, janë disa nga tezat që trondisin dhe fyejnë muslimanët që jetojnë në Ballkan.

Njëanshmëria që Kadare rrëfen në shkrimin e tij, kur presupozon se shqiptarët i përkasin vetëm kulturës evropjane, apo më saktë vetëm asaj kristjane janë fyese. Sulmi që ai bën ndaj personave që mendojnë se shqiptarët i përkasin edhe qytetërimit islamik, apo sulmet që ai bën ndaj kulturave dhe popujve të kontinenteve të tjerë, siç janë Afrika, Azia etj, përngjasojnë me sulmet raciste që në Evropë janë dëgjuar vetëm gjatë epokës së Rajhut të Tretë. Cilësimet e Kadarëse që presupozojnë se shqiptarët janë të bardhë, se ata jetojnë në zemër të Evropës, Forumit i kujtojnë përcaktimet raciste të nazistëve, kur këta deklaronin se gjermanët janë racë e bardhë ariane, superiorë, ndërsa popujt e tjerë, si afrikanët, aziatikët, hebrejtë etj trajtoheshin si inferiorë. Përngjasime naziste në shkrimet e Kadaresë vihen re edhe kur ai krahason kulturën superiore të bardhë të katolicizmit latino – shqiptar në opozitë me atë orientalen e bejtexhizmit musliman shqiptar. Të njëjtën gjë bënin edhe nazistët kur pretendonin se muzika dhe kultura ariane gjermane ishte superiore mbi atë hebraike, aziatike dhe afrikane.

Forumi Musliman i Shqipërisë, nuk është dakort edhe me mendimet e Kadaresë, sipas të cilit Perandoria Osmane, ka nënshtruar shpirtërisht shqiptarët nëpërmjet islamizimit. Por përkundrazi, islamizimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve, është faktori kryesor që i ruajti ata nga asimilimi serb dhe grek.

Sulmet e Kadaresë ndaj Islamit, letërsisë së bejtexhive, dhe për më tepër, përpjekja e tij për të portretizuar mbretin Ahmet Bej Zog si një monark anti-musliman shqetësojnë shumë Forumin, për frymën e egër dhe islamofobike që ato mbjellin në publikun shqiptar. Në shkrimin e Kadaresë ka shpifje me doza të mëdha. E këtillë është edhe shpifja teologjike që Kadare bën ndaj formës së faljes së muslimanëve shqiptarë, kur ndër të tjera thuhet se; (mbreti Zog ndaloi) ‘rreptësisht rënien në gjunjë të burrave, (gjatë faljes) dhe për më tepër urdhëroi ‘Bashkësisë Islame, (që të) urdhëroj myslimanët shqiptarë të faleshin këndej e tutje pa e ulur dinjitetin shqiptar, domethënë në këmbë!

Idetë islamofobike të Kadaresë edhe kundër muslimanëve shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe në Ballkan, duket sikur janë në sinkroni të plotë me tezat anti-shqiptare dhe anti-muslimane që miku i zotit Kadare, Maks Velo përmend në shkrimin ‘Qoseizmi, ose teoria e urrejtjes’ të botuar në gazeta Shekulli më 21 qershor 2006. Në këtë shkrim, Maks Velo ndër të tjera sulmon edhe vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni, kur thotë:

me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë

Forumi Musliman i Shqipërisë, ndërsa sheh shkrimet që inspirohen nga idetë raciste të z. Kadare, me poezitë dhe rrëfimet e të cilit mësojnë fëmitë tanë nëpër shkolla, ndjehet i tronditur me urrejtjen që ky njeri inspiron kundër kombit tonë. Është për tu habitur sesi Kadare pajtohet me antishqiptarin Maks Velo, kur sulmon trashëgiminë kulturore të qytetit të Tiranës, apo më saktë themeluesin e saj Sulejman Pashë Bargjinin.

Duke qënë se mendimet e Ismail Kadaresë kanë nxitur një fushatë sulmesh raciste, antishqiptare dhe antimuslimane, që bien ndesh me parimet dhe liritë e të drejtat e individit, Forumi, i bën thirrje të gjithës hapësirës intelektuale shqiptare të distancohet nga idetë urrejtjenxitëse që Kadare predikon, duke kontribuar në mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira që populli ynë trashëgon nga historia. Forumi Musliman i Shqipërisë, mendon se identiteti kulturor dhe fetar i shqiptarëve është përbërës i formësuar nëpër rrjedhat e historisë multikulturore të kombit tonë, duke marrë esencat më të mira si tipare themelore të identitetit të tij, dhe sulmi ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore të popullit tonë, është sulm antishqiptar.